-4.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Shkurorëzimi

Më të lexuarat

“Martohuni por mos u shkurorëzoni meqë All-llahu nuk i don ata burra e ato gra të cilët janë të varur nga kënaqësitë e tepërta (pasionet).” Muhammedi alejhi selam

Shkurorëzimi gjatë historisë

Në të drejtën e vjetër egjiptiane, që dihej se i respektonte të drejtat e grave, shkurorëzimi ishte nën autoritetin e burrit. Duhej që burri vetëm t’i paguajë një shumë të hollash gruas së tij. Pas invazionit maqedonas në Egjipt, sistemi juridik iu afrua atij grek, ndaj të drejtë shkurorëzimi iu dha edhe grave.

Sipas ligjeve të Hamurabit, shkurorëzimi, është e drejtë e burrit. Gruaja fiton vetëm një lloj dëmshpërblimi, në para ose në diç tjetër, e kjo varet nga posedimi ose mosposedimi i fëmijëve. Nëse gruaja është shkaktare e shkurorëzimit, duke bërë ndonjë gabim, burri nuk është i obliguar të paguajë diçka dhe ta lëshojë ate ose pa e shkurorëzuar do ta shfrytëzojë si robëreshë, e mund të martohet me ndonjë grua tjetër.

Në të drejtën kineze, shkurorëzimi mund të bëhet vetëm me marrëveshje të dyanshme dhe me aprovimin e dy palëve. Burri mund ta shkurorëzojë gruan në krye të vet në shtatë raste të caktuara. Në rastin e prostitucionit, shkurorëzimi është i domosdoshëm. Burri, bashkëshortja e të cilit e ka tradhëtuar, gruan do ta shesë dhe paratë do t’i marrë vet.

Në të drejtën e vjetër brahmane, kishte forma të ndryshme të kurorës. Është i mundshëm shkurorëzimi edhe për gruan edhe për burrin për shkaqe të caktuara. Burri ka mundur të shkurorëzohet nga gruaja nëse ajo ishte e keqe, bënte hile dhe ishte zemërkeqe.

Në të drejtën familjare romake, bashkësia familjare ka mundur të prishet në dy mënyra:

1) Prishja e familjes për shkak të asaj që nuk varet as nga burri as nga gruaja. Kjo ndodhte nga vdekja e njërit nga bashkëshortët, më pastaj për shkak të rënurit rob, ose, për shkak të humbjes të së drejtës qytetare;

2) Prishja e kurorës për shkak të kërkesës së gruas ose të burrit. Ky shkurorëzim nuk varej nga vendimi gjyqësor, si në të drejtën bashkëkohore. Ky mbështetej në aktin paraprak juridik, me të cilin është lidhur kurora dhe quhej “contrius actus” që don të thotë kontra akt.

a) Kurora që janë mbështetur në dominimin e burrit (me manus) ndodhte që gruaja të “shitet” si një vajzë familjare nëse kurora paraprake bazohej në blerjen e vajzës, në kurorën ku dominonte burri, e kjo quhet manus ose kurora paraprake ishte e lidhur për jetën e përbashkët midis vajzës dhe djalit për një afat njëvjeçar. Normalisht, një shkurorëzim i këtillë kryhej nga ana e burrit. Në këtë gruaja nuk kishte asnjë rol. Në realitet ky ishte refuzim i gruas nga ana e burrit, në vend të shkurorëzimit të rëndomtë. Nëse martesa ishte bërë me ceremoni fetare, ndarja bëhej para klerit. Nëse nuk ishin të pranishëm elementet fetare dhe juridike, atëherë kleri e pengonte prishjen e kurorës.

b) Kurorat që nuk janë mbështetur në dominimin e mashkullit (pa manus) ajo mund të prishej me arsye dhe pa të, sipas dëshirave të dyanshme, ose vetëm me kërkesën e njërës nga palët.

Me kohë në Romë, më shumë preferohej kurora pa manus se sa ajo me manus. Proçeset e shkurorëzimit zgjeroheshin deri në pakufi. Nuk ekzistonin gjyqe të ligjshme për pengimin e shkurorëzimit pa arsye. Edhepse më vonë u sollën disa norma financiare, që obligonin palët, por edhe kjo nuk pati efekt të madh.

Shkurorëzimi në Bibël

Sipas Dhiatës së Vjetër, burri i martuar me një grua, po pa diç që nuk i pëlqen tek gruaja e tij, duhet të shkruaj lutje për shkurorëzim dhe do ta lëshojë atë të largohet nga shtëpia e tij. Gruaja pas largimit nga shtëpia e burrit të parë, mund të martohet me një burrë tjetër. Nëse burri i dytë neveritet nga kjo grua dhe shkruan lutje për shkurorëzim dhe, nëse e largon nga shtëpia e tij, ose nëse vdes, burri i parë nuk mund ta marrë përsëri si grua të veten (meqë ajo nuk është e pastër).

Që ta provojnë Isain a.s., sipas shënimeve të Dhiatës së Re, (Mateu), farisajtë e pyetën: “A është e lejuar që njeriu me çfarëdo arsye të shkurorëzohet nga gruaja?” E ai u përgjegj kështu: “A s’keni lexuar se në fillim Krijuesi krijoi një grua dhe burrë, dhe ata duhet të bëhen një trup? Dhe tani, ata nuk janë dy por vetëm një trup. Të mos i ndajë njeriu ata njerëz të cilët Zoti i ka bashkuar.” Farisajt kësaj radhe shtuan: Po qe ashtu, atëherë përse Musa urdhëroi të jipet shkurorëzimi dhe gruaja të shkurorëzohet? Isa tha: Musa, për shkak të zemërngushtësisë suaj, lejoi të ndaheni nga gratë. Por, në fillim nuk ndodhi ashtu, dhe unë po ju them: kush do të shkurorëzohet nga gruaja për shkak të prostitucionit, nëse martohet me tjetër, do të hyjë në kurorëthyerje, dhe kush martohet me atë të shkurorëzuarën, edhe ai do të jetë në kurorëthyerje”. Sipas kësaj në krishterizëm shkurorëzimi është i ndaluar. Por, shumica e shkencëtarëve protestantë, duke u mbështetur në fjalët që vijojnë, vërtetojnë se është i mundur shkurorëzimi, nëse bashkëshorti e lë bashkëshorten për një kohë të gjatë: Gruaja të mos ndahet nga bashkëshorti – e nëse ndahet, të mos ngelë pa bashkëshort, ose le të pajtohet me bashkëshortin – dhe bashkëshorti të mos e braktis bashkëshorten.”

Shkurorëzimi në Islam

Në Kur’an shpallet se duhet kaluar mirë me gratë, edhe nëse ato nuk na pëlqejnë. Nëse i durojmë asaj që nuk na pëlqen, ndoshta All-llahu në diç të këtillë ka caktuar ndonjë hajr të madh për ne. Kur njerëzve nuk u janë të njëjta gjymtyrët dhe organet, të ndryshme u janë edhe bota shpirtërore dhe dëshirat. As gruaja nga burri e as ky nga gruaja s’duhet të kërkojnë që të mendojë pala tjetër siç mendon vet. Marrëveshja dhe kënaqësia lindin bashkë me flijimin, dhe vetëm me flijime mund të vazhdohet. Pejgamberi a.s. ka thënë:

“Të mos kërkojë arsye një burrë besimtar për të mos e dashur një besimtare. Nëse nuk i pëlqen një veti e saj, do t’i pëlqejnë vetitë tjera.”

Bashkëshortët duhet të flijohen dhe të respektohen, po deshtën të kalojnë mirë. Përkundër kësaj do të përfundojnë me një pikë, e ajo është rebelimi kundër All-llahut. Flijimi dhe respektimi i ndërsjellë, nuk duhet të jetë kundër urdhërave të All-llahut. Fjalët e Pejgamberit a.s. që vijojnë janë parime të forta të Islamit:

“S’ka bindje për ata që janë rebelë kundër Krijuesit.”

“Nuk ka bindje për të pabindurit ndaj All-llahut, bindja mund të jetë në punë legale (të lejuar sipas normave Islame).”

E kjo ka përjashtim. Edhepse gënjeshtra është gjë e keqe në Islam, , Pejgamberi a.s. e lejon këtë në tri raste:

“Është e lejuar gënjeshtra në luftë, në pajtimin e të hidhëruarve, armiqësuarve dhe gënjimi i gruas që i bën burrit dhe i burrit që i bën gruas (për të mbretëruar qetësia në familje)”.

Gënjeshtra është lejuar jo për ta tradhëtuar njëri tjetrin në pikëpamje nderi, por, të gënjejnë për gjëra më të vogla me qëllim qëtë ruhet rendi familjar.

Zënkat bashkëshortore dhe ndërmjetësimi për zënka më të mëdha, është gjë shumë e keqe. Detyra e një muslimani është, që të pajtojë besimtarët, veçanërisht bashkëshortët dhe t’i përmirësojë marëdhëniet midis tyre. Pejgamberi a.s. thotë:

“Një njeri që e ven në gjendje të keqe gruan duke i bartë gabimet e saj tek bashkëshorti i saj, nuk i takon rradhës sonë.”

Moskuptimi midis bashkëshortëve

Pa marrë parasysh sa mendojmë në mënyrë optimiste, ekziston një realitet që s’mund të mohohet, se në jetën bashkëshortore midis bashkëshortëve ka mosmarrëveshje. Evitimit të një sëmundjeje të këtillë, në Kur’an, i kushtohet kujdes. Shkohet nga ajo që kjo sëmundje të evitohet nga ana e vetë bashkëshortëve. Nëse nuk ka sukses, atëherë problemi hidhet që të gjykojnë dy familjet. Kur as kjo nuk ndihmon, zgjidhja e fundit është shkurorëzimi.

Nëse mosmarrveshja del nga ana e gruas; ajo u shmanget obligimeve të gruas, s’e dëgjon burrin e vet në të drejtat (kërkesat) e tij të pamohueshme dhe legale, i takon një procedurë në tri kategori.

-Shkurorëzohu. – as’habi tha:

-Atë e kam shoqe të jetës dhe me të kam edhe fëmijë. -atëherë Pejgamberi a.s. i tha:

-Urdhëroje atë të sillet mirë, këshilloje. Nëse ka mirëkuptim, do ta realizojë urdhërin tënd. Atëherë mos e rrah (siç rrihet robëresha)”

Në një hadith tjetër thuhet:

“Askush nga ju të mos e rreh gruan siç rrihen robëreshat, ndoshta në fund të ditës do të keni edhe marrëdhënie.”

Si rezultat i aplikimit të këtyre masave, gruaja, nëse e dëgjon burrin, ai do t’i ndërpresë këto masa dhe do të vazhdojë jetë të mirë me të. Nëse vazhdon ta maltretojë gruan dhe nëse këtë e bën me qëllim shkurorëzimi, gjyqtari duhet ta dënojë këtë. Dhe, gjithsesi do të përgjigjet edhe para All-llahut xh.sh.

Në një atmosferë të tendosur, nëse burri tregon durim në marrëdhëniet me gruan, do të pajtohen. Që ta qetësojë burrin gruaja disponon me aftësi të ndryshme. Këtë më së miri e din vetë ajo. Dhe kështu do t’u konvenojë. Në krahasim me natyrën më të vrazhdë të burrit, gruaja ka natyrë të butë dhe të qetë. Gruaja në karakterin e vet disponon me fuqi që ta zbusë e ta qetësojë burrin, që me të të jetojë në lumturi e paqë.

Caktimi i gjykatësve

Nëse mosmarrëveshja ose disharmonia midis bashkëshortëve nuk mund të evitohet nga vetë ata, atëherë sipas urdhërit të Kur’anit emërohen dy arbitër nga dy familjet e palëve në konflikt. Sipas shumë shkencëtarëve, gjykatësi ka autorizim të emërojë nga një arbitër të merituar nga të dy familjet. Arbitrat i marrin në pyetje dy palët veç e veç, e bëjnë përpjekje që t’i pajtojnë. Në një ajet thuhet kështu:

“Nëse ata dy (ndërmjetësuesit) kanë për qëllim pajtimin, All-llahu e mundëson afrimin midis tyre (burrit e gruas)”

Zgjedhja e arbitërve është gjë shumë e qëlluar nga familjet e palëve në konflikt, nga aspekti i asaj që të mos dalin në shesh sekretet familjare, njohja e veçorive specifike të bashkëshortëve dhe mundësia që bashkëshortët të shprehen më lirë lidhur me ankesat e tyre.

Nëse arbitrat nuk kanë sukses që t’i pajtojnë pas të gjitha përpjekjeve të tyre dhe nëse dakordohen t’i shkurorëzojnë, një gjykim i këtillë do të jetë i plotfuqishëm. Shumë juristë islamikë kanë mendim të këtillë.

Shkurorëzimi si zgjidhje e fundit

Konflikti ndonjëherë s’mund të mënjanohet edhe pse bëhen përpjekje me qëllime të mira. Në këtë rast shtëpia dhe familja shndërrohen në ferr të vërtetë. Një brengë e këtillë t’i shkaktohet qenies njerëzore nuk përkon me mëshirën. Në Kur’an, pas theksimit të masave dhe metodave për pajtimin e bashkëshortëve, emrimit të arbitërve, më pastaj, dhe punës së tyre, thuhet:

“Por, nëse ndahen prej njëri tjetrit, All-llahu begaton me mirësinë e Tij secilin prej tyre. All-llahu është Bujar i Madh, i Plotëdijshëm”.

Siç u theksua në titullin “Shkurorëzimi në histori“, në sistemet juridike të civilizimeve të vjetra ka ekzistuar shkurorëzimi dhe kjo e drejtë më së shpeshti i takonte vetëm burrit. Në krishterizëm, kisha katolike duke e pranuar parimin se “bashkëshortët janë një trup e jo dy dhe se, atë që e ka bashkuar Zoti nuk duhet ta ndajë njeriu”, me shekuj e kanë ndaluar shkurorëzimin. Por, siç thekson juristi i madh gjerman, Kohler në veprën e tij “Filozofia juridike”, “me të vërtetë kurora që s’ka shans të ruhet nuk do të ngelë vetëm si një burim i mundimit dhe torturës, por do ta pengojë zhvillimin shpirtëror të njeriut dhe aftësitë e tij të mëdha do t’i zbresë në zero.”

Në një gjendje të këtillë, siç e përshkruam, nuk mund të ketë asnjë mirëkuptim moral e social që do ta bind ose ta detyrojë njërin për vazhdimin e kurorës. Që kjo të përfundojë sa më shpejtë, është domsdoshmëri sociale e kulturore. Por, një pikëpamje e këtillë e kishës katolike, nga çdo aspekt, është problematike.

Kështu dalëngadalë populli u mundua të shpëtojë nga një rend i këtillë i kishës katolike që nuk i përgjigjet nevojës së popullit dhe realitetit social. Kisha katolike qe e detyruar të bëjë lëshime në gjykimet e veta, varësisht me dëshirat që mbretëronin asaj kohe. Këto rregulla që kisha i quante “gjendje ku kurora nuk ka vlerë – validitet”nuk ndryshonin shumë nga gjyqet për shkurorëzim. Në realitet, lidhur me këto çështje më parë e solli reformën kisha protestante dhe, me arsye të caktuar e aprovoi shkurorëzimin.

Ndalimi i shkurorëzimit është edhe një rezik që shkakton pasoja të zvogëlohen kurorëzimet. Kur njeriu e din se nuk do të ketë mundësi të shkurorëzohet, do t’i mbyllen dyert kah ka hyrë, si do të dëshirojë të hyjë nëpër to. Zvogëlimi i kurorëzimeve do të shpie kah zgjerimi i prostitucionit, kah shkatërrimi i familjeve dhe vrasjet. Në fund, të gjitha këto, përsëri e dëmotjnë gruan.

Gjykimi rreth shkurorëzimit

Në të drejtën islame, shkurorëzimi është zgjidhja e fundit, kur më nuk ekzistojnë mundësi për vazhdimin e jetës familjare. Në Kur’an ndalohet shkurorëzimi i pashkas me këto fjalë:

“…e nëse ju respektojnë, atëherë mos u sillni keq ndaj tyre. All-llahu është më i Larti, më i Madhi.”

Pejgamberi a.s. thotë:

“Martohuni por mos u shkurorëzoni, meqë All-llahu nuk i don ata të cilat varen nga kënaqësia e tyre (pasioni).”

E një hadith tjetër thekson:

“Për All-llahun gjëja më e urrejtur, por e lejuar është shkurorëzimi.”

Juristët u dakorduan se shkurorëzimi pa asnjë shkas nuk mund të jetë i drejtë.

Sipas hanefijve, esenca e shkurorëzimit është haram. Meqë për shkurorëzimin u thanë shumë hadithe, ky në të njëjtën kohë është edhe shkatërrimi i bashkësisë familjare që është gurthemeli i shoqërisë, është edhe shqelmim i nimetit të kurorës. Ndaj, shkurorëzimi i panevojshëm është haram.

Lidhur me shpjegimin e shkurorëzimit, në hadith thuhet:

“Gjëja e lejuar, por më e urrejtur tek All-llahu është shkurorëzimi.”

Disa shkencëtarë gjetën argumente se shkurorëzimi është mekruhi më i afërt haramit. Por, në situata të ndryshme shkurorëzimi trajtohet ndryshe.

Arsyet e shkurorëzimit

Shkurorëzimi është për atë që nuk është i aftë t’i kryejë obligimet e veta ndaj gruas ose të të sigurojë ekzistencën e saj materiale, meqë me këtë rast, mosshkurorëzimi me gruan do ta shkatërrojë moralin e saj. Nga ana tjetër, për njeriun i cili nuk ka arsye për shkurorëzim, por don formojë kushte për prostitucion, shkurorëzimi është haram.

Për burrin, situatat në të cilat do t’i jetë e lejuar legalisht të shkurorëzohet janë: pozita në kurorë, për të cilën thuhet: “kufijt që i ka përcaktuar All-llahu” si për shembull; urrejtja deri në atë shkallë sa që s’mund të ekzistojë bashkësia familjare, disharmonia totale, mosmundësia e kryerjes së obligimit të bashkëshortit për shkak të impotencës seksuale, mosvullneti për të që rrjedh nga urrejtja e tepruar (në rast kur është i aftë për marrëdhënie), prostitucioni dhe mospërfillja e urdhërave të qartë të All-llahut nga ana e gruas (namazit, agjërimit etj.)

Sipas ligjit të së drejtës familjare të shpallur në kohën e Hajri Efendiut, më 10 mars të vitit 1333 nga ana e Institutit për Fetva të Këshillit Pajtimor, që zyrtarisht është aprovuar në atë ditë, gruaja në rastet që vijojnë mund të kërkojë shkurorëzim:

1. Gruaja që nuk ka sëmundje të atillë që mund ta pengojë aftësinë seksuale, kur të kuptojë se burri i saj ka sëmundje të këtillë, me anë të gjyqit mund të kërkojë shkurorëzim. (Neni 19). Nëse sëmundja e burrit nuk është e shërueshme, gjykatësi menjëherë duhet të sjellë vendim për shkurorëzim. Nëse është e mundur terapia, këtë gjë duhet ta afatizojë për një vjet. Po s’u shërua, në fund të këtij afati, nëse gruaja akoma insiston për shkurorëzim, gjyqi do të sjellë vendim për shkurorëzim, madje edhe sikur burri të kundërshtojë. (Neni 127).

2. Gruaja mund të kërkojë shkurorëzim edhe për shkak të sëmundjeve venerike, leprës tek burri i saj, që nuk mundësojnë jetë bashkëshortore. Po shpresoi se këto sëmundje do të shërohen, jipet një vjet afat, e nëse s’ka shpresa atëherë shkurorëzimi kryhet përnjëherë. (Neni 122).

3. Pas aktit të kurorës, nëse burri çmendet dhe gruaja këtë e paraqet tek gjykatësi, kjo përsëri afatizohet në një vjet. Po nuk u evitua sëmundja, atëherë sillet vendim për ndarje.

4. Veç këtyre, nëse burrit i zhduken të gjitha gjurmët, dhe nëse nuk mund të realizohet alimentacioni, gjykatësi pas hetimeve të nevojshme, sipas kërkesës së gruas, duhet të vendos për shkurorëzim. (Neni 126).

5. Gruaja e njeriut që ka humbur, edhepse ka lënë një farë pasurie që mund të shfrytëzohet si alimentacion, paraqitet te gjykatësi të kërkojë shkurorëzimin, por më parë ai, duhet t’i bëjë hetimet e nevojshme për atë njeri. Pritet katër vjet prej humbjes së shpresës, se ku gjendet ai dhe është i gjallë ose i vdekur. Poqese nuk mund të lajmërohet dhe nëse gruaja insiston në kërkesën e saj edhe më tutje, gjykatësi do të sjellë vendim për shkurorëzim. (Neni 127).

Këto shkurorëzime janë si shkurorëzimet absolute – të prera.

6. Po u shkaktua mosdurim dhe disharmoni midis bashkëshortëve, dhe njëra palë kërkon shkurorëzim, gjykatësi duhet të caktojë dy arbitër nga familjet e tyre. Nëse ata nuk mund të gjenden nga të dy familjet, ose nuk kanë veti përkatëse për ta kryer këtë obligim, atëherë gjykatësi do të emërojë njerëz tjerë nga rrethi jashtëfamiljar. Kuvendi familjar i krijuar në këtë mënyrë, me analizën e deklaratave dhe mbrojtjen e të dy palëve, bën përpjekje t’i pajtojë ata. Nëse nuk është e mundur kjo, dhe nëse faji është te burri, ata i shkurorëzojnë. Nëse faji qëndron te gruaja, një pjesë ose tërë mehri do të ngelë te burri, dhe sillet vendim për shkurorëzim.

Nëse gjykimet e arbitërve nuk janë të njëjtë, atëherë gjykatësi emëron një komision tjetër arbitërsh, që posedojnë veti të mjaftueshme, ose një tim të tretë arbitrash që s’janë në lidhje farefisnore me palët. Gjykimi që do ta japin arbitrit është definitiv, dhe kundër tij nuk mund të bëhet ankesë. (Neni 130).

Shkurorëzimi për shkak të renegimit (daljes nga feja)

Meqë në Islam të gjitha gjykimet për kurorë dhe aktet tjera juridike mbështeten në iman, nëse njëri nga bashkëshortët lëshon fenë e vet, atëherë kurora automatikisht bëhet e pavlerë, boshe. Baskëshortët shkurorëzohen. Nëse ndodh vdekja e pafreskuar me iman dhe pa pendim dhe kurora nëse nuk ripërtrihet, atëherë midis tyre s’do të ketë trashëgimi.

Nëse çështjet të cilat janë esenciale për fenë Islame, siç është Dita e Gjykimit, namazi ose agjërimi dhe farzet e këtilla, mohohen ose përqeshen, atëherë bëhet kufër (mosbesim), ndaj është e nevojshme përsëritja e imanit dhe kurorës. Gjithashtu, edhe ofendimi ose nënçmimi i gjërave që meritojnë respekt, siç është Kur’ani, Qabja, Sheriati dhe xhamia, pastaj sharja e fesë dhe imanit është kufër. Sharja e Muhammedit a.s. dhe talljet në llogari të tij, gjithashtu janë kufër, që e anulojnë imanin dhe kurorën.

