Kanë kaluar gati 74 vjet që kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) hodhën bomba atomike në qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki më 6 dhe 9 gusht të vitit 1945 gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Bomba me uranium, me forcën e 13 mijë TNT, shkatërroi 70 për qind të Hiroshimës duke krijuar nxehtësi prej 3.000 centigradësh. Bomba atomike rrafshoi me tokën çdo gjë në një diametër prej 1,5 kilometra, ndërsa shkaktoi 80 mijë të vdekur vetëm në fazën e parë dhe 140 mijë deri në fund të vitit 1945.
Teksa shumë njerëz të plagosur vdiqën ende pa iu nënshtruar ndihmës mjekësore, shumë të tjerë që shkuan në qytet për të dërguar ndihma po ashtu humbën jetën si pasojë e ekspozimit ndaj shiut radioaktiv të shkaktuar pas hedhjes së bombës.
Ndërkaq, në Nagasaki, kodrat përreth qytetit kufizuan përhapjen e forcës shkatërruese të bombës me fuqi 22 mijë TNT të hedhur nga një lartësi prej 500 metrash, megjithatë, afër 70 mijë persona humbën jetën në fazën e parë dhe gjysma e qytetit u shkatërrua.
– Justifikimi me kërcënimin sovjetik
Gjersa lufta vazhdonte, arsyetimi i presidentit të atëhershëm amerikan Harry Truman për përdorimin e bombave atomike thuhet se ishte edhe demonstrimi i forcës nga ana e Bashkimit Sovjetik dhe kërcënimi sovjetik në Azinë Lindore pas Evropës Lindore.
Edhe pse Britania, Kina dhe SHBA në fund të korrikut të vitit 1945 i bënë thirrje Japonisë për dorëzim përmes Deklaratës së Potsdamit, Japonia deklaroi se nuk do të dorëzohet “pa kushte”.
Në fillim të gushtit, Japonia i propozoi “paqe të dakorduar” frontit të Aleatëve, të cilët refuzuan propozimin, me çka, në javën midis 6 dhe 12 gushtit, të hënën u hodh bomba në Hiroshimë dhe të enjten në Nagasaki.
Perandori i atërhershëm i Japonisë, Michinomiya Hirohito, në mesazhin e tij më 15 gusht deklaroi dorëzimin e vendit të tij pa kushte, duke thënë se “vazhdimi i luftës do ta shkatërronte popullin japonez”.
– Pse u hodhën bombat?
Siç thuhet, Hiroshima u vu në shënjestër për shkak të bazave ushtarake, kurse Nagasaki për shkak të industrisë së rëndë.
Hedhja e bombës në Nagasaki i dha fund zyrtarisht betejave që vazhdonin në Paqësor.
Edhe pse kanë kaluar 74 vite nga katastrofa bërthamore, ende mbetet e paqartë pse SHBA zgjodhi bombat atomike për t’i dhënë fund luftës.
– Hibakusha
Derisa në njërën anë amerikanët deklarojnë se numri i të vdekurve nga bombat atomike është 117 mijë, japonezët, në anën tjetër, thonë se kjo shifër arrin deri në gjysmë milion. Të dëmtuarit nga katastrofa atomike, të njohur si “Hibakusha”, u përballën me plagë të tmerrshme.
– Bota nën hijen e luftës bërthamore
Krahas dorëzimit të Japonisë, bombat atomike, të cilët përbënin një pikë kthese të luftës, shkaktuan edhe transformimin e marrëdhënieve ndërkombëtare.
SHBA dhe Bashkimi Sovjetik formuluan mënyrën e montimit të bombave të fuqishme me hidrogjen në raketa balistike ndërkontinentale (ICBM), me çka hodhën hapin drejt epokës së “përdorimit të forcës ekstreme”.
Mes viteve 1960 dhe 1990, bota hyri në periudhën e “Luftës së Ftohtë” që u kaloi nën hijen e luftës bërthamore, por gjatë së cilës dy fuqitë bërthamore asnjëherë nuk morën guximin t’i hapin luftë “të drejtpërdrejtë” njëra-tjetrës./AA