-4.6 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Dy apo katër xhenete

Më të lexuarat

Allahu i Lartësuar në suren Rrahman thotë:

“E, për atë që i patë frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhenete.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

(Xhenete) plot degë me gjethe e pemë.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Në ata të dy janë dy kroje që rrjedhin.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Në ata të dy, prej të gjitha pemëve ka nga dy lloje.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Të mbështetur në kolltukë që i kanë mbulesat e kadifesë, dhe pemët e atyre dy xheneteve janë krejt afër.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Aty janë ato që përqëndrojnë shikimet e tyre (vetëm në burrat e vet) e që nuk i ka prekur kush para tyre, as njerëz, as xhinë.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Ato janë si xhevahiri e diamanti (të kuqerremta në të bardhë).

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër përveç të mirës?

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

E nën ato dy (xhenete) janë edhe dy xhenete.

Po cilën të mirë nga të Zotit tuaj po e mohoni?

Nga gjelbërimi i shumtë duken të mbyllura në të zezë.

E, cilën nga të mirat e Zotit tuaj po e mohoni?

Aty janë dy burime që gjithnjë gurgullojnë.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Aty, në ata të dy, ka hurma dhe shegë.

E cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Aty janë ato (gra) të ndershme e të bekuara.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Ato janë hyri që e kufizojnë të qëndruarit vetëm në shtëpinë (tënde).

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Ato nuk i ka prekur kush para tyre, as njeriu as xhini.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni?

Aty rrinë të mbështetura në mbështetëse të gjelbërta e shtroja të bukura.

E, cilën të mirë të Zotit tuaj po e mohoni.

I lartësuar është emri i Zotit tënd, të Madhëruar e të Nderuar!

Emri xhenet është emër i përgjithshëm që do të thotë se në këtë kuptim hyjnë të gjitha xhenetet. Pra, fjala xhenet është një emër me të cilën quhet të gjitha ato vende atje në të cilat ka kopshte, vendbanime dhe pallate.

Gjithashtu, ajo është disa lloje e kategori, ashtu siç vërtetohet në hadithin e Enesit (radijallahu anhu) kur Umu Harithe e pyet Profetin (salallahu alejhi ue selem) për  të birin e saj, pasi ishte mbytur, se a është në xhenet? Resulullahu (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) thotë: “O Umi Harithe, a mendon se xheneti është një? Jo, ato janë shumë, kurse djali yt e ka fituar Firdeusin e lartë (kategorinë më të lartë të xhenetit).” (Tansmeton Buhariu)

Por, për nga esenca ai është dy llojesh, siç sqarohet në dy sahihat (Buhariu dhe Muslimi) në hadithin e Musa Eshariut (radijallahu anhu) ku thotë Profeti (salallahu alejhi ue selem): ”Janë dy xhenete që enët dhe zbukurimet i kanë nga ari dhe dy xhenete që enët dhe zbukurimet i kanë nga argjenti dhe nuk ka, në kopshtin e Adnit, pengese ndërmjet tyre për të shikuar Zotin e tyre, përveç Petkut të Madhështisë që është në Fytyrën e Tij.”

Allahu i Lartësuar në suren Rrahman thotë: “E, për atë që i patë frikën paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhenete.” (Rrahman, 46)

Pastaj thotë: “E nën ato dy (xhenete) janë edhe dy xhenete (të tjera).” (Rrahman, 62)

Pra, ndërkohë që më lartë përmendëm se për nga esenca janë dy xhenete, në këto dy ajete  përmenden katër. Dijetarët për këtë kanë disa komente:

Muhamed Ali Tirmidhiu rreth komentit të ajetit thotë: “E, për atë që i patë frikën paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhennete.” (Rrahman, 46) Është fjala se ai do të shpërblehet me dy xhenete, një xhenet për shkak të frikës ndaj Allahut dhe një për shkak të largimit nga epshet e tij.”

Transmeton Ibën Abasi nga Profeti (salallahu alejhi ue selem): “Dy xhenete, është fjala dy kopshte në mes të xhenetit. Ççdo kopsht e ka gjerësinë sa të ecësh një vit. Në mes të secilit kopsht është një shtëpi e cila është dritë mbi dritë. Nuk ka asgjë nga ajo e që nuk gufon nga begatia dhe gjelbërimi. Themeli i asaj shtëpie është i fortë dhe pemët e saj janë me fruta.” Të njejtën e transmetojnë edhe Hereviu dhe Thalebiu nga Ebu Hurejre.

Disa të tjerë thonë se njëri xhenet është fjala për katin e poshtëm të pallatit të xhenetit, kurse tjetri kati më i lartë i pallatit.

Kurse në thënien e Allahut: “E nën ato dy (xhenete) janë edhe dy Xhenete ( të tjera).” (Rrahman, 62) Ibën Abasi thotë se ai do të ketë edhe dy xhenete të tjera, përveç dy të parave. Ai e komenton fjalën “… nën ato dy “ do të thotë se ato dy xhenete të tjera do të jenë më poshtë në kategori apo shkallë.  Dy xhenetet e para që do të jenë për ata që i patën frikën Allahut dhe në to do të ketë pemë dhe hurma, kurse në dy të tjerat do të kenë të mbjellura e perime.

Maverdiu thotë: “Është e mundur se dy xhenetet e tjera, që do të jenë nën të parat, janë për shërbëtorët e tij, njëri për huritë, tjetri për djelmoshat (që do të jenë shërbëtorë të xhenetlinjëve). Pra, do të ndahen meshkujt nga femrat.”

Disa të tjerë kanë thënë se ajeti “E nën ato dy (xhenete) janë edhe dy xhenete (të tjera)” ka për qëllim vendbanimet e atyre xhenetlinjëve që do të jenë nën gradën e të parëve.

Ibën Xhurejxhi thotë se janë katër xhenete: dy xhenete për ata që do të jenë të parët më të merituarit (sabikunët apo mukerrebunët, ashtu siç i quan Kurani) të cilët do të kenë prej të gjitha pemëve nga dy lloje, dy lumenjë rrjedhës. Kurse dy xhenetet e tjera për të djathtët (as`habul jemin, të cilët janë xhenetlinjë, por nën gradën e sabikunëve), në të cilat do të kenë fruta, hurma, shegë dhe dy lumenjë duke gurgulluar.

Ibën Zejdi thotë: “Dy të parat janë nga ari për mukerrebunët, kurse dy të tjerat nga argjenti për të djathtët (as`habul jemin).”

Kurtubi thotë: “Këtë mendim e zgjodhi Ebu Abdilah hasen ibën Husejn Halimi në librin e tij “Minhaxhu din” dhe argumentoi me atë që transmetoi Seid bin Xhubejr nga Ibën Abazi në ajetin: “E, për atë që i patë frikë paraqitjes para Zotit të vet, janë dy xhenete.”  deri tek ajeti 64 i surës Rrahman. Pastaj tha: “Dy të parat janë për sabikunët dhe dy të tjerët janë për të djathtët (as`habul jemin). Edhe nga sahabiu Musa Eshari transmetohet e njejta.

Ibën Kajimi (Allahu e mëshiroftë!) thotë: “Një grup kanë thënë se fjala “E nën ato dy (xhenete)” është për qëllim se ato dy janë më afër Arshit, prandaj ato do të jenë mbi dy të tjerat. Kurse të tjerët kanë thënë se për qëllim është nën ato dy. Kjo është më e saktë në gjuhën e arabëve, pasi në transmetime të sakta fjala ‘dune’- ‘nën’ nënkupton të kundërtën ‘feuk’-‘lart’.”

Nga forma e të shprehurit në këto ajete, ku përmenden dy xhenetet e para pastaj dy xhenetet tjera, aludojnë se dy të parat janë më të vlefshme se të të tjerat, kjo nënkuptohet kështu duke e parë në disa apekte:

E para: Për dy të parat Allahu i Lartësuar thotë: “(Dy xhenete) plot degë me gjethe e pemë.” (Rrahman, 48). Kur thuhet në ajet ‘dheuata efnana’, fjala ‘fenan’ e arabishtes mund të jetë shumësi i ‘fenen’ që ka kuptimin degë, apo mund të jetë shumës i ‘fen’ që ka kuptimin lloj; d.m.th: lloje të ndryshme të fruteve dhe të tjera. Kurse për dy xhenetet e tjera nuk përmenden këto lloje të begative.

