Njeriu i diplomacisë ruse, një teknokrat me eksperiencë të gjatë, Sergei Lavrov, konsiderohet tashmë si njeriu që kapi një fjalë të amerikanëve për ta kthyer në një platformë, duke ia hedhur Uashingtonit për armët kimike
DAVID M. HERSZENHORN dhe MICHAEL R. GORDON, NYT
Sekretari i Shtetit, John Kerry, sapo pati bërë një koment të pamenduar duke iu përgjigjur pyetjes se si Presidenti Bashar al-Asad i Sirisë mund të shmangë një sulm ushtarak – dhe menjëherë, Sergei V. Lavrov, ministri jetëgjatë i punëve të jashtme të Rusisë, e mori në telefon.
Lavrov nuk e ka rastin t’i humbasë.
Ndihmësit e Kerry-t sakaq i qenë vënë punës për të zhbërë atë që ai pati thënë, por Lavrov e kapi rastin, duke i thënë Kerry-t se ai mund të shfaqej menjëherë në publik me një propozim të udhëhequr nga rusët për shkatërrimin e arsenalit sirian të armëve kimike. Kjo shkaktoi një reagim të egër nga Kerry, i cili paralajmëroi në bisedën telefonike 14 minutëshe, “ne nuk po luajmë këtu”.
Në kohën kur telefoni i Kerry-t u ul në Uashington, toka qe zhvendosur dhe të shtunën, jo më shumë se një javë më vonë, Kerry dhe Lavrov plotësuan planin ndërsa qëndronin anës pishinës në një hotel të Gjenevës.
Është një pakt për të cilin ekspertët amerikanë të kontrollit të armëve janë lodhur shumë për t’i dhënë një formë dhe që Shtëpia e Bardhë beson se mund të jetë rruga më e mirë për të ruajtur ndalimin e përdorimit të gazit helmues në Siri, pa pasur nevojë të përdorin forcën ushtarake për zbatimin e këtij rregulli. Por ky është një plan për të cilin Kremlini beson se u shërben interesave të Rusisë dhe të qeverisë së Sirisë.
Në shumë mënyra, puna e Lavrov përgjatë gjashtë ditëve përfaqëson majën e karrierës së tij, të cilën e ka kaluar gjerësisht në përpjekje për të bllokuar atë që Kremlini prej kohësh e sheh si një unilateralizëm të rrezikshëm amerikan. Është një punë që ai e ka bërë kaq me efikasitet sa ka fituar nofkën “Minister Niet” dhe shumë zyrtarë të lartë amerikanë, përfshirë Hillary Rodham Clinton dhe Condoleezza Rice, kanë thënë se e kanë gjetur shpesh situatën acaruese kur kanë pasur të bëjnë me të.
Si teknicieni për diplomacinë e bosit të tij, Presidentit Vladimir V. Putin, Lavrov ka manovruar mes rrethimit nga Shtetet e Bashkuara, duke shmangur një goditje të njëanshme ushtarake dhe duke ruajtur rolin e Rusisë – gjithçka në një kohë kur Rusia vijon të furnizojë me armë Asad dhe t’i japë mburojë diplomatike përpjekjeve të tij për të shtypur një kryengritje.
Por në kuptim më të gjerë, gjithsesi, Lavrov ëndërroi të detyrojë Shtetet e Bashkuara të hyjnë në një bashkëbisedim që Kremlini shpreson të kthehet në një precedent, duke themeluar në këtë mënyrë një rol të Rusisë në punët e botës, bazuar jo në paradigmat e kohës së Luftës së Ftohtë, por më shumë në këndvështrimin e saj për respektimin e sovranitetit të shteteve dhe ruajtjes së stabilitetit sipas status quo-së, e kundërt kjo me tendencën e përhapjes së demokracisë së stilit perëndimor.
Për të bërë diçka të tillë, Lavrov u mbështet tek eksperienca e vet e gjatë, jo thjesht se gati dhjetë vjet që ka punuar si ministër i Jashtëm. Ai ka shërbyer për më shumë se një dekadë si ambasadori i Rusisë te Kombet e Bashkuara, ku ai ka zhvilluar njohuri të thellë mbi punët e Këshillit të Sigurimeve, si dhe një eksperiencë të madhe në përpjekjet ndërkombëtare për çarmatosje, përfshirë Irakun.
