-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

A po kapërcen Katari limitin amerikan në furnizimet me armë për opozitën siriane

Më të lexuarat

Shqetësimi i ndërkombëtarëve është armatosja e çlirimtarëve me raketa që kërkojnë nxehtësi dhe që lëshohen nga krahu. Në një situatë ekstreme, këto raketa mund të rrëzojnë me lehtësi avionët civilë dhe luftarak.

Ndërsa furnizimi i heshtur me armë për opozitën e Sirisë mori hov vitin e kaluar, qeveria e Shteteve të Bashkuara vazhdimisht iu lut aleatëve të saj arabë të mos dërgojnë në Siri një lloj arme të fuqishme dhe ta mbanin atë larg duarve të opozitës: bëhet fjalë për raketat nxehtësikërkuese të lëshuara nga krahu.

Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se këto raketa mundet që një ditë të përdoren nga grupet qe SHBA i klasifikon si “terroriste”, disa nga të cilët janë të lidhur me “Al Kaedën”, për të rrëzuar avionë civilë dhe luftarak.

Por një vend e injoroi këtë kërkesë: Katari, vendi i vogël i pasur me naftë dhe gaz, e ka bërë veten kombin më të rëndësishëm mik të forcave te opozitës që po luftojnë regjimet e kalcifikuara arabe. Ky vend ka dërguar armë te opozita e Sirisë, të cilët po luftojnë regjimin e Bashar al-Asad që nga viti 2011.

Që nga fillimi i vitit, sipas disa zyrtarëve amerikanë dhe të Lindjes së Mesme, Katari ka përdorur rrjete të errëta të tregtisë së armëve për të dërguar së paku dy ngarkesa me raketa krahu, një prej të cilave përbëhej nga raketa kineze FN-6. Raketat po përdoren nga opozita e Sirisë kundër forcave ajrore të Asad. Zyrtarët amerikanë mendojnë se vendimi i Obamës për të filluar një përpjekje të kufizuar furnizimin e opozitës me armë, mund të merret si miratim nga Katari dhe vendet e tjera, për të zgjeruar programet e dërgimit të armëve nga këto vende.

Përpjekjet agresive të Katarit për të fuqizuar opozitën e dobët të Sirisë janë thjesht lëvizja e radhës muskuloze e një vendi që po përdor pasurinë e vet për të dalë në ballë të shtetformimit në Lindjen e Mesme, gjë që ka hutuar si aleatët në rajon ashtu edhe miqtë në Perëndim. Strategjia pritet të vijojë, edhe pse udhëheqësi afatgjatë i Katarit, Sheiku Hamad bin Khalifa al-Thani, dha dorëheqjen javën e kaluar për t’i dhënë pushtetin djalit të vet 33-vjeçar.

“Ata godasin shumë përtej forcës së vet”, komentoi një diplomat perëndimor. “Ata nxjerrin çdokënd jashtë ekuilibri pasi nuk janë në xhepin e askujt. Ndikimi i tyre vjen pjesërisht për shkak se janë të paparashikueshëm në veprimet që ndërmarrin”, shtoi ai.

Obama, gjatë një takimi privat në Uashington në prill, paralajmëroi sheikun Hamad mbi rrezikun që mbart armatosja e “radikalëve” islamikë të Sirisë, megjithëse zyrtarët amerikanë kanë qenë të kujdesshëm të mos ushtrojnë shumë tepër presion mbi qeverinë e Katarit. “Siria është oborri i tyre dhe ata kanë interesat e veta për të ndjekur”, tha një zyrtar i administratës.

Zyrtarët e Katarit nuk iu përgjigjën kërkesave për komente. Shtetet e Bashkuara kanë shumë pak ndikim mbi Katarin sa i përket problemit të Sirisë për shkak se ata kanë nevojë për Katarin në fronte të tjera. Katari do të mikpresë bisedimet e paqes mes amerikanëve dhe afganëve nga njëra anë dhe lëvizjes Taleban në anën tjetër. Talebanët krijuan një zyrë politike në Doha, kryeqyteti i Katarit. Baza e komandimit të avancuar e Shteteve të Bashkuara në Katar i jep këtij vendi një bazë ushtarake në zemër të një rajoni të rëndësishëm strategjik.