E dyta: Pastaj në ajetin tjetër thuhet: “…në ato dy xhenete (të para) janë dy kroje që rrjedhin.” (Rrahman, 50), kurse në dy xhenete të tjera thuhet “Aty janë dy burime që burojnë” (Rrahman, 66) që do të thotë: del nga burimi. Dihet se rrjedhja (që përmendet në dy të parat) është më e lavdëruar se vetëm burimi pasi me rrjedhje nënkuptohet edhe burim, pra begatia është më e plotë në të parën.

E treta: “Në ata të dy (të parat), prej të gjitha pemëve ka nga dy lloje”, kurse për dy të tjerat thuhet: “Aty, në ata të dy, ka hurma dhe shegë”, nuk ka dyshim se e para është më e lavdëruar dhe e plotë.

Disa kanë thënë se dy lloje është për qëllim të terur dhe të të freskët, por kjo thënie nuk është e fuqishme. Disa të tjerë kanë thënë dy lloje frutash do të thotë: njëri lloj i njohur, tjetri i panjohur. Kurse disa të tjerë kanë thënë se janë dy lloje dhe janë ndalur aty, duke mos u zgjeruar më shumë në çfarë forme dallojnë ato. Vërehet se për qëllim këtu është dy lloje frutash si dallimi në shije si: e ëmbël, e gjelbët, pastaj e bardhë, e kuqe, për shkak se ndryshimi i llojeve të frutave është më tërheqëse dhe e shijshme për syrin dhe gjuhën.

E katërta: Për banorët e dy xheneteve të para thuhet: “Të mbështetur në kolltukë që brendësitë e tyre janë nga mëndafshi…” (Rrahman, 54), kjo na jep të kuptojmë se derisa brendësitë e tyre janë nga mëndafshi, atëherë ana jashtme e këtyre kolltukëve, pra mbështjellësit e tyre, duhet të jenë me materiale shumë më të çmuara. Kurse për banorët e dy xheneteve të tjera thuhet: “Aty rrinë të mbështetura në mbështetëse të gjelbërta e shtroja të bukura.” (Rrahman, 76) Me fjalën mbështetëse nënkuptohet për ndenja, tapete, kolltuqe. Sido që të jetë nuk është përshkrimi kolltuqeve në këtë ajet, sikurse në ajetin e mëparshëm.

E pesta: “… dhe pemët e atyre dy xheneteve (të para) janë krejt afër.”(Rrahman, 54), do të thotë se janë afër lehtë të merren, ashtu si të dëshirojnë, kurse kjo nuk është përmendur në të tjerat.

E gjashta: Hyritë (gratë e xhenetlinjëve) e banorëve të dy xheneteve të para përshkruhen kështu: “Aty janë ato që përqëndrojnë shikimet e tyre vetëm në burrat e vet)….” (Rrahman, 56), do të thotë: vetëm në burrat e vet dhe ato nuk shprehin interesim për dikë tjetër. Kurse për hyritë e banorve të dy xheneteve  të tjera thuhet: “Ato janë hyri që e kufizojnë të qëndruarit vetëm në shtëpi.” (Rrahman, 72). Ato që e përkufizojnë vetën me burrat e tyre është më e plotë se ato që e kufizojnë vetën me diçka tjetër përveç burrave, ku në këtë rast përmednet shtëpia.

E shtata: Në të parat ato përshkruhen se janë të bukura si xhevahirët dhe diamantët, kurse në tjetrin kjo nuk përmendet.

E teta: “A mund të jetë shpërblimi i veprës së mirë diçka tjetër, përveç të mirës?” (Rrahman, 60) Kjo aludon se grupi i parë, të cilët do të jenë në dy xhenetet e para, do të shpërblehen me të mirë, pasi edhe ata kanë qenë të mirë në plotkuptim të fjalës.

E nënta: Po kuptohet se ata që i frikësohen Allahut do të përfitojnë këto shpërblime, kurse ata që i frikësohen janë dy kategori: mukarrebunët (sabikunët) dhe të djathtët (as`habu jemin).

Husein es Serraxh

Përktheu: Alaudin Abazi

19.05.2006

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit