“Kush agjëron Ramazanin me besim dhe duke qenë i bindur në shpërblimin e Zotit,
atij i falen të gjitha gabimet e kaluara.” (Buhariu – Muslimi)
Profeti Muhamed a.s. kur thotë për agjërimin e Ramazanit me besim dhe shpresë, nënkupton që agjërimi duhet mbajtur me ndërgjegje dhe dëshirë të plotë. Obligimet islame të çdo lloji qofshin, duke futur këtu krahas agjërimit edhe faljen, zekatin, haxhin etj., kryhen në emër të Zotit dhe për hir të Tij. Ka njerëz që e kanë të nevojshme të mbajnë dietë për shkak të mbipeshës. Kjo lloj diete e mbajtur në Ramazan, mund ta ndihmojë njeriun në pakësimin e dhjamërave, por nuk ka asnjë ndikim në kalitjen shpirtërore të ndërgjegjes. Agjërimi i Ramazanit, që bëhet në emër të Zotit ka shpërblim të madh, sepse shoqërohet me një cikël veprimtarish gjatë gjithë ditës, që nga agimi deri në perëndimin e diellit. Qëllimi i agjërimit është kalitja e ndërgjegjes së njeriut, përsosja e vazhdueshme dhe e pandërprerë e saj, pajisja e myslimanit me virtyte humane, me synim që kjo sjellje të praktikohet me ndërgjegje e bindje të plotë dhe me dashuri.
Periudha e Ramazanit është pastrim për njeriun nga ndotësitë e mëkateve të bëra gjatë vitit, pasi agjërimi në Ramazan është si një dush shpirtëror, në të cilën njeriu hyn një herë në vit për të larë njollat e mëkateve të tij, e për të dalë prej tij më pas krejtësisht i pastër. Ramazani është muaji kur Allahu i shumëfishon shpërblimet për agjëruesit dhe i ngre ata në shkallët e larta të devotshmërisë. Përmes agjërimit shprehet më së miri besimi, bindja, sinqeriteti, solidariteti, virtyte këto të cilat duhet të stolisin çdo besimtar. Me anë të agjërimit në këtë muaj, arrijmë të krijojmë një jetë më të ngritur shpirtërore, një atmosferë mirëkuptimi, mirësjelljeje, devocioni, një atmosferë bujarie, ndershmërie dhe përgjegjësie, duke i pranuar gabimet dhe duke kërkuar faljen e Zotit.
Kjo kohë është kaq e begatë, sa gjumi i agjëruesit vlerësohet si adhurim, kurse heshtja e tij si madhërim i Zotit. Mirësive dhe adhurimeve që bën agjëruesi u jepen shpërblime të shumëfishta. Allahu ia pranon lutjet dhe ia fal mëkatet. Lidhur me këtë Profeti Muhamed a.s. thotë: “Ai që bën një të mirë gjatë këtij muaji është sikur të ketë kryer një farz (detyrim) në muajt e tjerë. Ndërsa ai që kryen një farz në këtë muaj, është sikur të kishte kryer shtatëdhjetë farze gjatë muajve të tjerë. Gjesti i dikujt që i jep iftar një të agjëruari mund të bëhet pretekst për faljen e mëkateve të tij dhe për shpëtimin nga xhehenemi. Në të njëjtën kohë, ky është edhe një pretekst për fitimin e shpërblimit të një agjërimi, pa iu pakësuar shpërblimi aspak ngrënësit të iftarit.”[1].
Islami i shikon interesat e shoqërisë mbi interesat e individit. Shërbimi ndaj Zotit bëhet nëpërmjet një jete të pastër në shumëllojshmërinë e shoqërisë. Zoti i ka krijuar njerëzit me kapacitete të ndryshme fizike, emocionale, intelektuale dhe shpirtërore. Ai na ka bërë të gjithëve të kemi nevojë për njëri-tjetrin për përfitime të dyanshme. Nga kjo pikë nënkuptohet që Ramazani dhe respektivisht agjërimi në këtë muaj ka rëndësi sociale, sepse secili person kërkon me veprimet e tij të dalë në dritë e gjithë shoqëria islame, duke u bërë kështu të devotshëm, të mirëorganizuar dhe të mirëdisiplinuar. Pra, shoqëria myslimane gjatë këtij muaji, jeton dhe punon sipas kodit hyjnor moral të shkruar në Kur’anin e Shenjtë. Duke agjëruar, njeriu mënjanon me ndërgjegje ushqimin sipas orarit të caktuar nga agimi deri në perëndim të diellit, largon mendimet dhe sjelljet e pahijshme dhe shton ndjenjën e tolerancës, aq të nevojshme për shoqërinë ku jetojmë, duke kontribuar kështu për harmonizimin e raporteve në familje, punë dhe shoqëri.
Të privosh veten nga gjërat thelbësore të jetës, nuk është një akt i lehtë. Kjo kërkon një personalitet të fortë për të pasur një vetëkontroll, vetëdisiplinë dhe vetëpërmbajtje. Ky program vetushtrues gjatë muajit të Ramazanit ka rëndësi të veçantë në jetën e përditshme. Një besimtar që mund të përmbajë veten nga gjërat thelbësore të jetës për një kohë të caktuar dhe kur këtë e bën për hir të dashurisë për Allahun, meriton një shpërblim nga vetë Krijuesi. Prandaj Zoti e konsideron agjërimin të Tijin, kur thotë: “Çdo punë e njeriut është e tija, përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe vetëm Unë e jap shpërblimin për të. Besimtari e lë ushqimin për Mua, largohet nga gruaja e tij vetëm për Mua dhe braktis dëshirat e tij vetëm për Mua”.[2] Krijuesi i Lartë në një tjetër hadith kudsij thotë: “Kush agjëron një ditë për Mua, shpërblimin e tij do e jap Unë”[3]. Kjo do të thotë se ky shpërblim i Allahut, nuk llogaritet me njësi matëse apo peshore, por jepet drejtpërdrejt nga Ai, në masën që vetëm Ai e di.