Në sallën e teatrit të qytetit të përmbushur për plotë aderues të fjalës së shkruar dhe të mysafirëve nga Prishtina dhe Anamorava, të shtunën në Gjilan u promovua libri i ribotuar “Mulla Idris Gjilan dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore (1941-1951)”, të autorit, Muhamet Pirraku.
Tubimi promovues i këtij libri filloi me këndimin e një pjese Kuranore si dhe me intonimin e himnit kombëtar. Promovimi dhe ribotimi i librit të Muhamet Pirrakut ,“Mulla Idris Gjilanit dhe Mbrojtja kombëtare e Kosovës Lindore (1941-1951)”e bëri Këshilli i Bashkësisë Islame të Gjilanit. Andaj në fjalën përshëndetëse Naim ef. Aliu, ribotimin e librit të përmendur e arsyetoi nga se ishte nevojë imediate edhe për një ribotim, për të cilin kohë më parë kishin kërkuar popullata nga se ekzemplarët e botimit të parë të tij nuk kishin mjaftuar që t`i plotësojnë nevojat e lexuesve.Më pas Naim efendi Aliu përshëndeti të pranishmit e posaçërisht familjarët e Mulla Idrizit, të Myderis Haki efendi Sermaxhajt, të Mulla Nysret Hajdarit dhe të dëshmorëve të tjerë.
Përshëndetje e veçantë ishte për prezencën e Myftiut të Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava. Në vazhdim Naim efendi Aliu potencoi nevojën e krijimit të veprave në ndriçimin e personaliteteve të shquara të kombëtare dhe fetare të kësaj ane si: të Mulla Kadri Llashticës. Mulla Hasan Masuricës , të Hoxhë Lipovicës, Mula Avni Aliut e të tjerëve, për veprat e të cilëve shumë pak kemi bërë në këtë drejtim.
Në vazhdim Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava duke ngritur lartë personalitetin prej luftëtari, ideologu e atdhetari të pa shoq shëmbëlltyrën e Mulla Idris Gjilanit theksoi:”Lufta e imponuar nga armiqtë tan e shtyri popullin tonë për tu ballafaquar drejtpërdrejtë me armikun në mbrojtje të Atdheut. Gjatë historisë sonë shumë vëllezër dhe motra u diskriminuan. I torturuan, u vranë pa të drejtë nga armiku. Andaj Mulla Idris Gjilanin kjo si edhe shumë porosi kuranore të cilat ishin kalitur thellë në shpirtin dhe zemrën e tij që nga bangat e Medresesë Atik të Gjilanit e bënë atë luftëtar trim dhe një strateg të rrallë Lufte për çlirimin e Atdheut.
Ne sot vazhdoi myftiu Tërnava, po shpalosim vlerat dhe virtytet e hoxhës, edukatorit, para se gjithash virtytet e larta të birit të këtij vendi, i cili tërë jetën ia kushtoi edukimit, arsimimit dhe përparimit e mbi të gjitha organizimit dhe mbrojtjen me dinjitet të vendit të tij. Ai për këtë qëllim flijoi edhe jetën duke u bërë kurban i Atdheut, duke rënë shehid për të mos vdekur kurrë nga se dëshmorët nuk vdesin, por ata janë të gjallë.
Duke elaboruar për punën e Mulla Idris Gjilanit si Myfti, i Gjilanit, Myftiu i Republikës së Kosovës Naim ef. Tërnava, theksoi se Mulla Idrisi në punën e tij gjithherë kishte për bazë sheriatin. Kur flasim për Mulla Idris Gjilanin, kujtojmë njeriun që ishte i edukuar dhe i shkolluar që të jetë udhëheqës shpirtëror, dhe .. kur e thirri ora e Atdheut dha Kushtrimin për Atdhe, la vendin e tij dhe postin e Myftiut dhe rroki armët dhe u vu në ballë të popullit për mbrojtjen e tokës ,të cilën ia lanë amanet të parët, dhe u vu në mbrojtje të trojeve që ia kishte falur i madhi Zot.
Në Vazhdim muftiu Tërnava përmendi edhe luftën e Kikës legjendare duke theksuar se ne nuk jemi popull që rrimë duar kryq kur na sulmohet Atdheu. Mulla Idris Gjilani me punën dhe veprën e tij mbetet një shembull që duhet ndjekur se si jetohet, punohet dhe vdiset për fe dhe atdhe theksoi Myftiu i Republikës së Kosovës, Naim ef. Tërnava në përfundim të fjalës së tij.
Në Vazhdim të këtij tubimi promovues me ekspozetë e tyre për librin i paraqiten panelistët: Panelisti i parë i këtij tubimi promovues, Daut Bislimi në fjalën e tij paraqiti punën dhe veprën e Mulla Idris Gjilanit, i cili viteve 1943-45 ka lënë gjurmë të madhe në historinë kombëtare shqiptare në periudhën e vështirë për mbrojtjen e territoreve shqiptare gjatë luftës së dytë botërore. Është një nga personalitetet më të shquara në Anamoravë, në Kosovën lindore dhe më gjerë, për mbrojtjen dhe çlirimin e territoreve etnike shqiptare gjatë Luftës së dytë botërore në një periudhë ndër ma të rëndësishmet e historisë sonë kombëtare. Angazhimi i tij dhe besimi i bashkëmendimtarët e tij grumbulluan luftëtarët më të guximshëm, të cilët dëshmuan me sakrificën a tyre në luftën ndaj hordhive partizano çetnike në luftën e dytë botërore.
Daut Bislimi elaboroi shkurtimisht ecurinë e kundërshtimeve me aksione dhe me luftë aktivitetin e Mulla Idris Gjilanit si komandant trim e luftarak i pa trembur dhe shumë bashkëluftëtarëve të tij, kundër hordhive fashizoide të sllavo-komuniste të asaj kohe. Andaj personaliteti i Mulla Idris Gjilanit nuk duron, dhe nuk ka nevojë për fjalë të mëdha. Ai e ka veprën, të cilën vetëm duhet respektuar veprën e tij, të mendosh dhe të shkruash ndryshe për Mulla Idris Gjilanin është sikur të mendosh t`i lëvizësh Alpet shqiptare, theksoi në fund të ekspozesë së tij Daut Bislimi.
Panelisti i dytë në këtë tubim promovues, Sabile Keqmezi – Basha foli për veprën e Muhamet Pirrakut kushtuar Mulla Idris Gjilanit.
Në fillim ajo potencoi disa fjalë edhe për veprën voluminoze të autorit kushtuar këtij patrioti e luftëtari të denjë për mbrojtjen dhe lirin e trojeve etnike shqiptare të Kosovës Lindore.
Sabile Keqmezi- Basha paraqiti shëmbëlltyrën e Mulla Idrisit si një luftëtar, trim e hoxhë patriot, virtyte këto, të cilat i dëshmoi me punën dhe veprimtarinë e tij gjatë jetës e sidomos në vitet e fundit të Luftës së dytë botërore e deri në përfundim edhe të jetës së tij.
Panelisti i tretë, Aliriza Selmani në ekspozenë e tij theksoi disa ngjarje historike dhe dëshmi nga jeta dhe vepra e Mulla Idris Gjilanit gjatë periudhës jetësore të tij që nga lindja e deri në vdekje,një pjesë e të cilave theksoi se janë dëshmi okulare të pa shënuara dhe të pa botuara deri më tash.
Në fund këtë tubim e zbukuroi edhe paraqitja e këngëtarit popullor, Xhemajl Berisha me këngën, kushtuar Mulla Idriz Gjilanit, të cilën e këndoi vet autori.