Fjalimi kuranor karakterizohet se është fjalim i cili mbledh mes frikës dhe shpresës, mes kërcënimit dhe inkurajimit, premtimit dhe ndëshkimit, përgëzimit dhe paralajmërimit, mes punës për këtë botë dhe drejtimit për në botën tjetër. Ai është fjalim mesatar, u cili u drejtohet të gjitha aspekteve të njeriut. Nuk përqëndrohet në një aspekt dhe e braktis aspektin tjetër, por i përfshin të dy ashtu siç është e përshtatshme.
Jobesimtarët fituan ndaj muslimanëve në betejën e Uhudit, ku shumë prej muslimanëve u plagosën, ndërsa numri i të vrarëve i kalonte shtatëdhjetë. Jobesimtarët i thyen disa dhëmbë të Dërguarit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, madje e plagosën në fytyrën e tij të ndershme. Ata mund të bënin edhe më shumë, por Allahu i shpëtoi muslimanët. Muslimanët u ndikuan shumë nga rezultatet e asaj beteje dhe menduan se ndihma nuk do t’u vinte më. Allahu i Lartësuar ka sqaruar se ndihma dhe disfata u nënshtrohen ligjeve të pandryshuara. Ai thotë: “Para jush kanë kaluar shumë shembuj (popujsh nga ndjekësit e profetëve që iu ndodhi ajo që po ju ndodh edhe ju). Prandaj udhëtoni nëpër botë dhe shihni si ishte fundi i atyre që i përgënjeshtruan Profetët.” (Ali Imran, 137)
Prej ajeteve të cilat kanë zbritur pas betejës së Uhudit është edhe ky ajet, në të cilin Allahu i Lartësuar thotë: “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.” (Ali Imran, 139)
Ky ajet ka zbritur për t’ua lehtësuar muslimanëve atë që u ndodhi dhe kërkon prej tyre që mos t’i dorëzohen dobësisë dhe disfatës e as të mos dëshpërohen nga ndihma e Allahut, por të ballafaqohen me situatën me fuqi, përmbajtje dhe gjakftohtësi, ngase pozita e tyre në këtë botë dhe në botën tjetër është më e lartë dhe më e ndershme sesa pozita e pasuesve të së kotës dhe të humbjes.
Komentuesit e Kuranit kanë transmetuar dy lajme lidhur me shkakun e zbritjes së këtij ajeti, të cilat zbulojnë rrethanat në të cilat ka zbritur ajeti dhe hedhin dritë mbi kuptimin e ajetit.
Lajmin e parë e transmeton Taberiu, në tefsirin e tij nga Zuhriu, i cili ka thënë: “Në mesin e shokëve të Muhamedit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, është shtuar numri i të vrarëve dhe i të plagosurve, derisa secilin prej tyre e kaploi dëshpërimi, e Allahu zbriti “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. ” Ky ajet ka ardhur si ngushëllim për shokët e të Dërguarit, si inkurajim për ta që të luftojnë kundër armiqve të tyre si dhe premtim për ta për mbështetje dhe fitore kundër armiqve.
Lajmi i dytë, gjithashtu i transmetuar nga Taberiu nga Ibn Abasi, Allahu qoftë i kënaqur me të dy, i cili ka thënë se erdhi Halid b. Velidi – para se të përqafonte Islamin- dhe deshi të ngjitej mbi ta në bjeshkën e Uhudit, i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, tha: “O Allah! Mos të lartësohen mbi ne”, dhe zbriti ajeti “Mos u ligështoni dhe mos u pikëlloni, sepse ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë. ”
Ky transmetim ka ardhur gjithashtu nga rruga tjetër, në të cilën jepen shpjegime më të hollësishme rreth ngjarjes. Shokët e të Dërguarit kur u mposhten ditën e Uhudit, thanë: “Ç’u bë me filanin? Ç’u bë me filanin? Dhe nisën të njoftojnë njërin-tjetrin për të vdekurit. Gjithashtu përmendën se edhe i Dërguari i Allahut ishte vrarë, me ç’rast u pikëlluan dhe mërzitën shumë. Përderisa ishin kështu, Halid b. Velidi u ngjit në bjeshkë dhe jobesimtarët ishin sipër tyre. Shokët e Pejgamberit e vërejtën të Dërguarin dhe u gëzuan shumë, ndërsa i Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, lutej: “O Zoti ynë! Ne nuk kemi fuqi tjetër pos Teje dhe nuk do të ketë kush të të adhurojë Ty në këtë vend pos këtij grupi njerëzish.” Një grup muslimanësh u ngjitën në bjeshkë dhe filluan t’i gjuanin kalorësit jobesimtarë derisa i mposhti Allahu, ndërsa muslimanët u ngjitën në bjeshkë. Allahu i Lartësuar zbriti fjalën e Tij: “… ju, gjithsesi jeni më të lartët, nëse jeni besimtarë të vërtetë.”
Allahu e mbajti premtimin, e ndihmoi robin e Vet dhe i mposhti idhujtarët. I Dërguari, lavdërimi dhe paqja e Allahut qoftë mbi të, pas betejës së Uhudit, në çdo betejë tjetër dilte fitimtar dhe ngadhënjimtar ndaj armiqve.
Dobia nga shkaku i zbritjes së këtij ajeti është që të sqarohet ligji i Allahut për luftën ndërmjet besimit dhe mosbesimit, së vërtetës dhe së kotës dhe se fundi u takon të devotshmëve, ndërsa nënçmimi dhe përulja jobesimtarëve. Edhe pse në shikim të jashtëm çështja mund të duket ndryshe, kjo është joshje për jobesimtarët ndërsa sprovim për besimtarët. E kota e ka një udhëtim, mirëpo shumë shpejt shuhet, mposhtet dhe dështon. Këtë e vërtetojnë edhe ndodhitë historike si në të kaluarën ashtu edhe në të sotmen.
Çështja thelbësore pas shkakut të zbritjes së këtij ajeti qëndron në atë se muslimanët duhet të vetëdijesohen dhe të marrin mësim nga beteja e Uhudit dhe nga ligjet e Allahut në Tokë, të mësojnë se ligjet e Allahut te krijesat e Tij vazhdojnë e nuk ndërpriten, ato nuk ndryshojnë dhe se gjërat nuk shkojnë rastësisht, por ato ndjekin ligje të caktuara dhe të qëndrueshme. Nëse muslimanët i mësojnë dhe i kuptojnë domethëniet dhe veprojnë sipas tyre, pa dyshim se ndihma dhe suksesi do të jenë në anën e tyre. Ndërsa prej ligjeve më të rëndësishme është se ndihma dhe suksesi gjithnjë është në anën e atyre që u binden dhe respektojnë ligjet e Allahut dhe veprojnë sipas udhëzimit të Pejgamberit të Tij: “E, nëse i bindeni atij, do të jeni në rrugën e drejtë.” (Nur, 54)
Përgatiti: Almedin Ejupi
31.5.2009