Përpjekjet e fshehta të Katarit për të mbështetur opozitën e Sirisë filluan në të njëjtën kohë kur ky vend po mbështeste luftëtarët e opozitës në Libi, në përpjekje për të rrëzuar qeverinë e kolonelit Muamar el-Gadafi. Aftësia e këtij vendi për të qenë një lojtar në tregun e errët të armëve të botës u fuqizua në vitin 2008, kur bleu nga Boeing avionë të mëdhenj transporti C-16. Katari u bë me këtë vendi i parë në Lindjen e Mesme që ka avionë të qëndrueshëm dhe me rreze të gjatë veprimi.

Obama i bekoi në heshtje ngarkesat me armë që shkuan në Libi, pakti atje bëhej fjalë për mitraloza, automatikë, mortaja dhe municione, por zyrtarët amerikanë u shqetësuan më vonë kur u shfaqën shenja se Katari po u jepte armë edhe ushtarakëve islamikë atje.

Zyrtarët amerikanë dhe arabë po shprehin shqetësimin se diçka e tillë po ndodh edhe në Siri, ku islamikët në veri janë aktualisht seksioni më i aftë i opozitës, pjesërisht për shkak të furnizimeve më të bollshme me armë nga Katari.

Arabia Saudite së fundmi u përpoq të marrë kontrollin e situatës duke rritur rolin e vet në menaxhimin e transferimit të armëve drejt opozitës së Sirisë, por duket se nuk ka pasur shumë sukses në këtë drejtim. Shqetësimi më i madh lidhet me raketat e krahut – të cilat njihen si sisteme mbrojtëse ajrore të transportueshme nga njeriu – të cilat Katari ia dërgoi opozitës në fillim të këtij viti. Video të postuara në internet tregojnë rebelët në Siri me këto armë, përfshirë edhe modelin kinez FN-6.

Videot e para u shfaqën në shkurt dhe tregonin rebelët me raketat kineze. Këto raketa nuk qenë më herët të pranishme në konflikt dhe nuk dihet që ushtria e Sirisë të ketë pasur të tilla.

Zyrtarët dhe rebelët thonë se këto raketa u siguruan nga Katari, i cili i bleu nga një shitës i panjohur dhe i dërgoi përmes Turqisë. Një ngarkesë tjetër raketash të prodhuara nga blloku sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë, ishte marrë nga magazinat e Gedafit për t’iu dërguar opozitës.

Të dy ngarkesat qenë të vogla, thanë zyrtarët perëndimorë, jo më shumë se disa dhjetëra raketa. Dhe rebelët thanë se ato të prodhimit kinez qenë shumë defektoze e nuk ndizeshin. Për më tepër, raketat u panë në duart e Ushtrisë së Lirë të Sirisë, asaj pjese të opozitës që mbështetet nga amerikanët. Kjo tregon se së paku këto armë të fuqishme nuk i janë dhënë luftetarëve islamikë.

Zyrtarët amerikanë dhe arabë thonë se strategjia e Katarit është një përzierje e ideologjisë – familja sunduese beson në një rol të rëndësishëm të Islamit në jetën politike – me disa llogaritje gjakftohta. “Ata pëlqejnë të mbështesin fituesin”, tha një zyrtar i Lindjes së Mesme.

Në takimet me Obamën, udhëheqësit e Jordanisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, kanë shprehur shumë shqetësime mbi strategjinë e ndjekur nga Katari. Obama nga ana e tij paralajmëroi Sheikun Hamad se armët që ai po dërgon, mund të përfundojnë në duart e grupimeve të tilla si Fronti Nusra, një grup i shoqëruar me “Al Kaedën” që SHBA e konsideron organizatë terroriste.

“Është shumë e rëndësishme që Katari të kuptojë se Nusra nuk është organizata e vetme që mund ta destabilizoj situatën në Siri”, tha një zyrtar amerikan. “Kjo është një çështje sigurie kombëtare për ne dhe ata nuk duhet të marrin armatimet.”

Por Charles Lister, një analist i terrorizmit në Londër, tha se ka prova që Katari e ka shtuar mbështetjen për grupimet e vijës së ashpër në Sirinë e Veriut. Lister tha se nuk ka prova që të tregojë se Katari po armatos frontin Nusra, por tha se për shkak të dinamikave ekzistuese të militantëve, transferimi i armëve të Katarit në terren vështirë se mund të bëhet në mënyrë të tillë që grupet “ekstremiste” të mos përfitojnë.

“Është e pashmangshme që armët e furnizuara nga një shtet rajonal si Katari të përdoren së paku në operacionet e përbashkëta mes Ushtrisë së Sirisë së Lirë dhe frontit Nusra”, tha ai./GSH/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit