-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Kuptimi i drejtë i fjalëve të Allahut dhe të Pejgamberit (a.s)

Më të lexuarat

Baza e të kuptuarit të fjalëve të Allahut dhe të Muhamedit (alejhi selam) është që t’i marrim ato siç vijnë në kuptimin e jashtëm, në mënyrë të drejtpërdrejtë. Nuk lejohet që të merren kuptime tjera nga ai i drejtpërdrejtë, vetëm nëse ka argument tjetër që na lejon të marrim kuptimin jo të  drejtpërdrejtë. Një nga shkaqet e devijimit të bidatçinjëve është se kanë marrë fjalë të tjera që e kundërshtojnë kuptimin e drejtpërdrejtë, pa pasur argument.

Fjalët në përgjithësi ndahen ne dy grupe:

  1. Fjalë që kuptohen nga shqiptimi (nuk ka nevojë për sqarime), si të tilla nuk lejohet të komentohen me një fjalë që e kundërshtojnë kuptimin e drejtpërdrejtë.
  2. Fjalë që nuk kuptohen vetëm me një kuptim, por mund të kenë edhe më shumë kuptime.

Pra, kur vjen një fjalë, ne fillimisht e marrim kuptimin e jashtëm.

Që të jetë më e qartë, marrim disa shembuj:

Fjala ajn e arabishtes e përkthyer sy ka shumë kuptime si: sy, burim i cili del nga toka apo njeri. Kuptimi i parë duhet të jetë syri dhe nuk lejohet të komentohet ndryshe, vetëm nëse ka argument sqarues që tregon se nuk e ka për qëllim syrin.

Çështjet e sheriatit kanë nevojë për argumentim sheriatik apo logjik të fortë që mos të merret kuptimi i parë që vjen nga shprehja. P.sh. Allahu në suren Jusuf thotë: “Pyetni fshatin” dhe këtë secili njeri që posedon mendje e kupton se e ka për qëllim fshatarët e jo drurët, shtëpitë apo gjëra të tjera. Ky është argumentim logjik që na bën ta kuptojmë tekstin jo në formën e jashtme, jo në mënyrë të drejtpërdrejtë.

Shembull tjetër është rasti i mbretëreshës Belkisë, e cila është përmendur në Kuran, kur shkoi pupëza (Hud Hud) dhe e pa pushtetin e Belkisës e tha: Në të vërtetë unë gjeta një grua që po i sundonte ata (popullin e Sebeit) dhe asaj i ishte dhënë çdo send, e ajo kishte një fron të madh.” Neml, 23. Po të ishte kështu siç duket ne formën e jashtme, atëherë ku do të mbetej pushteti i Sulejmanit?! Pra, ky tekst e të tjera si ky nuk kuptohen drejtpërdrejt dhe çdo njeri i shëndoshë i kupton si të tilla.

Ekziston dallim mes fjalës tefsir dhe teuil, pasi nuk e kanë kuptimin e njëjtë.

Imam Taberiu ishte i pari i cili shkroi komentin e Kuranit dhe e quajti teuil.

Dallimi në mes  tyre është:

Tefsir është qartësia e një gjëje, ndërsa teuil është diçka që të orienton drejt një realiteti të caktuar.

P.sh. “(Përkujto) Kur Jusufi, babait të vet i tha: ‘O babai im, unë pashë (në ëndërr) njëmbëdhjetë yje dhe Diellin e Hënën, i pashë duke më bërë mua sexhde’”Jusuf, 4. Më pas e kuptoi që për qëllim ishin 11 vëllezërit, nëna dhe babai i tij. Pra ëndrra e çoi drejt një realiteti i cili u zbulua më pas.

Apo ajeti “A mos po e presin teuilin e Kuranit ata”, pra jobesimtarët do ta shohin realitetin e tij në Ditën e Gjykimit, edhe pse e mohojnë një gjë të tillë në këtë botë.

Ky është kuptimi i selefëve për këto termave, ndërsa bidatçinjtë erdhën dhe e kuptuan fjalën e Allahut dhe të Pejgamberi të tij Muhamedit (alejhi selam) me kuptime të tjera nga kuptimi i vërtetë të cilin e kishin selefët (të parët e umetit).

Nëse pyeten se ku i merrni këto kuptime të ajeteve dhe haditheve thonë ky është teuil, në këtë mënyrë luanin me tekstin dhe e lanë të kuptuarit e drejtpërdejtë të Kuranit, kundërshtonin kuptimin e drejtpërdrejtë pa argument.

