Selia e Shenjtë e Vatikanit do të mbetet bosh. Papa Benedikti XVI dha dorëheqjen. Ekspertët ia atribuojnë këtë abdikim të Papës faktit se katolicizmi bashkëkohor po përballet aktualisht me një krizë tejet serioze, kurse problemet e akumuluara për dekada të tëra me radhë dhe të lëna në heshtje me vetëdije nga Vatikani, Benedikti XVI gjatë viteve të qëndrimit të tij në fronin papal jo vetëm që nuk i zgjidhi, por madje dhe i përkeqësoi.
Periudha e qëndrimit të Kardinalit Jozef Ratzinger në Fronin e Papës së Romës është shoqëruar vazhdimisht me skandale të bujshme ndërkombëtare. Njëri prej tyre është i lidhur me deklaratën e tij jokorrekte në adresë të myslimanëve dhe besimit të tyre në vitin 2006. Pikërisht kjo dhe përcaktoi në shumë gjëra karakterin mjaft agresiv të Islamit modern në vendet e BE-së, thotë teologu Juri Tabak:
– Papa citoi atëhere një mesazh të Perandorit bizantin Manuel II, në të cilin Profeti Muhamed përshkruhet në mënyrë aspak të hijshme, me paragjykim. Në të është pohuar se pikërisht ai solli shpatën dhe derdhjen e gjakut. Bota myslimane u revoltua kundër këtij deklarimi, pati shumë e shumë të pakënaqur.
Skandalet e fundit, në të cilat figuron emri i Pontifikut që po largohet nga froni papal, janë të lidhura me priftërinjtë pedofilë. Pavarësisht nga fakti se Selia e Shenjtë e ka dënuar në mënyrë të përsëritur këtë fenomen dhe ka premtuar se do ta luftojë atë, Benedikti XVI demonstroi shembullin e kundërt, kujton Juri Tabak:
– Pesë vjet më parë ai u drejtua me një letër në lidhje me çështjen e priftit nga Kalifornia, i cili ishte akuzuar për përdhunimin e dy djemve. Atëhere Papa bëri thirrje për të treguar ndaj klerikut përkujdes atëror dhe për ti dhënë përkrahje atij, gjë kjo që shkaktoi zemërimin dhe indinjatën e thellë të opinionit publik.
Të gjitha këtyre iu shtuan edhe problemet e brendshme të kishës: një pjesë e priftërinjve filloi të lobojë temën e anulimit të celibatit (beqarisë), u paraqitën kërkesa për të lejuar përdorimin e kontraceptivëve dhe madje për të legalizuar abortin. Në disa raste të veçanta pati kërkesa edhe për lejimin e kurorëzimit të homoseksualëve. Tendencat liberale, që solli në traditat katolike bota e cila po ndryshon me ritme jashtëzakonisht të shpejta, dolën shumë më të forta se mësimet e Kanunit të Shenjtë. Dhe duke parë se Vatikani, i përfaqësuar nga Benedikti XVI, jo vetëm që nuk po përpiqet të korrektojë, të përshtasë disi me kohën rregullat dhe dogmat tradicionale fetare, por, përkundrazi, po forcon kufijtë e konservatorizmit dogmatik, besimtarët e BE-së filluan të distancohen me shpejtësi nga Kisha Romake.
Gjëja e fundit që prisnin nga Benedikti XVI, para dorëheqjes së tij, ishte publikimi i rezultateve të hetimit në lidhje me të ashtuquajturin rast (çështje) të Vatiliks – tërësinë e ngjarjeve që përfshijnë vjedhjen prej shërbëtorit të Pontifikut të dokumenteve sekrete të Selisë së Shenjtë dhe dorëzimin e tyre gazetarëve. Por këtë informacion, po ashtu si dhe shumë probleme të tjera aktuale të Kishës Katolike bashkëkohore, Benedikti XVI preferoi të mos i zbulojë dhe t’ia lërë trashëgim Papës së ardhshëm./rvr