Shkaqet e shkurorëzimit dhe kisha

Siç u shpjegua më lartë, kisha katolike nuk e aprovon shkurorëzimin. Një mendim i këtillë i katolicizmit e ruan dominimin e vet, madje edhe sot në shumë vende.

“Kisha dhe e drejta katolike e privoi institucionin e shkurorëzimit, për disa arsye të caktuara: Nëse i numërojmë arsyet kalimtare dhe ato konstante për shkurorëzim në të drejtën katolike dhe ato në të drejtën protestante, atëherë del në pah se këto kanë ndikuar në gjendjen e ‘vendeve të civilizuara’.”

Autorizimi për shkurorëzim

Në të drejtën islame, akti i martesës është konstant. Ndaj nuk vlen martesa e përkohshme. E për të qenë valide kurora, duhet të ekzistojë dashuria dhe mirëkuptimi midis bashkëshortëve. Baza e jetës bashkëshortore është dashuria dhe mirëkuptimi. Ç’ndodhë kur nuk ka dashuri e mirëkuptim midis bashkëshortëve dhe kur s’mund të përmirësohet kjo gjendje? Me siguri nuk do të ketë rrugëdalje tjetër pos shkurorëzimit. E ku do të jetë autorizimi për shkurorëzim? Këtu do t’i përkujtojmë katër mënyra që do t’i shqyrtojmë një nga një:

1) Shkurorëzimi me pajtim të dy palëve: në të drejtën romake pranohej se është e mundur të bëhet shkurorëzimi me pajtimin midis palëve. Mund të bëhej shkurorëzimi me ujdi dypalëshe edhe në të drejtën gjermane dhe kineze. Për një kohë të caktuar, të njëjtën mënyrë të shkurorëzimit e aprovoi edhe Franca. Më pastaj shkurorëzimin midis dy palëve, përveç arsyeve tjera, me pajtim nga dy palët, e pranuan edhe disa vende evropiane siç janë: Belgjika, Luksemburgu, Rumania, Estonia, Letonia, vendet e Skandinavisë, Rusia dhe disa vende latino amerikane. Edhe pse në të drejtën islame, marrëveshja midis dy palëve, nuk është forma kryesore e shkurorëzimit, kjo gjë mund të realizohet në kushte specifike (burri që ka autorizimin për shkurorëzim, këtë të drejtë t’ia pranojë edhe gruas. Kjo është mënyrë e marëveshjes dypalëshe).

Kritikë: Marrëveshja dypalëshe nuk është mënyra më e mirë e shkurorëzimit. Të lejuarit, që vetë dy palët të bëjnë marrëveshje, në praksë do të jep rezultat që shkon kah minimizimi i shkurorëzimit, edhe pse ai ndoshta është i domosdoshëm, e ndonjëherë tjetër, pajtohen aq lehtë sikur ajo të ishte ndonjë zënkë e rëndomtë, dhe ndodh që shumë shpejt pajtohen për t’u shkurorëzuar.

2) Shkurorëzimi nëpërmjet të gjyqit: Sot mbretëron një mendim i përhapur se shkurorëzimi është i mundur vetëm me anë të gjyqit, madje në kushte të caktuara.

“Ky mendim në mënyrë të veçantë ishte i pranueshëm nga kisha protestante dhe nga ajo kaloi nëpër gjyqe të shteteve të ndryshme. Në disa vende që e pranuan këtë mënyrë, përveç shkurorëzimit ekziston edhe institucioni i ndarjes.”

Kritikë: Për gjyqin është shumë vështirë ta peshojë shkallën e dashurisë, këtë misterioz që i lidh bashkëshortët njërin me tjetrin, të depërtojë në fshehtësitë e kurorës e shkurorëzimit nëpërmjet të gjyqit, pala që kërkon shkurorëzim, duhet t’i tregojë ngjarjet dhe të jep shkase dhe argumente për të. Ndërsa gjykatësi nuk mund të sjell vendim derisa nuk bindet në ndërgjegjen e vet për ekzistimin e ngjarjeve që janë theksuar si arsye e shkurorëzimit. Për këtë nuk vlejnë as betimet e as gjërat tjera, në vend të argumenteve. Në këtë rast, gjykatësi duhet ta hulumtojë jetën personale të bashkëshortëve dhe të interesohet për fshehtësitë e tyre. E kjo nuk është e drejtë.

Gjatë shkurorëzimit me anë të gjyqit, zbulimi i fshehtësive para komisionit të gjykatësve, do të dëmtojë sidomos gruan, për të cilën do të ketë thash e theme, do të preket krenaria e saj dhe për të do të jetë shumë e vështirë të rimartohet pas shkurorëzimit. Thash e thënat e këtilla, madje mund të përcillen edhe nëpërmjet të shtypit.

Është e mundur që një bashkëshort që dëshiron ta prishë bashkësinë familjare si gurthemel të shoqërisë, të pengohet nga ana e gjyqit, duke ia tërhequr vëmendjen për një sjellje tjetër më të mirë. Maz’har Osman për këtë thotë:

“Ata që kanë sjellje si të kafshëve, duke dashur të shkurorëzohen pa arsye ose me pak arsye, edhe po nuk kryhet shkurorëzimi, bashkëshortet dhe familjet e tyre do t’i lëshojnë në mënyra tjera.”

Jemi të vetëdijshëm, për falsifikimet dhe vendimet e ndryshme që shfrytëzohen për sigurimin e shkurorëzimit duke e dëmtuar palën tjetër në kësi lloj gjyqesh. Shumë herë bashkëshorti (ose njëri ndër bashkëshortët), që të shpëtojë nga një gjendje e vështirë, shfrytëzon trillime, kombinime të ndryshme, dëshmitarë të rrejshëm, që të pranohet kërkesa e tij ose e saj, derisa nuk disponon me argumente të shëndosha ose dëshmitarë të bindshëm. Gjyqet shpesh gjykojnë për alimentacione, të shumtën në favor të gruas, gjë kjo që nuk është e drejtë. Rritet numri i grave të cilat kërkojnë shkurorëzim, e prolongojnë gjykimin, japin dëshmitarë adresat e të cilëve nuk dihen fare ose jetojnë shumë larg, më pastaj sjellin vërtetime të ndryshme që s’kanë kurrëfarë lidhje dhe duke i harruar obligimet e veta familjare, bëjnë jetë të lirë dhe kërkojnë që për këtë jetë shpenzimet t’i paguajë bashkëshorti.

“Nga ana praktike, nuk mund të bëhet asgjë tjetër përveç t’u besohet fjalëve të palës e cila vërteton se nuk mund të jetojë në bashkëshortësi. Nëse mirret parasysh se të gjitha përpjekjet që të ndalin çiftët fatlum, që gjejnë dobi materiale e shpirtërore në dashuri dhe jetë bashkëshortore, ngelën pa sukses, do të ngelë një numër i vogël i bashkëshortëve që do të kërkojnë shkurorëzim pa ndonjë arsye të madhe.”

Me siguri do të jetë i dobishëm qëndrimi me personin që dëshiron të shkurorëzohet. Të ftohet të mendojë mirë dhe me durim. Të bëhet përpjekje që bashkësia familjare të vazhdojë, kuptohet me fjalë të buta e pajtuese. Këtu, më së miri do të ketë sukses kuvendi familjar që e përbëjnë njerëzit me më tepër përvojë dhe seriozë, nga ata anëtarë të familjeve që gëzojnë respekt.

3) Shkurorëzimi me kërkesë vetëm të gruas: Njëra nga mënyrat e shkurorëzimit është ajo me kërkesën e njërit nga bashkëshortët. Është kjo, forma më e lehtë që praktikohet në Rusinë e sotme por që shkakton komplikime të mëdha, pasi që krijon tollovi në nder dhe nga rrënjët i trondit familjet. Ta analizojmë këtë formë të shkurorëzimit nëpërmjet të shqyrtimit të dëshirës së grave e të burrave.

Te francezët e vjetër e drejta e shkurorëzimit i pranohej edhe gruas, në kushte të caktuara. Te romakët, deri sa në fillim shkurorëzimi ishte e drejtë vetëm e burrit, me kalimin e kohës dhe zgjerimin e kurorëzimit pa manus, atë të drejtë e fitojnë edhe gratë.

Kritikë: Edhe pse në shikim të parë na del se gruaja ka atë autorizim që ta prish aktin e kurorës, është e qartë se kjo është gjë e rrezikshme nga aspekti i të drejtës familjare, por nga pikëpamja e gjendjes shpirtërore, ajo, respektivisht personaliteti i saj, shumë shpejt ndryshon. Gruaja që nervozohet nga një imtësirë, ndaj edhe mendon se jeta në bashkëshortësi nuk është e mundur, shumë shpejtë do të kërkojë të shkurorëzohet.

Sipas së drejtës islame, burri jep mehr për kurorë. Ai bën edhe harxhime të tjera. Ashtu siç ekziston mehr muaxh-xhel (pagesë e menjëherëshme), ashtu ka edhe muexh-xhel (që pagohet në rast të shkurorëzimit ose vdekjes). Nëse gruaja që don të shkurorëzohet është shtatëzane, burri paguan alimentacion derisa të lind foshnja. Nëse fëmijës i duhet taja, burri duhet të paguajë për të. Pra, burri ka obligime financiare për mirëmbajtjen e familjes sikur të ishte në kurorë. Siç s’është e drejtë që gruaja ta lidhë me obligime financiare burrin sipas tekeve të veta, ashtu, nuk është e drejtë e saj të veprojë në kokë të vet dhe të sillet pa përgjegjësi.

4) Shkurorëzimi me kërkesë vetëm të burrit:

Në të drejtën e vjetër turke dhe gjermane, si dhe në fazat e para të së drejtës romake (kurorëzimi me manus) e drejta e shkurorëzimit i takonte vetëm burrit. E njëjta situatë ishte edhe në të drejtën egjiptase dhe babilonase. Në të drejtën islame forma themelore e shkurorëzimit është kjo. Në Kur’an thuhet se lidhja e kurorës është në duar të burrit. Në Kur’an, në ajetet që flasin për shkurorëzimin, folja shkurorëzohem gjithmonë ka të bëjë me gjininë mashkullore.

Kritikë: Burri, sipas natyrës, është më i kujdesshëm se gruaja, më gjakëftohtë. Konsekuencat e sjelljeve të veta i paramendon më mirë. Edhe në kurorëzim edhe në shkurorëzim, sipas të drejtës islame, burri ka obligime financiare. Burri që kërkon shkurorëzim, edhe gjatë shkurorëzimit edhe në kurorën e ardhshme ka shpenzime të ndryshme. Me shkurorëzim, do ta shkatërrojë shtëpinë e vet, e fëmijët dhe punët shtëpiake do t’i lejë pasdore.

Burri mund të gabojë. Mund të shkurorëzohet befas, pa pasur nevojë, me një vendim të papritur. Kur mendon se vazhdimi i një jete në kurorë është i rrezikshëm dhe kur vëren se dashuria dhe lidhjet me bashkëshorten janë dobësuar, atëherë do të shfrytëzojë autorizimin e vet për shkurorëzim. E përse gruaja të mos i ketë të drejtat e veta që, kur të vërejë të njëjtën gjë, të veprojë si burri? Është kjo pyetje, gjithsesi me vend. Do të mundohemi t’u japim përgjigje në titujt që vijojnë: “Llojet e shkurorëzimit” dhe “Shkurorëzimi i gruas në këmbim me mehrin“.

Të përkujtojmë se individi në Islam është i rrethuar me obligime juridike dhe materiale. Obligimi më i madh është ai se një ditë do të përgjigjet para All-llahut për të gjitha ato që ka bërë. Individi është i bindur se ajo ditë do të vijë patjetër. Faktikisht, kjo rrjedh nga bazat e imanit dhe pa të, nuk mund të jesh mu’min (besimtar). Kurora, është një e drejtë hyjnore midis njerëzve. Në Kur’anin Famëlartë kurorëzimi quhet “hududullah: kufinj që i cakton All-llahu“. Kjo shprehje theksohet shpeshherë në ajetet që bëjnë fjalë për shkurorëzimin dhe urdhërohet që këta kufinj të mos tejkalohen, e ata që i tejkalojnë trajtohen si zullumqarë.

Disa shprehje që disa herë përsëriten janë si vijon:

“…dhe keni frikë All-llahun, e dijeni se All-llahu është i Gjithëdijshëm për çdo send.”

“…e kush i frikësohet All-llahut, Ai atij ia lehtëson punën”

Në Kur’an shpallet gjithashtu se sa janë këshilluar ata njerëz që i besojnë All-llahut dhe Ditës së Gjykimit, të sillen mirë me gratë me të cilat do të shkurorëzohen dhe të dëgjojnë porosinë e All-llahut lidhur me këtë çështje.

All-llahu i Lartësuar pa dyshim di më së miri për çdo punë të njeriut, për çështjen e shkurorëzimit thotë:

“E kur t’i keni lëshuar gratë, dhe ato i afrohen afatit të tyre, a atëherë ose i mbani si duhet, ose i leni si duhet, e mos i mbani sa për t’i dëmtuar, e të bëheni të padrejtë. E kush bën atë, ai e ka dëmtuar vetvehten. Dispozitat e All-llahut mos i merrni për shaka.”

Akademiku M. Reshid Belgesay, pas fjalës lidhur me autoritetin që i është dhënë burrit në shkurorëzim, në të drejtën islame, thotë:

“Por në gjykimin që e solli e drejta islame, nuk i jepet shumë hapësirë keqpërdorimit në praksë, meqë parimet sociale, etike dhe fetare që ishin më të fuqishme se ligjet për organizimin e marrëdhënieve familjare, llogarisnin se është mëkat dhe turp që burri ta lëshojë gruan pa arsye, e në anën tjetër, nëse ekzistonin arsye të rëndësishme, do ta detyronin që të aprovojë kërkesën e gruas për shkurorëzim.”

Që të pengohet shfrytëzimi i autoritetit për shkurorëzim nga ana e burrit kundër gruas, janë marrë disa masa, në të drejtën islame. P.sh. nëse burri që gjendet para vdekjes e lëshon gruan dhe nëse vdes para se të përfundojë iddeti (koha që gruaja duhet të presë për rimartim pas shkurorëzimit iddeti varet nga situata, mund të zgjasë edhe tetë ose nëntë muaj) në këtë rast do të llogaritet se ai (burri) bën dredhi që gruan ta lë pa miras, dhe gruaja bëhet trashëgimtare. Në kësi lloj rastesh merret parasysh iddeti më i gjatë se ai që u theksua (është ky në dobi të gruas për ta fituar trashëgiminë). Por, për të njëjtën kohë, nëse vdes gruaja e burri është ai që dëshiron të shkurorëzohet, atëherë burri nuk mund të jetë trashëgues i saj, pasi ai, duke e shfrytëzuar autoritetin e vet për shkurorëzim, e ka humbur të drejtën për trashëgim.