Dijetari i Islamit Ibn Kajim el Xheuzi në librin e tij “Vetëtima e dërguar kundër xhehmive dhe mutezilëve” pasi e përmend tagutin dhe 4 llojet e tij, cek se njëri nga tagutët është edhe teuili, i cili e ka prishur fenë e Allahut.

Në këtë mënyrë na ua bë e qartë teuili, ndërsa më pas do të njihemi me teuilin e saktë të cilin e kishin selefët (të parët e umetit).

Kushtet e teuilit të saktë

Ekzistojne tre kushte për pranimin e teuilit:

  1. Teuili të jetë në përputhje të plotë më thënësin e thënies (Allahun).

Që të jetë më e qartë marrim një shembull, fjala e Allahut  “Nuk i takon (la jembegi)Allahut që të marrë për vete fëmijë” Nuk lejohet të komentohet fjala “la jembegi” si diçka që është mekruh, sepse kjo është në shkallën më të lartë të ndalesës. Gjithashtu si nënkusht i teuilit është që  ajo fjalë të përdoret në popull, pra të jetë e njohur si e tillë dhe nuk ka vend për kuptim tjetër.

P.sh. Kur ehli suneti u argumentuan me fjalën e Allahut “Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara) që Zotin e tyre e shikojnë.” Kijame, 22-23, është argument që Allahu do të shihet në xhenet. Mutezilët (një sekt e që i devijon kuptimet e teksteve) thanë (nadhira) e ka për qëllim pritjen (intedhira), e kështu komentuan pa argument. Për kotësinë e këtij mendimi na mjafton hadithi i saktë nga Pejgamberi (alejhi selam) i cili thotë se do ta shihni Allahun siç shihet Hëna dhe Dielli. Kjo nënkuptohet edhe nga gjuha arabe që ka qëllimin e të parit e jo të pritjes.

Krahas kësaj ka edhe argumente logjike, sepse ne e dimë që pritja është një lloj mundimi dhe lodhje, e në Xhenet nuk do te ketë mundim. Gjithashtu në këtë rast ajeti flet për gëzimin e banorëve të xhenetit e jo për dënimin e tyre.

  1. Që një fjalë e caktuar në vend të caktuar e ka për qëllim një gjë të caktuar.

P.sh. Fjala dorë (jed) në gjuhën arabe kuptohet si dorë. Mutezilet dhe esharinjtë thonë që dora e Allahut ka për qëllim fuqinë e Allahut dhe u argumentuan me  një  ajet ku  Allahu thotë “Ne e ngritëm qiellin me dorën tonë”, mirëpo ka tekste të tjera që dëshmojnë se Allahu ka dorë (edhe pse këtu e ka kuptimin edhe të dorës). Argument  për ekzistimin e kësaj cilësie është “Dy duart e Tij janë gjerësisht të shtrira” Maide, 64.

Gjithashtu, fjala të Dërguarit (alejhi selam): “Ademi u krijua nga dora e Allahut”, nëse do të kishte kuptimin e fuqisë nuk do të cekej si diçka e veçantë, sepse ne e dimë që të gjitha gjërat janë të krijuara me fuqinë e Allahut, por këtu vjen në shprehje e veçanta e Ademit i cili u krijua nga dora e Allahut. Në fund themi se në vend të caktuar shprehja ka kuptim të caktuar.

  1. Teuili me analogji (kijas)

Në këtë rast kijasi duhet të jetë i qartë dhe mos të ketë vend për shumë kuptime (jo i fshehur). Nëse dihet që një gjë për shkak të kësaj është bërë haram apo hallall dhe në të nuk ka keqkuptime, atëherë lejohet të bëhet teuili me kijas. Pra, shkaku këtu është njësia matëse.

P.sh. Alkooli është bërë haram sepse deh dhe dehja është shkak i ndalimit. Ne marrim cilësinë “deh” dhe e vendosim në çdo gjë që e ka këtë cilësi dhe në këtë mënyrë bëhet haram dhe kjo quhet kijas i qartë. Mirëpo nëse nuk dihet shkaku i ndalimit apo lejimit, atëherë dijetarët janë ata që e hulumtojnë një gjë të tillë dhe ky quhet kijas jo i qartë, i fshehur.

Husein es Serraxh

Përktheu: Erion Sula

29.09.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit