-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Politika e jashtme e SHBA nuk do të ndryshojë

Më të lexuarat

Presidenti i SHBA Barack Obama ka vendosur dy të besuarat e tij në pozicionet më të larta të sigurisë në administratën. Por analistët thonë se emërimet e reja nuk do të sjellin ndryshim në politikat e jashtme të SHBA.

Emërimi i Susan Rice si këshilltare për sigurinë kombëtare dhe vendimi për të zëvëndësuar atë me avokaten e të drejtave të njeriut Samantha Power si ambasadore e SHBA pranë Kombeve të Bashkuara, nuk ishin aspak një suprizë dhe sipas analistëve, në politikën e jashtme të SHBA priten pak ndryshime.

“Unë nuk do të prisja ndonjë ndryshim revolucionar nga këto emërime”, thotë Anthony Dworkin, këshilltar për politikën e jashtme në Këshillin Europian.

Nën administratën e Obamës Shtëpia e Bardhë është kthyer në qendrën vendim-marrëse të politikave të jashtme. Rice dhe Power nuk do ta ndryshojnë këtë. Të dyja kanë bërë pjesë në administratën e Obamës. Emërimi i Rice e mban akoma më shumë vendim-marrjen e politikave të jashtme brenda mureve të Shtëpisë së Bardhë.

Politika e jashtme nuk do të ndryshojë

Zgjedhja e Obamës tregon se kërkon të mbajë këtë politikë të jashtme, që është duke ndjekur edhe tani. Sipas Alexandra de Hoop Scheffer, drejtoreshe e zyrës së Parisit për Fondin Marshall Gjerman të SHBA, Obama e bëri të qartë një gjë të tillë, kur njoftoi emërimet.

“Kjo për mua është doktrina e Obamës: Ne duhet të luajmë një rol të rëndësishëm në skenën ndërkombëtare, por duhet të përdorim me zgjuarsi fuqinë tonë. Unë mendoj se ky ishte një mesazh i qartë edhe për Susan Rice, që nënkupton se emërimi i saj nuk do të thotë një politikë e re.”

E njëjta gjë vlen edhe për Power. Si ish-gazetare ajo ka fituar çmimin Pulitzer në vitin 2003 me librin e saj “A Problem From Hell: America and the Age of Genocide”, që ishte një analizë e politikave të jashtme të SHBA përmes genocidit në shekullin e 20-të. Ajo ka qenë një nga këshilltaret kryesore të Obamës, sa i përket çështjeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.

Vështirësitë me konfliktin sirian
Si Rice ashtu edhe Power janë avokate të një ndërhyrjeje të vendosur të Amerikës në zonat me konflikte për arsye humanitare dhe ishin mes atyre, që ndikuan në vendimin e Obamës për të aprovuar ndërhyrjen e forcave të NATO-s në Libi. Ato janë mjaft të ndjeshme për çështjet e të drejtave të njeriut, por edhe realiste njëkohësisht, thotë Dworkin.
“Ato janë të ndjeshme në kontekstin politik dhe përpiqen të jenë realiste për atë, që mund të arrijnë. Unë pres një diskutim realist, por që nuk do të harrohen as dimensionet humanitare.”
Gjithsesi, sipas Scheffer, nuk pritet të ketë një ndryshim në pozicionimin e Obamës ndaj Sirisë. “Ai është i vetmi, që i jep formë politikës së jashtme të SHBA dhe pavarësisht se ka emëruar dy gra me personalitet të fortë, nuk mendoj si ai do të ndyshojë pozicionimin e tij ndaj Sirisë.”
Siria nuk është Libia

Obama ka hezituar për të ndërhyrë në konfliktin sirian. Situata është gjithashtu e ndryshme nga ajo e vitit 2011 në Libinë e Moammar Gadhafit. “Rice ka kuptuar se ajo, që funksioni në Kosovë ose Libi, nuk do të funksionojë më në Siri. Prandaj në këtë çështje ajo do të jetë në një linjë me Obamën”, thotë Scheffer.
Përveç kësaj në Siri ka ende shumë të panjohura, si përshembull kush qëndron mbrapa kryengritësve. “Situata në Siri është mjaft komplekse dhe kjo ndikon tek vendimi i SHBA. Vendimet nuk mund të merren lehtësisht. Unë mendoj se ata kanë frikë që armët do të përfundojnë në duar të gabuara dhe do të krijohej një zonë e re terrorizmi, gjë që SHBA nuk e do”, thotë Dworkin.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit