0 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pse nuk kemi heronj?

Më të lexuarat

Nga Ilir Yzeiri

Gazetari i njohur Karlo Bolino, në shënimin e tij të fundit për dosjen « Habilaj », ka veçuar një anë të rëndësishme të kësaj ngjarjeje që lidhet me diferencën tragjike mes poilicisë italiane dhe asaj shqiptare. Trafikantët shqiptarë, kur shojnë në Itali, dridhen sepse atje policia nuk është palë me ta, i lufton, i përgjon, i ndjek këmba-këmbës, ndërsa sa vijnë në Shqipëri ata u thonë trafikantëve italianë se këtu vëlla jemi si në shtëpinë tonë , se policia është në shërbimin tonë, madje deri edhe radarët kontrollohen prej tyre. Vetëm ky rrëfim do të mjaftonte që të arrinim në përfundimin e njohur se në Shqipëri shteti nuk ekziston, se alarmi që na japin përditë partnerët tanë për të luftuar krimin është një britmë tragjike për të na kujtuar se kështu do të zhbëhemi. Mirëpo, për fat të keq, kultura e shtetit, e qeverisjes, qoftë në Shqipëri, qoftë në Kosovë, nuk ekziston. Shqiptarët si komb dhe Kosova e Shqipëria si shtete sot janë përballë po asaj dileme të vështirë që ishin rilindësit kur vendosën ta shkëpusin vendin tonë nga Perandoria otomane dhe të dilnin shtet më vete.

Historia si kujtim i mërzitshëm

Nga viti 1912 e deri sa vendi u pushtua nga italianët dhe u përfshi në Luftën e Dytë Botërore, historia e shtetit shqiptar na tregon se në të gjitha rastet ne nuk arritëm të ndërtojmë një model të qëndrueshëm të qeverisjes. Unë e kam çmuar dhe e çmoj gjithmonë tentativën e Zogut për ta bërë këtë vend një monarki kushtetuese me orientim perëndimor. Nga ana tjetër, e di dhe e kuptoj se aventura të tilla nuk mund të bëhen në një vend që kishte trashëguar si traditë qeverisjen me fise, me të dërguar ushtarakë dhe me gjykata që mbështeteshin te sheriati dhe që drejtoheshin nga kadijtë. Sido që ta marrësh dhe ta trajtosh atë periudhë edhe duke vështruar përvojën e Nolit në ato pak muaj qeverisjeje, do të arrish në përfundimin se tradita shtetformuese, institucionet e shtetit dhe kuptimi për atdheun dhe heronjtë, nuk u u zgjidh përfundimisht. Disa shqiptarë donin atdheun që e lidhte ekzitencën me Stambollin dhe me kulturën islame, disa të tjerë donin atdheun që kishte si kult sloganin « fe e atdhe », disa të tjerë donin një Shqipëri moderne e perëndimore, po shumica e elitës që kishte ardhur nga shkrirja e administratës së Stambollit donin një çiflik dhe vijonin ta përfytyronin shtetin si një sistem që mbronte shpërblimet dhe pronat që ata kishin fituar në këtë vend si dhuratë nga Baba Dovleti. Me gjithë dëshirën për të ndërtuar një shtet të qëndrueshëm, mbreti Zog nuk ia doli që të linte si trashëgim institucione që do ta shenjtëronin kuptimin për atdheun. Heronjtë e shqiptarëve ishin të ndarë sipas territoreve. Në Veri lartësoheshin virtutet e atyre që kishin mbrojtur terrioret, në jug më së shumti lëvdoheshin bëmat e heronjve që kishin kundërshtuar taksat e Perandorisë. Në një pjesë tjetër të vendit heronj të tjerë sakrifikonin jetën për gjuhën dhe identitetin. Prapambetja e thellë kulturore dhe mungesa heronjve të institucioneve që ndërtojnë kuptimin për shtetin, e kishin bërë Shqipërinë një vend që kishte shumë zotër e zotërinj, por jo një autoritet të vetëm. Kriza që po vuajmë ne sot dhe që do të na ndjekë për shumë e shumë vite është mungesa e modelit. Që kur u shkëputëm nga Perandoria otomane e deri më sot, ne shqiptarët ende nuk e konceptojmë atdheun si një pasuri të përbashkët që ruhet e mbrohet nga institucione të qëndrueshme të cilat betohen në emër të tij. Ne kemi ndërtuar vetëm mundësi që shqiptarë të çmendur të marrin fuqi në emër të idealeve autoritariste dhe ta kthejnë gjithmonë shtetin në një vegël të tyre.

