4.4 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

Deputeti Sali Asllanaj gjykohet se keqpërdori 1 Milion Euro

Më të lexuarat

Ish-kryetari i Suharekës, Sali Asllanaj, aktualisht deputet i Kuvendit të Kosovës, akuzohet se më 27 gusht 2008, kishte nënshkruar paligjshëm marrëveshjen për shfrytëzimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore, duke ia mundësuar organizatës “Ben-Af”, ndërtimin e një strukture afariste banesore, duke e garantuar investitorin për shfrytëzim të përhershëm të ngastrës kadastrale. Me këtë rast, “Ben-Af” përfitoi materialisht më shumë se një milion euro.

Sali Asllanaj kishte angazhuar dy mbrojtës, mirëpo avokati Ethem Rogova, nuk u paraqit në gjykim, pasi ishte i angazhuar në një seancë tjetër.

Pas marrjes së mendimit të të akuzuarit, shqyrtimi vazhdoi duke theksuar se avokati kryesor do të jetë Sead Haliti.

Meqë i akuzuari aktualisht është deputet i Kuvendit të Kosovës, prokurorja e konsultoi edhe Kushtetutën dhe duke u thirrur në nenin 75 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, ajo konsideroi se këtu nuk kemi të bëjmë me imunitet, sepse vepra penale për të cilën akuzohet Asllanaj është kryer në kohën kur ai ka qenë kryetar i Komunës së Suharekës.

Vetë Asllanaj sqaroi se nuk ka kërkuar që të mbrohet nga imuniteti i deputetit. “Nuk e di pse prokurorja e ngriti këtë çështje”.

Pas konsultimit, trupi gjykues mori vendim që seanca gjyqësore të vazhdojë.

Prokurorja e rastit, pas leximit të aktakuzës, e bëri ricilësimin e veprës penale. Sipas Kodit të vjetër Penal, ajo ishte cilësuar si vepër penale “shpërdorim i pozitës zyrtare, ose autorizimit”, nga neni 339, paragrafi 3, për të cilin dënimi parashihej deri në tetë vjet burg, në veprën penale “keqpërdorimi i pozitës, apo autoritetit zyrtar”, e cila parashihet në Kodin e ri Penal, nga neni 422, sipas të cilit parashihet dënimi deri në pesë vjet burg.

Prokurorja tha se kjo është bërë për shkak të aplikimit të ligjit më të favorshëm për palën.

52-vjeçari Sali Asllanaj, nga fshati Gjinoc i Suharekës, ish-kryetar i Komunës së Suharekës, tani deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, akuzohet nga departamenti i krimeve të rënda të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për kryerje të veprës penale “keqpërdorim i pozitës, apo autoritetit zyrtar”.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Asllanaj, në periudhën kohore prej 23 nëntorit 2006 deri më 28 dhjetor 2009, në cilësinë e kryetarit të Komunës së Suharekës dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për organizatën e biznesit, ka shpërdorur pozitën e tij zyrtare, duke mos i përmbushur detyrat zyrtare. Sipas aktakuzës, më 23 nëntor 2006, Asllanaj ka miratuar kërkesën e “Ben- Af” LLC, për përdorimin e ngastrave kadastrale shoqërore 680/1 dhe 680/2, me qëllim të ndërtimit të strukturave afariste banesore dhe ka lidhur një marrëveshje të veçantë mes “Ben-Af”, LLC dhe Komunës së Suharekës me qëllim të ndarjes për përdorimin e tokës.

Më 27 gusht 2008, ai nënshkruan marrëveshjen për shfrytëzimin e tokës ndërtimore në pronësi shoqërore në cilësi të përfaqësuesit të Komunës së Suharekës, me të cilën i është mundësuar “Ben-Af”-it ndërtimi i një strukture afariste banesore, duke e garantuar investitorin për shfrytëzim të përhershëm të këtyre ngastrave kadastrale.

Si rrjedhojë e këtyre veprimeve, i pandehuri ka vepruar në kundërshtim me Rregulloret e UNMIK-ut për alokimin afatgjatë të pronës së patundshme shoqërore të menaxhuara nga komunat e Kosovës, si dhe në kundërshtim të Ligjit për Prokurim, duke mos marrë nga Ministria e Pushtetit Lokal autorizim për lidhjen e marrëveshjes dhe duke mos e zbatuar procesin e tenderit para nënshkrimit të marrëveshjes. Me këtë rast, organizata e biznesit “Ben-Af”, me ndërtimin e strukturës afariste banesore përfiton materialisht shumën prej më shumë se një milion euro.

I akuzuari nuk e pranoi fajësinë për veprën penale me të cilën e ngarkon prokuroria.

Në këtë seancë, fillimisht u dëgjua dëshmitari Muhamet Veliu, i cili nga viti 2007 kishte punuar si asamblist komunal në Suharekë, nga radhët e PDK-së, njëkohësisht kishte qenë edhe anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe Transparencë.

“Meqë ka qenë shpallja publike për dhënien me qera të pronës së ‘25 Majit’, jam interesuar në bordin e ‘25 Majit’, ata më kanë thënë se është shpallja. Mirëpo kur shkova aty, nuk kishte shpallje. Atë e kishte shqyer pronari i ‘Ben-Af’- it, Bekim Kuçi. Pasi e kishte shqyer shpalljen, ai kishte kërcënuar edhe bordin, duke i thënë se ai vend do të jetë i tij dhe se nuk ka nevojë me konkurru tjetërkush”, tha Veliu.

“Unë kam kuptuar se kryetari kishte lidhë marrëveshje me ‘Ben-Af’-in për prishjen e objektit ’25 Maji’, me qëllim të ndërtimit të bizneseve. Pastaj Bekim Kuçi, në vitin 2008 ka bërë kërkesë që parcela t’i jepej për biznes të përhershëm. Disa anëtarë nuk kanë qenë prezentë. Unë kur i kam kuptuar manipulimet, e kam lëshuar mbledhjen”, vazhdoi Veliu, ish-anëtar i Komisionit për Legjislacion dhe Transparencë.

Dëshmitari Veliu, në fund të dëshmisë, e njoftoi trupin gjykues për kërcënimet që po i vijnë pas dëshmisë së këtij rasti. “Dua të ju njoftoj se prej momentit që e kam filluar këtë rast, kam shumë presione dhe kërcënime”.

Mirëpo kryetarja e trupit gjykues e ndërpreu, duke e udhëzuar që këto raste t’i lajmërojë në Prokurori.

U dëgjuan edhe dëshmitarët Nadire Hoxha dhe Bashkim Berisha, të cilët po ashtu ishin këshilltarë në Kuvendin Komunalë të Suharekës, në kohën kur besohet se është kryer vepra penale. Të dy dëshmitarët, në janar të vitit 2012, kanë dhënë deklaratat e tyre në Prokurori.

Seanca e radhës do të mbahet më 22 mars, kur do të dëgjohen edhe dy dëshmitarë të tjerë./jnk

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit