Besimi që ushtrimet janë të dobishme jo vetëm që i motivon njerëzit që të angazhohen në aktivitetin fizik, por ai mund ta rrisë efekt e dobishëm të ushtrimeve, tregon hulumtimi i ri.
Hulumtuesit në Gjermani zbuluan se njerëzit që besonin në përfitimet shëndetësore të çiklizmit argëtoheshin me ushtrimet më shumë dhe ishin më të relaksuar, duke e bërë aktivitetin potencialisht më të dobishëm në përgjithësi.
Për këtë studim, të publikuar në Journal of Behavioral Medicine, studiuesit i angazhuan 76 persona mes moshës 18 dhe 32 vjeçare, duke i caktuar ata në grupet të cilave u ishin treguar disa filma të shkurtër të cilët i tregonin efektet pozitive shëndetësore të çiklizmit, apo nuk i tregonin.
Nga pjesëmarrësit u kërkua gjithashtu që t’u përgjigjen sondazheve për mendimet e tyre rreth aktivitetit fizik para se të ushtronin për 30 minuta në një ergometër biçikletë. Hulumtuesit e përdorën elektroencefalografinë për ta matur aktivitetin e trurit të pjesëmarrësve derisa ata ushtronin në biçikletë.
Pjesëmarrësit të cilët tashmë mendonin se çiklizmi ishte i dobishëm argëtoheshin më shumë në ushtrime, kishin më shumë përmirësime në disponim dhe kishin më shumë reduktime të anksiozës.
Si ata që kishin shpresa të mëdha, pjesëmarrësit të cilët e shikuan filmin për përfitimet shëndetësore të çiklizmit ishin edhe më të relaksuar dhe kënaqeshin më shumë me aktivitetin.
Të dy grupet që ishin me një opinion më pozitiv kishin gjithashtu rritje më të mëdha në forcën alfa-2, ose sasinë e energjisë së përfituar gjatë aktivitetit fizik – duke sugjeruar se opinioni pozitiv i rritë përfitimet fizike të çiklizmit.
Derisa hulumtimi i ardhshëm do të fokusohet në atë se si ndikon mentaliteti në ushtrimet fizike gjatë ushtrimeve, studiuesit thonë se pritjet dhe disponimi me të cilin futemi në ushtrime mund ta kenë një efekt të rëndësishëm në përfitimet e ushtrimeve.
“Besimet dhe pritjet mund të kenë pasoja afatgjata, për shembull në motivimin tonë për t’u angazhuar në sport”, tha dr. Hendrik Mothes, psikolog dhe studiues në departamentin e shkencave sportive në Universitetin e Freiburgut, në një deklaratë për shtyp. “Ato mund të jenë një faktor përcaktues në atë nëse mund ta aktivizojmë veten që të shkojmë në vrapim përsëri herën tjetër apo të vendosim të qëndrojmë në shtëpi të shtrirë në divan”.