“Tani për tani, ai është një nga diplomatët më të aftë në botë”, thotë Fyodor Lukyanov, kryeredaktor i gazetës ruse mbi diplomacinë, “Global Affairs”. “Koha e diplomacisë reale është rikthyer”.
Për Lavrovin, kjo është një seri ngjarjesh për të cilat ai është përgatitur prej kohësh. Ai u diplomua në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë më 1972 dhe shkoi në Nju Jork më 1981 për të punuar te Kombet e Bashkuara pas disa periudhave të shkurtra në Sri Lanka dhe në Moskë.
Te Kombet e Bashkuara, ai është njohur për shkarravitje të gjata dhe shumë të përpunuara, në dukje pa e pasur shumë mendjen te çfarë flitet nëpër takimet e gjata, por edhe për një komandim të çështjeve.
“Ai qe një shkarravitës i madh, por mendja e tij qe gjithmonë duke kërkuar diçka”, thotë Charles A. Duelfer, i cili qe zëvendëskryetar i programit të OKB-së për inspektimin e armëve në Irak më 1990 dhe që u takua shpesh me Lavrov në selinë qendrore të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.
Duelfer tha se Lavrov dhe eksperienca e tij e gjatë me inspektorët e OKB-së dhe punën e tyre për heqjen e armëve jokonvencionale nga Iraku e ndihmuan atë të vlerësojë shpejt situatën në Siri dhe të punojë një plan të detajuar me Kerry-n. “Ai e njeh këtë punë, sepse e ka përjetuar në rastin e Irakut”, tha Duelfer. “Ai e di se çfarë është e mundur kur ke inspektorë të pavarur”.
Në një këndvështrim më cinik, analistët dhe diplomatët në Perëndim thonë me çfarë bëri, Lavrov kishte një objektiv politik, jo atë të çarmatimit, për përdorimin e betejave të gjata diplomatike për të blerë kohë për regjimin e Asad.
Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit tha se pala amerikane u habit nga mungesa e specifikimeve në deklaratën hapëse që Lavrov dha në Gjenevë, gjë që shtyu ekspertët amerikanë të vendosin klauzola më të detajuara, si dhe afate në përpjekje për ta bërë atë një plan funksional.
Lavrov, i cili pi duhan pa ndërprerje, njihet si diplomat i shkollës së vjetër. Ai hapur injoroi përpjekjet nga sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Kofi Anan, për të ndaluar pirjen e duhanit në selitë qendrore të OKB-së, duke thënë se Anan nuk e kishte ndërtesën nën pronësi.
Atij i pëlqen uiski dhe purot dhe hobit e tij kanë tendencën nga sportet me veprim si skitë.
Ai mund të shfaqë momente zemërimi. Kur një fotograf i kërkoi Lavrovit dhe Kerryt, si dhe të dërguarit të posaçëm, Lakhdar Brajimi, të pozojnë pas takimit në Gjenevë, Lavrov tha: “Ti nuk na jep ne urdhra; t’i thjesht kap çastin”.
Lavrov, 63 vjeç dhe Kerry, 69, duket se kanë krijuar një lidhje të shpejtë, me darka që kanë vijuar deri vonë, pije pranë oxhakut dhe shëtitje nëpër kopshte. Për disa, veçanërisht në Perëndim, maçoizmi i Lavrovit dhe sjellja kalorësiake e stilit të vjetër duket sikur i kanë limitet te seksizmi. Admiruesi thotë se ai është thjeshtë joshës si xhentëlmen.
Ish-ministrja e Jashtme e Austrisë, Ursula Plassnik, e cilësoi Lavrovin si “një nga aktorët me më shumë dituri dhe më i respektuar në politikën e jashtme të fshatit global”. Në vizitën e saj të parë në Moskë, tha ajo, Lavrov e priti atë jashtë legjendares Café Pushkin me një tufë trëndafilash të verdhë.
“Në një diskutim në prapaskena, mua herë pas here m’u desh t’i rikujtoj Sergei Lavrovit të mos përpiqet të më ‘buldozerizojë’ mua apo të tjerët, gjë që ai zakonisht e pranoi me një buzëqeshje”, tha ajo. “Unë nuk qeshë fare e habitur kur e pashë atë të zhvendoset në qendër të skenës me lehtësi dhe vendosmëri në menaxhimin e krizës së Sirisë”.
Fakti që Lavrov po e shijonte momentin kur gjendej në Gjenevë, qe i dukshëm për reporterët rusë që shkruajnë mbi të. Megjithatë, ai nuk qe aq shumë i lumtur sa qe i kënaqur, thanë ata. Pasi iu afrua me një pyetje të shtunën e nënshtrimit të marrëveshjes jashtë hotelit, Lavrov i tha një gazetareje televizioni në spanjisht se ajo qe “shumë e bukur”. Para konferencës për shtyp, ai bëri shaka me gazetarët, duke kërkuar ndjesë për vonesën.
Një reporter u përpoq të merrte informacion para shpalljes së njoftimit duke e pyetur, “mos nuk keni rënë dakord?” Lavrov mblodhi supet, “kaq gjakatar”, tha ai. Kur dikush tjetër pyeti nëse ai ka folur me qeverinë e Sirisë, Lavrov u përgjigj: “Unë jo, po ju?”
Ai dha përgjigje në një anglishte perfekte megjithëse kur u pyet më vonë në anglisht gjatë konferencës për shtyp, ai refuzoi, duke këmbëngulur se rusishtja qe gjuha përgjatë procedimeve formale.
Georgi I. Mirsky, një shkencëtar politik nga Instituti i Ekonomisë Botërore dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, tha se plani i Sirisë qe në të vërtetë plani i Putinit, por Lavrov do të marrë meritat.
“Në librat e historisë, do të jetë Lavrovi dhe Kerry – Lavrovi, njeriu i madh, ai shpëtoi Sirinë nga bombardimet amerikane, si dhe shpëtoi gjithashtu Barak Obamën nga një situatë poshtëruese dhe sikletosëse në Kongres”, tha Mirsky. “Ai është një burokrat, është një diplomat i mirë. Ai di se çfarë është në lojë. Dhe ai kurrë nuk do të thotë diçka në kundërshtim me qëndrimin zyrtar”.
Mirsky shtoi, “natyrisht, ka një dozë rreziku këtu, për shkak se Bashar Asad mund të shkatërrojë të gjithë panoramën. Nëse ai vendos të përdorë armët kimike sërish, situata do të jetë shumë e sikletshme”.
Skeda
Sergei Viktoroviç Lavrov lindur më 21 mars 1950.
Ministër i Jashtëm i Rusisë që nga viti 2004.
Karrierën e ka ndërtuar si diplomat sovjetik dhe si ambasador i Rusisë në OKB në vitet 1994-2004. Ai flet përveç rusishtes edhe anglishten, frëngjishten dhe sinhala.
I ati ka qenë armen nga Tbilisi, nëna, ruse nga Gjeorgjia. E ëma punonte në Ministrinë Sovjetike të Tregtisë së Jashtme. Studioi Marrëdhënie Ndërkombëtare në Institutin Shtetëror të Diplomacisë, ku mësoi edhe Sinhalese, gjuha zyrtare e Sri Lankës. Ai vetë thotë se nuk është në gjendje të flasë frëngjisht rrjedhshëm, ndërsa e perfeksionoi anglishten gjatë qëndrimit të gjatë në SHBA.
Pas diplomimit më 1972, ai zbatoi rregullin e kohës dhe punoi për Ministrinë e Jashtme i punësuar nga Ambasada Sovjetike në Sri Lanka. Ai u bë analist i shtetit ish-koloni britanike që qe bërë një republikë socialiste.
Ai u dërgua fillimisht si ndihmës në OKB në Nju Jork më 1981 dhe u kthye në atdhe më 1988 për të punuar në Ministrinë e Jashtme si zëvendësshef në Seksionin e Marrëdhënieve Ndërkombëtare Ekonomike.
Më 9 mars 2004, Putin e emëroi Lavrov si ministër të Jashtëm. Ai pasoi Igor Ivanovin. U riemërua në këtë post më 2012 nga Dimitri Medvedev./NYT/GSH/kohaislame.com