Krimi komunist dhe tradita që duhet respektuar

Ardhja e komunistëve në skenën shqiptare, diktatura që ata instaluan, krimet që kryen për të realizuar projektin e tyre janë një e vërtetë tragjike që nuk mohohet. Të gjitha janë pjesë e historisë sonë. Mirëpo, nëse sheh sot që 30 vjet pas rënies së komunizmit, ne po e zhbëjmë Shqipërinë në emër të lirisë për t’u pasuruar me çdo kusht, atëherë për një çast duhet të reflektojmë dhe na duhet të mendohemi thellë se përse atdheun e keq që na la Zogu, dhe atdheun super të keq që na la Enver Hoxha po e zhbëjmë fare dhe po e kthejmë në një çiflik të disa banditëve, hajdutëve, kriminelëve dhe po e bëjmë të pajetueshëm. Sot sfida që kemi të gjithë përpara është të ringrejmë institucionet që mbajnë në këmbë shtetin. Dhe për këtë ashtu, siç thonë të gjithë filozofët, duhet ta fillojmë me edukimin, po me edukimin dhe me shkollën. Ne duhet të përmirësojmë rrënjësisht kurikulat dhe përmbajtjen e shkollës në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të kuptojnë në radhë të parë se janë qytetarë të një vendi dinjitoz europian. Ne kemi nevojë të promovojmë heronjtë, ata njerëz që frymëzojnë shqiptarët duke i shërbyer atdheut. Policët, prokurorët, mjekët, ushtarakët e këtij vendi duhet të bëhen ëngjëjt tanë mbrojtës dhe jo ortakë me krimin e kriminelët. E dini çfarë ndodh te ne ? Në shkollën e policisë studentët që regjistrohen aty nuk e zgjedhin atë shkollë se do të ruajnë atdheun apo shqiptarët nga krimi, por se do të gjejnë një mënyrë që të bëjnë lekë. Historitë që tregohen aty nuk janë historitë e heronjve që na mbrojnë, por historitë e drejtorave apo shefave të policisë që janë bërë milionerë. Vendi dhe atdheu konceptohet nga të gjithë si një haur i madh apo si një lopë që duhet mjelë dhe si një mundësi që të bën të pasur mjaft që të kesh një vend në shtet. Ky degjenerim i llahtarshëm i kuptimit tonë për atdheun dhe për shtetin do të na katandisë si ato vendet afrikane që e kanë atdheun një mallkim.

Koncerti si një shpresë e vakët.

Më datën 18 tetor në mbrëmje këngëtaret e shquara Eda Zari dhe Elida Duni, së bashku me disa këngëtarë të tjerë shqiptarë që jetojnë jashtë vendit dhe ndonjë grup folklorik, dhanë një koncert për të sensibilizuar opinionin që të kundërshtojë ndërtimin e hidrocentraleve mbi Vjosë. Me moton « Mos ma prek Vjosën » ata vijuan protestën civile që patën nisur më parë me Valbonën përsëri me moton « Mos ma prek Valbonën ». Ajo që ndieva në atë koncert ishte jo vetëm ndjesia se shqiptarët kanë artistë të nivelit europian, por shqiptarët dinë edhe të protestojnë me kulturë. Në shesh kishte shumë njerëz dhe kishte sidomos të rinj. Ishin ata të rinjtë e bukur të këtij vendi që nuk përfaqësohen askund. Ishin ata të rinj që nuk identifikohen me asnjë institucion publik të këtij vendi. Shkolla shqiptare jo vetëm që nuk i frymëzon, por i lodh dhe i mërzit sepse është në një gjendje skandaloze. Televizioni publik nuk ju tregon Shqipërinë e vërtetë dhe nuk i nxit që ta duan këtë vend, por ashtu gërmadhë dhe mediokër si një qendër kulture fshati, i bën që ta harrojnë më shpejt këtë vend. Vetëm mbrëmë në një atmosferë që të kujtonte sheshet në Paris apo në Romë ata ndjeheshin ndryshe në këtë vend. Por vetëm kaq sepse pas kësaj ata do të duhet të khehen në Shqipërinë që jetojmë të gjithë, ku heronjtë e saj janë trafikantët që kontrollojnë policinë dhe lajtmotivi i zbavitjes së tyre është kënga e famshme « Baftjari ».

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit