Presidentja Atifete Jahjaga reagon për debatin e kontestimit të pronës publike që u ngrit të premten në Parlament, duke e kundërshtuar atë, pasi e cilëson si përpjekje të ndërhyrjes në pavarësinë e një institucioni. Kontesti bën fjalë për dhurimin e pronave publike/shoqërore të Komunës së Decanit që regjimi i Millosheviqit i bëri Manastirit të Decanit para luftës, vendim të cilin ndërmarrjet shoqërore të Decanit, qytetarët dhe Komuna e kundërshtojnë vazhdimisht dhe janë duke kontestuar edhe vendimet e gjykatave vendore. Ky vendim që dëmton ndërmarrjet shoqërore, qytetarët dhe komunën e Decanit u rimbështet edhe nga UNMIKU, EULEKSI dhe Gjykatat vendore. Vetëvendosje tash së fundi e kërkoj në nxjerrjen e një rezolute që do të kontestonte të gjitha vendimet e marra në periudhën 89-99, duke pasur si synim që me këtë rezolutë të krijohet një bazë për zgjidhjen edhe të këtij konteksti në dobi të qytetarëve të Kosovës.
Në një pronocim të Zyrës së presidentes për Radion Evropa e Lirë thuhet se Jahjaga është shqetësuar për këtë debat, i cili konteston të drejtën e Kishës Ortodokse Serbe mbi pronën që i është definuar në të kaluarën dhe problemet që mund të sjellë ky debat.
“Çështja e pronave në Kosovë dhe marrëdhëniet e tjera juridiko-civile, si dhe privatizimi i ndërmarrjeve, duhen parë në kontekstin e kohës dhe të rrethanave dhe duhet respektuar të gjitha procedurat ligjore”, shkruan në reagimin e Presidencës.
“Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës e shpreh mospajtimin me debatin në Kuvend, me të cilin tentohet që të bëhet kontestimi i trashëgimisë kulturore e fetare ortodokse serbe në Kosovë. Kjo çështje është e rregulluar shumë qartë me ligjet e Republikës së Kosovës dhe me Pakon e Ahtisaarit, si dhe është e garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në deklaratë.
Të premten në Kuvendin e Kosovës, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu, ka propozuar një rezolutë me katër pika, lidhur me, siç ka thënë, tjetërsimin e pronës publike dhe shoqërore gjatë periudhës 22 mars 1989 deri më 10 qershor 1999.
Ky dokument që i referohet “subjektit juridik publik” dhe bashkësive fetare, përfshirë Kishën Ortodokse Serbe, kërkon që të gjitha kontratat publike të lidhura gjatë kësaj periudhe dhjetëvjeçe, të konsiderohen si të pavlefshme dhe nuk krijojnë asnjë efekt juridik.
Ndërkaq, zyra e presidentes thekson se Jahjaga “është e thirrur të mbrojë kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë, në rastin e kontestimit të të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve të vendit, dhe në këtë rrafsh edhe të komunitetit serb në Kosovë, të trashëgimisë fetare dhe kulturore, si dhe të pacënushmërisë së pronës së Kishës Ortodokse Serbe në Republikën e Kosovës, si komunitet fetar i barabartë”, thotë Presidenca në prononcimin e dërguar Radios Evropa e Lirë.
Dhjetëraa protesta janë zhvilluar së fundi kundër pronës së Manastirit të Deçanit, ku banorët e fshatrave përreth ankohen pse prona e tyre është tjetërsuar në dy dekadat e fundit gjatë kohës së regjimit serb.