-0.5 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

6 vjet burg për vdekjen e 40 personave, lidhja me Rrugën e Kombit

Më të lexuarat

Administratori i shoqërisë që zbaton koncesionin e Rrugës së Kombit, Nicola Spadavecchia, u dënua dje me 6 vjet burg nga Gjykata e Avenilos në Itali.

Spadavecchia u shpall fajtor për ‘shpërdorim detyre’, pasi gjatë kohës që ka punuar si inxhinier për kompaninë ‘Autostrade per Italia’, nuk ka kryer kontrollet dhe mirëmbajtjen e nevojshme të urës Acqualonga, urë në të cilën humbën jetën 40 besimtarëve në vitin 2013, të cilët udhëtonin në një autobus që doli nga ura për shkak të mbrojtësve të dëmtuara.

Nicola Spadavecchia u emërua administrator i vetëm i shoqërisë ‘Albanian Highway Concession’ shpk, në fund të tetorit 2017, edhe pse ishte 67 vjeç, i dalë në pension dhe nën hetim për aksidentin tragjik.

Ende dhe sot Spadavecchia vazhdon të jetë administrator-mandati i tij përfundon në vitin 2022.

Aksidenti për të cilën u dënua Nicola Spadavecchia

Më 28 korrik 2013, një autobus me 49 pelegrinë që ktheheshin nga vendi i shenjtë i Padre Pios, i mbetur pa frena, ra në humnerë duke marrë me vete 14 bordura anësore të sigurisë, të bëra me çimento të tipit “Neë Jersey” (si ato të autostradës Tiranë-Durrës) që sipas ekspertizës gjyqësore nuk ishin kontrolluar dhe mirëmbajtur siç duhej dhe si pasojë ato nuk siguruan mbrojtjen e nevojshme për të ndaluar daljen e autobusit nga ura.

Në atë aksident humbën jetën 40 persona, që shokuan dhe prekën gjithë Italinë.

Hetimi i mëpasshëm i Autoritetit Kombëtar Antikorrupsion të Italisë, i drejtuar nga gjykatësi antikorrupsion Raffaele Cantone, arriti në konkluzionin se në vitin 2009, në një tender të rëndësishëm për rindërtimin e barrierave anësore në atë pjesë të autostradës, e cila administrohej nga Spadavecchia, nuk u përfshi zëvendësimi i barrierave të vjetra, të cilat as nuk ishin kontrolluar, pavarësisht se ishin të gërryera në pjesën e lidhjes me asfaltin.

Shkaku kryesor i aksidentit tragjik ishte mungesa e mirëmbajtjes së autobusit, i cili kishte dokumente fallco kolaudimi. Në një moment, autobusit i ishte prishur sistemi i transmetimit duke e bërë të pamundur uljen e shpejtësisë, ndërsa frenimi nuk kishte arritur ta mbante brenda urës. Autobusi u përplas me barrierën anësore të sigurisë, të cilat janë shkëputur menjëherë pasi ishin tërësisht të gërryera, duke mos ndaluar dot daljen e autobusit nga ura. Gjykara arriti në përfundimin se, pavarësisht se shkaku i aksidentit ishte defekti i autobusit, barrierat e pamirëmbajtura ishin faktor vendimtar në tragjedi. Për këtë arësye, gjykata ka dënuar administratorin e kompanisë që duhet të bënte mirëmbajtjen.

Marrë nga Exit.al

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit