Mirësia e tij është madhështore, duke marrë për bazë hadithin kudsij të të dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!), ku thotë: “çdo vepër e birit të Ademit (e çdo njeriu) është e tij, përveç agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërblej për të. Pasha Atë në dorën e të Cilit është jeta ime (Allahun), era e gojës së agjëruesit tek Allahu është më e mirë se era e miskut (parfumit).”
Këtë hadith e qartëson edhe transmetimi tjetër, në të cilin thuhet: “ Për çdo vepër (të mirë) që bën biri i Ademit, shpërblimi për të i shumëfishohet nga 10 deri në 700 herë, përveç agjërimit. Ai është për Mua dhe Unë (Allahu) e shpërblej.”
Bazuar në këtë shumëfishim të përgjithshëm, veçojmë edhe mirësitë e veçanta të cilat kanë ardhur vetëm për këtë muaj. Nga fjala e Muhamedit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!): “Kush e agjëron muajin Ramazan me bindje dhe përkushtim, do t’i falen mëkatet e kaluara”, si dhe fjalët: “Agjërimi i muajit të durimit (Ramazanit) dhe tri ditëve në çdo muaj, është sikur të agjërosh gjithë vitin”.
Ibn Abdul-Berr sqaron dhe thotë: “Agjërim në gjuhën arabe, do të thotë durim.” Ebu Bekr ibn el Anbari thotë: “Agjërimi quhet durim, ngase agjërimi të ndalon (burgos) nga ushqimi, pirja, marrëdhëniet dhe epshet…”
E dyta: NGRITJA PËR NAMAZ .
Teravitë të cilat janë sunet falen me xhemat (në bashkësi) gjatë çdo nate të muajit Ramazan, duke u bazuar në thënien e të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ku thotë: “Kush falet me imam, i llogaritet sikur të jetë falur gjithë natën”, ndërsa për rëndësinë e përkushtimit thotë: “Kush falet me bindje dhe përpikëri, i falen mëkatet e tij të mëparshme”.
Mendimi më i saktë për numrin e rekateve që duhet të falen në këtë muaj, por edhe gjatë muajve të tjerë, është transmetuar në veprat e të dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) se ai ka falur 11 rekate. Dihet se ai (i dërguari) (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) është shembulli më i mirë dhe i vetmi që meriton të pasohet.
E treta: LËMOSHA.
Muhamedi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka qenë gjithmonë dorëdhënës, e sidomos gjatë muajit Ramazan. Kjo lëmoshë përfshin të gjitha dhëniet dhe punët e mira, e që nënkupton; kopshti i dhënies, shumimit të të mirave dhe prodhimeve të këndshme.
E katërta: GOSTIA E AGJËRUESIT.
I dërguari i Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) i ka dhënë shumë rëndësi të ushqyerit, duke premtuar shpërblime të mëdha. Një ndër thëniet e tij në këtë temë është: “Kush ushqen një agjërues e ka shpërblimin si të atij (agjëruesit), duke mos i pakësuar aspak nga shpërblimi i tij (agjëruesit).”
E pesta: LEXIMI I KURANIT.
Muaji i Ramazanit është muaji i Kuranit, ashtu siç thotë Allahu në Kuran: Muaji i Ramazanit në të cilin (filloi të) shpallet Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, sqarues i rrugës së drejtë dhe dallues (i së vërtetës nga gënjeshtra)…” (Bekare, 185). Ndërsa nga tradita e të dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) si vërtetim për këtë, është se Xhibrili ia ka përsëritur atij Kuranin çdo natë të këtij muaji.
E gjashta: UMREJA.
Vizita e Qabesë në një kohë jashtë kohës së Haxhit. Buhariu dhe Muslimi kanë transmetuar se Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Umreja në muajin e Ramazanit është e barazvlefshme me një Haxh me mua.” Këtu nuk harrojmë një vërejtje të vogël, e ajo është se Umreja në 10 ditët e fundit të muajit të agjërimit nuk ka vlerë më të madhe sesa ditët e para. Kujdes!
Allahu ju mëshiroftë, shikojini këto mirësi madhështore dhe mirëdhënëse.
E shtata: KËRKIMI I NATËS SË KADRIT.
Allahu i Madhëruar thotë në Kuran: “Ne e zbritëm atë (Kuranin) në natën e Kadrit. E ç’të shtyri të dish se ç’është nata e Kadrit? Nata e Kadrit është më e vlefshme se një mijë muaj! Me lejen e Zotit të tyre (në atë natë) zbresin engjëjt dhe shpirti (Xhibrili) për secilën çështje. Ajo (që përcakton Zoti) është paqe deri në agim të mëngjesit.” (Kadr, 1-5) Gjithashtu, transmetohet në dy sahihat se Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Kush ngrihet (për namaz) në natën e Kadrit me besim dhe përpikëri, do t’i falen mëkatet e kaluara. Ajo është në një nga netët tek të dhjetë netëve të fundit të muajit të agjërimit”. Transmetohet nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të) se ajo i ka thënë të Dërguarit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!): “çfarë të them nëse e gjej natën e Kadrit? Ai i është përgjigjur: “Thuaj: O Allah, me të vërtet Ti je Falës dhe e do faljen. Më fal mua…” Nga veprat që duhet të ruhemi në përgjithësi e veçanërisht në muajin e Ramazanit, janë disa vepra të cilat mbështeten në hadithe të dobëta dhe të trilluara, e kjo padyshim hyn në trillimet ndaj Pejgamberit (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Ajo që është bërë e njohur në ditët e sotme janë fitnet dhe problemet që na rrethojnë, madje dhe disa njerëz që i mveshin thënie të Dërguarit të Allahut (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!). Ndër këto trillime dhe shpifje është edhe ajo që thonë disa, sikur Pejgamberi (Paqja dhe lavdërimet e Allahut qofshin me të!) ka thënë: “Do të kumbojë një zë në muajin e agjërimit. I kanë thënë (të pranishmit): Kur do të ndodhë kjo; në fillim, në mes apo në fund? Ka thënë: Jo, do të kumbojë në mes të muajit të agjërimit. Nëse është e xhuma nata e mesme e muajit të agjërimit, do të thërrasë një zë nga qielli, do të bërtasë … pastaj pason një zë tjetër … zë në muajin e agjërimit …” dhe se fiset dallohen (kush është më i mirë) në Dhilkade etj. Ka dhe shumë transmetime të tjera të trilluara porsi ky hadith, siç thotë Ibn el Xheuzi në “El Meuduat” (3/191) dhe El Xheunakani në “El Ebatil” (2/82).