Sëmundjet kronike të veshkave po bëhen çdo ditë e më shumë problem i shëndetit publik në mbarë botën, ndërsa, sipas mjekëve, shoqërohen me sëmundshmëri dhe vdekshmëri të lartë.
Sipas të dhënave botërore, më shumë se 10% e popullsisë së rritur, apo 1 në 10 persona, ka ndonjë formë të dëmtimit të veshkave. Rreth 90 % e atyre që vuajnë nga sëmundja kronike e veshkave mbeten të paidentifikuar, ndërsa çdo vit, miliona vetë vdesin nga sëmundjet kardiovaskulare të lidhura me sëmundjet kronike të veshkave.
Ndërkohë, në vendin tonë, sipas studimeve të ndryshme, çdo vit janë rreth 400 raste të reja me sëmundje kronike të veshkave si, glomerulonefrite, infeksione të traktit urinar, nefropatia diabetike, kalkuloza renale, etj. Prezenca e sëmundjeve kronike të veshkave lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje kardiovaskulare. Vdekjet nga sëmundjet kardiovaskulare janë 8 herë më të larta tek pacientët me sëmundje kronike të veshkave.
Për parandalimin e sëmundjeve të veshkave, specialistët këshillojnë kryerjen e aktivitetit fizik në mënyrë të moderuar të paktën 30 minuta në ditë në pesë ditë të javës, mbajtja nën kontroll e nivelit të sheqerit në gjak, tensionit të gjakut, ushqyerja në mënyrë të shëndetshme, mbajtja nën kontroll e peshës trupore. Mjekët rekomandojnë moskonsumimin e duhanit, medikamenteve pa rekomandimin e mjekut, ekzaminimet e vazhdueshme, etj.
Sëmundjet e veshkave mund të ndodhin tek kushdo, por më të rrezikuar janë personat mbi 50 vjeç, pacientët që vuajnë nga diabeti, nga tension i lartë i gjakut, njerëzit me një histori familjare të sëmundjeve të veshkave, ata me mbipeshë, duhanpirësit, etj.
Ndërkohë, mjekimi zëvëndësues i funksionit të veshkave ku hyjnë dializa, dializa peritoneale dhe transplanti i veshkës, edhe pse konsiderohet jetëshpëtues, rezulton të jetë një nga procedurat mjekësore problematike dhe nga më të shtrenjtat. Aktualisht numri i të sëmurëve që trajtohen me dializë, nga 120 në vitin 2005, është rritur në rreth 600 ne fund te 2012. Për të përballuar ofrimin e këtij shërbimi, për shkak te kapaciteteve te pamjaftueshme ne spitalet publike ministria ka kontraktuar dhe me qendra dialize jopublike.
Krahas punës së bërë në këtë drejtim, Ministria e Shëndetësisë po punon dhe në drejtim të trajtimit natyral të insuficiencës renale kronike nëpërmjet transplantit renal. Ministria e Shëndetësisë krahas buxhetit për realizimin e dializës, ka planifikuar për këtë vit një buxhet të veçante për realizimin e 30 transplanteve. Për këtë qellim shërbimi i nefrologjisë po punon për përgatitjen e pacienteve dhe dhuruesve (testeve te pajtueshmerise dhe testeve te tjera laboratorike) për realizimin e këtyre transplanteve me donatore familjare.