Nga ky shpjegim i shkurtër, kuptohet se njeriu i cili i drejtohet Islamit dhe edukohet nga ai, është njeri i pjekur, i ndijshëm, i drejtë, i sinqertë dhe i ndërgjegjshëm në tërësinë e vet. Në kohën kur Islami praktikohej totalisht, njerëzit e këtillë ishin njerëz të rëndomtë nga rradhët e qytetarëve. Prandaj, nuk kemi të drejtë ta ngarkojmë e ta fajësojmë Islamin, për shkak të keqpërdorimeve dhe akteve të këqia që i bëjnë individët në shoqëritë që kanë ngelur prapa dhe janë ligështuar nga të gjitha palët e korruptuara si nga aspekti fetar ashtu edhe në fusha tjera.

Autorizimi i gruas për shkurorëzim

Juristët e Islamit kanë argumentuar se e drejta e shkurorëzimit mund t’i jipet edhe gruas. Por, midis tyre, ka edhe mendime të ndryshme. Në kryerjen e aktit të kurorës, burri që ka autorizim për shkurorëzim, mund që gruas t’i jep të drejtë shkurorëzimi kur të dëshirojë vetë ajo. Kjo quhet “tefviz“. Burri mund ta japë këtë të drejtë edhe pas aktit të kurorëzimit. Ai do të përcaktojë dhe do të vërtetojë formën e shkurorëzimit dhe numrin e shprehjeve për shkurorëzim. Gruaja mund ta shfrytëzojë këtë të drejtë vetëm në kushte të caktuara. Burri nuk mund ta tërheq autorizimin që ia ka dhënë gruas.

Por, as gruaja nuk duhet ta keqpërdor autorizimin për shkurorëzim. Pejgamberi a.s. thotë:

“Cilado grua që dëshiron të shkurorëzohet pa nevojë, asaj do t’i jetë haram era e Xhennetit.”

A mund t’i jepet autorizim shkurorëzimi personit të tretë

Burri që bartë të drejtën e shkurorëzimit, mund të autorizojë për këtë të drejtë edhe ndonjë tjetër përveç gruas së vet. I autorizuari sillet sipas udhëzimeve të autorizimdhënësit. Burri edhe pse nuk mund ta tërheq autorizimin për shkurorëzimin e gruas, mund ta largojë personin e tretë të autorizuar.

A mundet personi i tretë, që burri nuk e ka autorizuar, të ketë autorizim për shkurorëzim? Më drejtë gjykatësi dhe arbitrat, a kanë të drejtë ta bëjnë shkurorëzimin? Kur definohet dhe shpjegohet talaku (ndarja) në librat e së drejtës islame, anulimi i kurorës përdoret në vend të shkurorëzimit. Por kjo ndodh në raste të veçanta e të domosdoshme, si paraqitja e gruas tek gjykatësi për shkak të gabimeve dhe fajeve të burrit, ose aprovimi i Islamit nga gruaja e mos aprovimi nga burri.

A janë të autorizuar arbitrat t’i shkurorëzojnë bashkëshortët midis të cilëve mbretëron disharmoni? Në realitet, ata janë të njohur me pozitën e të dy palëve meqë janë nga familjet e tyre. Në këtë këshill familjar nuk ekziston frika e daljes së sekretit në shesh, si sekretet e kurorës, si ato të cilat duhet të shfaqen në gjyq. Por, shumica e drejtimeve juridike islame mendojnë se arbitrat kanë për detyrë vetëm të venë paqen, e nuk kanë autorizime për shkurorëzim, meqë ky autorizim i është dhënë në mënyrë të qartë burrit në ajetet dhe hadithet. Por, malikijtë ua pranojnë të drejtën e shkurorëzimit edhe arbitërve. Në ajetin e sures en-Nisa, bëhet fjalë për caktimin e arbitërve nga ana e gjykatësit. Nëse arbitrat mendojnë se pajtimi është i pamundshëm, do të sjellin vendim për shkurorëzim, dhe ky vendim do të jetë valid. Taberiu, Ibën Kethiri dhe Shevkani, në tefsiret e tyre japin argumente të qarta të cilët do t’i aprovojnë mendimet e malikijve. Madje, Ibën Kethiri, vërteton se shumica e dijetarëve islam (xhumhuri) ka pranuar që vendimet e arbitërve për shkurorëzim të jenë valid edhepse bashkëshortët nuk i kanë autorizuar ata.

Këtu qëndron edhe një çështje që duhet kushtuar vëmendje. Kryetari i shtetit Islam mund të lejojë që të bëhen disa punë e disa tjera t’i ndalojë që t’i mundësojë ca të mira për opinionin ose t’i evitojë ca të këqia. Duke u mbështetur në këtë parim, a mund të mirret e drejta për shkurorëzim nga burri ose a mund t’i japë një formë tjetër shkurorëzimit? Shikuar nga këndi i së drejtës islame përgjigjen duhet dhënë – jo. Meqë, kryetari i shtetit islam ka një autorizim të këtillë vetëm për çështjet për të cilat nuk ekziston gjykimi. Në Kur’an, marrja e një të drejte nga pronari i saj, e që është konstatuar nga argumente definitive, do të thoshte anulim i atyre argumenteve. E këtë të drejtë nuk e gëzon asnjë qenie e gjallë. “Ku do të ketë rrebelime kundër Krijuesit, aty nuk dëgjohen robërit e tij”, Është shpallur haptazi në Kur’an, se shkurorëzimi i takon burrit. Por, mund të intervenohet në këtë autorizim të burrit në kushte të caktuara, si ato të lartpërmendura.

Llojet e shkurorëzimit

Në të drejtën islame, shkurorëzimi ndahet në disa forma. Këtu do të ndalemi në ndarjen e shkurorëzimit sipas kategorive. Kjo ndarje është ose “sunni” ose “bid’i“. Ndarja sunni është ajo që i përgjigjet sunnetit. Këtu sunneti don të thotë “rrugë” që duhet ndjekur në shkurorëzim e që është urdhëruar nga ana e Zotit e nuk don të thotë sunnet, kryerja e së cilës ka shpërblim (sevap). Meqë shkurorëzimi është një akt që s’i sjell të mirë askujt, është i lejuar vetëm nga nevoja ose domosdoshmëria. Shkurorëzimi bid’i, është ai që kryhet kundër rregullave të urdhëruara fetare dhe nuk i përgjigjet sunnetit.

Ndarja sipas sunnetit

Shkurorëzimi është ndarje me gruan, me të cilën është hyrë në gjerdek, në periudhën e pastërtisë (periudhën e kaluar midis menstruacioneve), periudhë në të cilën nuk huhet në marrëdhënie seksuale me një talak. Nga marrëdhëniet që ekzistojnë midis bashkëshortëve, talaku i dytë është në periudhën e dytë të pastrimit, ndërsa talaku i tretë dhe i fundit bëhet në periudhën e tretë të pastrimit. Gjithashtu me nga një “rixh’i talak” në tri periudhat e pastrimit, që zgjasin gati tre muaj, forma e shkurorëzimit quhet “sunni hasen – shkurorëzim i mirë sunni. Rixhi – talak, don të thotë talak ose ndarje nga e cila mund të hiqet dorë po u dëshirua kjo. Ekziston edhe një formë që quhet “sunni ahsen: shkurorëzimi më i mirë sunni”. Pas dhënies se një talaku në një periudhë të pastrimit, duhet pritur që gruaja të pastrohet pas tri menustracioneve, e mëpastaj të jipet talaku i dytë. Përsëri priten tre menustracione dhe jipet talaku i tretë. Normalisht, nuk hyhet në marrëdhënie seksuale derisa zgjat ky proces. Mënyra e këtillë e shkurorëzimit zgjat rreth nëntë muaj.

Talaku që nuk i përgjigjet sunnetit (bid’i)

Ky shkurorëzim është në kundërshtim me talakun sunni. Me një grua që është në gjerdek ose gjatë menustracionit ose në një periudhë të pastrimit, nëse jepet talak, kjo është kundër sunnetit. Veç kësaj talaku bid’i, është ai talak që jipet më shumë herë në të njëjtën periudhë të menustracionit ose atë të pastrimit. Tani të flasim për rëndësinë e një ndarjeje të këtillë.

All-llahu xh.sh. autorizimin për shkurorëzim ia dha burrit dhe shpalli mënyrën si duhet të shfrytëzohet ky autorizim. Urdhërat e All-llahut për këtë çështje detyrojnë që talaku të jetë sipas sunnetit. I biri i ‘Umerit e shkurorëzoi gruan në periudhën e menstruacionit, dhe kur ‘Umeri ia përshkroi situatën Pejgamberit a.s., ai udhëroi që të kthehet te gruaja sepse nuk e ka bërë shkurorëzimin sipas sunnetit, dhe nëse dëshiron që rishtas ta shkurorëzojë, ta bëjë ashtu siç i përgjigjet sunnetit.

Arsyeja që të mos mund të bëhet shkurorëzimi gjatë menstruacionit që, sipas talakut sunni është forma normale e shkurorëzimit në Islam, është era jo e këndshme që kundërmon nga trupi i saj, derisa ndodhin ca ndryshime në metabolizmin e gruas, dhe, për këtë shkak gjendja e gruas është jo e kënaqshme nga aspekti seksual. Ndaj, burri nuk është aq i kënaqur me gruan gjatë menustracionit dhe lehtë mund të shkurorëzohet.

Shkaku për moslejimin e shkurorëzimit në një periudhë të pastrimit, kur është hyrë në marrëdhënie seksuale, është se burri, nuk do të jetë aq i disponuar ndaj gruas. Pas marrëdhënieve, tek ai do të paraqitet njëfarë ftohje ndaj gruas dhe atëherë shumë shpejt mund të kërkohet shkurorëzimi. Duket se pskikisht është zgjedhur koha kur burri është më së shumti i disponuar për gruan, ndaj është shkuar në pengimin e shkurorëzimit deri në një shkallë të mundshme.

Mënyra më e mirë e shkurorëzimit, që i përgjigjet sunnetit, mund të bëhet gjatë rreth nëntë muajve. Derisa zgjat ky proces, burri, nëse dëshiron, mund të heq dorë nga shkurorëzimi dhe të kthehet tek gruaja që të vazhdojë jetën bashkëshortore. Burri nuk mundet të japë asnjë talak më tepër në një periudhë të pastrimit. Ja këtu takohemi me “rastin për t’u menduar, që është dobia e vetme e shkurorëzimit me anë të gjyqit. Kështu i japim pëgjigje pyetjes “mundësia që burri të shkurorëzohet me një vendim të paparamenduar mirë” që theksuam më lart në titullin “Llojet e shkurorëzimit“.

Imamët e medhhebeve u pajtuan se bid’i talaku është haram dhe rrebelim kundër vullnetit të All-llahut. Ndaj, kthimi i burrit tek gruaja që e shkurorëzoi me bid’i talak është farz sipas hanefijve dhe malikijve. Sipas këtyre të fundit, nëse nuk dëshiron të kthehet, do ta detyrojë gjyqi. Nëse përsëri nuk dëshiron të kthehet gjykatësi do të vendosë për kthimin në emër të tij edhepse ai mund të presë gjobë me qëllim që burri të kthehet. Por, nëse talaku bid’i, edhe pse është haram, bëhet nga ana e burrit, edhe pse përfundon tri herë talaku, a do të jetë kjo valide? A do të realizohet kjo nga pikpamjet e së drejtës? Ta zbërthejmë këtë çështje në një mënyrë më të qartë: A është realizuar shkurorëzimi i bërë në një periudhë të pastrimit, në të cilën është bërë dashuri ose në një periudhë të menstruacionit, edhepse kjo është haram? Pastaj, a do të numërohet talaku i një njeriut një ose më tepër, sa e ka përsëritur, madje ky të ketë ndodhur në një periudhë të pastrimit, kur nuk është bërë marrëdhënie seksuale?

Prej kohës së as’habëve dhe tabiinëve deri në ditët tona, thuaja të gjithë juristët islamikë mendojnë se, edhepse është haram talaku bid’i, ai përsëri bëhet. Këtu vërejmë edhe një herë se në të drejtën islame, obligimet materiale kompletohen me detyrime shpirtërore dhe se bashkohen të drejtat që i takojnë All-llahut dhe ato që u takojnë njerëzve. Autorizimi për shkurorëzim është tek burri, edhepse është bid’i, burri e shfrytëzon autorizimin e vet. Vetëm një cilësi që i shtohet mënyrës së shfrytëzimit të këtij autorizimi (që ai shkurorëzim është bid’i) këtë e ka vënë në haram. Por, kjo cilësi nuk e anulon të drejtën e tij dhe as vlefshmërinë. I gjason kjo, faljes në një copë toke që është grabitur në mënyrë të padrejtë nga të tjerët, ose tregëtisë së njeriut pas ezanit të namazit të xhumasë edhepse atij i është farz namazi i xhumasë. Edhepse është haram edhe plaçkitja e tokës së huaj edhe tregëtia gjatë faljes së xhumasë, këto juridikisht janë të lejuara.

Në realitet Ibën Tejmije, Ibën Kajjim, Ibën Hazm, Shevkani dhe disa shkencëtarë tjerë, dhe, ca shkencëtarë egjiptas të kohës së fundit si Amed Shakir, vërtetojnë se juridikisht nuk është realizuar shkurorëzimi bid’i. Me siguri, me ndikimin e këtij drejtimi shkencor në ligjin për të drejtat personale (ahvali shahsije) që u soll nga shteti egjiptas në vitin 1929 nr. 25, parashikohet se do të numërohet vetëm një talak nëse në të njëjtën kohë janë dhënë dy ose tre talakë. (Neni 3)

Por, kjo gjë që rrjedh nga kohërat e vjetra, me argumente të fuqishme është hedhur, dhe nga pikëpajmet shkencore ngeli vetëm, si mendim i disa personave. Një vepër e rëndësishme është “El-ishfak ala ahkami’t-talak” e Zahid el-Kevtheriut, i cili nuk e pranon veprën “Nizamu’t-talak” të egjiptasit Kadi Ahmed Shakir dhe të përkrahësve të tij. I ndjeri, profesori Kamil Miras, thotë se ky, mendimi i dytë, në pikëpamje shkencore është shumë i dobët. Veç këtyre, tema jonë e ruan cilësinë, të jetë një çështje për të cilën duhet menduar, çështje kjo që ka të bëjë me fatin dhe unitetin e familjes.

Disa çështje të rëndësishme

Njeriu duhet të jetë mendjehollë edhe në moshën e paspubertetit që të mund të jetë i pjekur për ndalesat dhe urdhërat e fesë Islame. Një gjë relevante që kërkohet në tubimet dhe në sjelljet e përgjegjësitë është nijjeti (qëllimi), për të cilin flet edhe hadithi që është njëri ndër parimet më të forta të fesë Islame e që përmendet në hadithet që përcillen nga i Dërguari a.s.:

“Veprat maten nga nijeti. Secilit do t’i jepet ajo që e meriton sipas nijetit.”

Pas theksimit të këtyre bazave, të ndalemi në disa çështje më të rëndësishme:

1. Nuk është valid shkurorëzimi i të çmendurit si dhe i njeriut që vuan nga skleroza. Shkurorëzimin që e kanë kryer ata, me ligj llogaritet sikur të mos jetë bërë, meqë nijjeti (qëllimi dhe dëshira) ka munguar tek ata.

2. Shkurorëzimi me dhunë dhe me detyrim. Hanefijtë mendojnë se shkurorëzimi në këtë mënyrë është valid. Ndërsa sipas shafiijve, ky shkurorëzim nuk është valid. Kështu mendojnë edhe malikijtë dhe hanbelijtë, meqë sipas të drejtës nuk mund të ketë vlerë, pasi që është bërë nga frika, pa qëllim e dëshirë (nijjet) të njeriut.

Në fazën e parë të Islamit, idhujtarët i torturonin muslimanët që i zinin. U kanoseshin me vdekje dhe i detyronin të shprehen kundër fesë Islame. Ammari r.a., e ëma dhe i ati i të cilit ishin vrarë para syve të tij, nën ndikimin e këtyre torturave, që ta shpëtojë jetën e vet, ua plotësoi dëshirën mushrikëve. Por, në rastin e parë, pas shpëtimit nga duart e tyre, shkoi tek i Dërguari a.s. dhe ia shpjegoi tërë ngjarjen. Kështu, më pastaj zbriti ajeti 106 i sures en-Nahl. Në këtë ajet theksohet se nuk do ta dëmtojë askë që do të jetë i detyruar që me dhunë të flasë kundër All-llahut xh.sh., nëse e ka zemrën të mbushur me iman dhe me të është i qetësuar. Kur imani nuk është i dëmtuar nën dhunën dhe detyrimin, në analogji me këtë nuk është valid as shkurorëzimi. Në Turqi, në kohën e Sultan Reshatit, ligji për të drejtën familjare theksonte se “talaku i bërë me anë të dhunës nuk është valid.” (Neni 105)

3. Talaku i pijanecit: Nuk është valid shkurorëzimi që është bërë nën ndikimin e mjeteve për dehje që nuk janë të ndaluara me fenë, siç është mjalti. Me përdorimin e mjeteve për të cilat nuk e din se do të bëjnë të dehur ose me detyrimin e përdorimit të tyre, shkurorëzimi s’do të vlejë, meqë njeriu i dehur, përkohësisht është si i çmendur. Atyre, që mendja dhe drejtpeshimi nuk u janë në rregull, as aktet nuk u janë juridikisht të drejta. A do të vlejë shkurorëzimi për një njeri që me dëshirë të vetë është dehur, gjë kjo që në pikëpamje fetare është e ndaluar? Një grup tabiinësh, Imam Ebu Hanife, Imam Maliku, Imam Shafiu, një shkurorëzim të këtillë e llogarisin si të drejtë, ose thënë ndryshe, legal. Përkundër kësaj Osmani, Kerhi nga hanefijtë sipas rivajetit nga Ibën Abbasi, Tahaviu, Imam Zuferi, Muhammed b. Seleme si dhe sipas një transmetimi të Imam Ahmedit, nuk e llogarisin shkurorëzimin e njeriut të dehur si shkurorëzim valid. Në nenin 104 të ligjit për të drejtën familjare theksohet e njëjta gjë. Ibën Tejmijje, Ibën Kajjim, Ibën Hazm dhe Shevkani janë të të njëjtit mendim.

4. Shkurorëzimi në gjendje të zemëruar: Është valid shkurorëzimi që njeriu e bën në gjendje të zemëruar me ose pa të drejtë, por nëse nuk e ka humbur vetëdijen nga ky zemërim i butë. Por, nëse zemërimi është i madh, nëse ai flet pa lidhje si i dehur, njeriut të këtillë nuk i pranohet shkurorëzimi, meqë në atë moment as mendja dhe as sjelljet e tij nuk bëhen me dëshirën e vërtetë të tij.

Profesori Kamil Miras, pas shqyrtimit të çështjes, shkurorëzimi me dhunë, në gjendje të dehur, dhe shkurorëzimi me zemërim, thotë kështu:

“Do të jetë akt në kufinjë shkencor, që të shërohet një plagë sociale në botën islame, duke thënë: Asnjë shkurorëzim nuk vlen dhe duhet të vazhdojë jeta familjare.”

Duke e aprovuar situatën e një njeriu i cili para shoqërisë do t’i shprehë me një fjalë të tre talakët në një krizë nervore, nëse ai pranon se kjo fjalë e nxjerrur nga goja e tij është si fjalë e një të çmenduri, e thënë pa dëshirën e tij, pa vetëdijen e tij, i shqetësuar, në kushte që këtë ta përsërisë para opinionit, kjo gjë don të thotë se ato fjalë nuk merren parasysh dhe jeta familjare vazhdon.

5. Shkurorëzimi për shkak të gabimeve: Njëri ndër kushtet e shkurorëzimit është ekzistimi i qëllimit që shprehet talaku (dëshira për t’u ndarë) nga ana e bashkëshortit. Shkurorizimi nuk do të bëhet me një shprehje të gabuar, duke dashur të thuhet diçka tjetër. Në ajete dhe hadithe është shpallur se robi nuk është përgjegjës për punët e bëra gabimisht ose në harresë.

Shkurorëzimi i shprehur me tallje është valid, sipas hanefijve dhe shafiijve. Pasi nuk ekziston arsye që të vërtetohet një shkurorëzim i këtillë, nuk mund të ketë tallje dhe argëtime në çështje të këtilla serioze, siç është talaku. Ndërsa Imam Maliku dhe Ahmedi thanë se nuk është valid, sepse s’ka pasë për këtë një nijet serioz.

Shkurorëzimi i gruas në këmbim me mehrin e vet

Nëse burri mendon se s’është i mundur vazhdimi i kurorës, mund ta përfundojë atë, që don të thotë do ta shfrytëzojë të drejtën për shkurorëzim. Por, a ka gruaja, vallë të njëjtën të drejtë, kur të bindet se nuk është e mundur jeta bashkëshortore? Këtu takohemi me “muhalaa” në të drejtën islame. Hul ose muhalaa është shkurorëzimi i gruas në këmbim me mall… Mehri që gruaja e fitoi gjatë aktit të kurorëzimit prej bashkëshortit të saj, mësuam se i takon vetëm asaj. Burri asgjë nuk mund të marrë nga ai. Gruaja mund të kërkojë shkurorëzim, kur të bindet se nuk ka fare mundësi për vazhdimin e jetës bashkëshortore, duke i dhënë një pjesë të mehrit ose krejt atë burrit të vet. Nëse mirret vesh me burrin, shkurorëzimi është valid. Sipas malikijve, nëse gruaja nuk mund të jetojë më me burrin dhe, nëse paraqitet te gjykatësi për shkurorëzim, ky do të vendosë për shkurorëzim, me kusht që ajo t’i japë burrit një pjesë ose tërë mehrin.

Sipas shpalljes në Kur’an nuk është hallall që burrat t’a marrin mehrin nga gratë. Atëherë kur u ka humbur shpresa që t’i plotësojnë dispozitat e kurorës, shkurorëzimi nuk është mëkat as për njërën nga palët. Gruaja e Thabit b. Kajsit, nga as’habët, erdhi te Pejgamberi a.s. dhe tha:

-O i Dërguar i All-llahut, s’kam asgjë kundër besimit dhe natyrës së burrit tim, por nuk po mundem ta duroj (ta dashuroj). Si një muslimane, nuk dëshiroj të jem shpirtligë (frikësohem nga mosplotësimi i obligimeve të mia ndaj tij, meqë assesi nuk mund ta dashuroj). Muhamedi a.s. i tha:

-A dëshiron t’ia kthesh kopshtin e tij (që ta kishte dhënë si mehr)- dhe kur u përgjegj ajo:

-Po, – Pejgamberi a.s. i urdhëroi burrit të saj:

-Pranoje kopshtin dhe shkurorëzohu”.

Po qe shkaku i shkurorëzimit muhalaa, ose nëse mosmarrëveshja ka filluar nga ana e burrit, ai duhet të ndahet pa e marrur mehrin. Po nëse e ka gruaja, burri do ta shkurorëzojë pa marrë më shumë nga mehri, sa e ka caktuar ai vetë gjatë kurorëzimit.

Është haram që burri ta detyrojë gruan të kërkojë shkurorëzim me qëllim të këmbimit me mall e as ta keqtrajtojë. Sipas hanbelijve, një muhalaa e këtillë nuk është valide.

/sinqeriteti/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit