1.1 C
Pristina
Thursday, December 26, 2024

776 shkencëtarë peticion qeverisë shqiptare: Ndalo hidrocentralet në lumin e Vjosës

Më të lexuarat

Në një prej peticioneve më të mëdha shkencore për ujërat e ëmbla të të gjitha kohërave, 776 shkencëtarë dhe ekspertë nga e gjithë bota i kanë kërkuar qeverisë shqiptare të ndalojë ndërtimin e digave mbi lumin Vjosë.

“Vjosa, i vetmi lum i egër që na u la ashtu si u krijua nga natyra, është një lum që ja kemi borxh brezave tanë të ardhshëm,” tha profesor Ferdinand Bego nga Universiteti i Tiranës.

“Është shpëtimi i vetëm për ne dhe gjeneratat e ardhshme, të cilët do të jetojnë në këtë vend për të korrigjuar gabimet tona dhe për të rikuperuar jetën e egër të lumenjve edhe për lumenjtë e tjerë në vend,” shtoi ai.

Planet për ndërtimin e hidrocentraleve mbi lumin e Vjosës kundërshtohen prej vitesh nga banorët e zonës, aktivistët mjedisorë vendas dhe të huaj si dhe grupe të shkencëtarëve, të cilët e konsiderojnë Vjosën si lumin e fundit të egër në Europë që nuk duhet të cenohet nga digat.

Në vitin 2017, aktivistët mjedisorë triumfuan në gjykatë duke e nxjerrë të pavlefshme kontratën koncesionare të qeverisë për hidrocentralin e Poçemit. Megjithatë, qeveria miratoi në vitin 2017 një koncesion të ri për ndërtimin e HEC-it në Kalivaç në favor të kompanisë turke Ayen-Alb dhe kompanisë Fusha sh.p.k.

Në fund të janarit kompania Abkons – e kontratktuar nga Ayen-Alb dhe Fusha Sh.p.k, prezantoi në Memaliaj raportin të ndikimit në mjedis pwr hidrocentralin me fuqi të instaluar 111 MW.

“Raporti i Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis i prezantuar ishte më shumë një karikaturë e një VNM-je sesa një VNM e vërtetë dhe serioze,” tha prof.Fritz Schiemer nga Universiteti i Vienës gjatë konferencës për shtyp të mbajtur në Tiranë.

“Monitorimet tona personale tregojnë një vlerë të madhe të ekosistemit të Vjosës. Duhen studime të mëtejshme 2-3 vjeçare si bazë për një VNM eficente,” shtoi ai.

Kundër ndërtimit të nëj dige në Vjosë është dhe prof. Klodian Skrame nga Universiteti Politeknik i Tiranës, i cili nënvizon se një risk tjetër potencial është dhe ai sizmik.

“Duke qenë se ai vend është një zonë me aktivitet të lartë sizmik, ngritja e një dige në Vjosë do ishte një vendim tepër i gabuar”, shprehet ai.

Peticioni i drejtohet qeverisë shqiptare, përkatësisht kryeministrit Edi Rama, Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi dhe Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.

Firmëtarët paralajmërojnë për rreziqet dhe pasojat e projekteve të digave të hidrocentraleve në Vjosë, si humbja e vlerave unike ekologjike, përkeqësimi i cilësisë së ujit, përkeqësimi i ujërave nëntokësorë, rreziqet e aktiviteteve sizmike, erozioni bregdetar, etj.

Megjithatë, as Kryeministri dhe as Ministria e Turizmi dhe Mjedisi ishin të gatshëm të pranonin peticionin. Në vend të kësaj, dhe në emër të popullit shqiptar, Presidenti Ilir Meta pranoi peticionin dhe përshëndeti një delegacion shkencor të premten, me 14 shkurt.

Gjatë konferencës për shtyp, të gjithë ekspertët u shprehën të gatshëm që ta mbështesin qeverinë shqiptare në lidhje me parametrat e një studimi të standardizuar dhe serioz në lidhje me Vlerësimin e Ndikimit në Mjedis, duke theksuar se autoritetet shqiptare duhet të fillojnë një procedurë të denjë dhe të vërtetë në lidhje me projektin e Kalivaçit/Reporter.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit