Një letër e shkurtër dhe një krismë arme janë gjërat e fundit që i kanë mbetur në kujtesë nga bashkëshorti i saj, gruas së një ish-ushtari të luftës së fundit në Kosovë.
Pamundësia që t’i siguronte familjes kushte më të mira jetese, pasi kishte mbetur pa punë që para 10 vjetësh, i dha fund jetës në një gjendje të rënduar psikologjike, shkruan “Koha Ditore”.
“Si me prezencën time, ashtu edhe pa të, ti vet po i rrit fëmijët. Unë moti veç po ju shpenzoj se nuk po ju ndihmoj me asgjë”, i ka përsëritur bashkëshortja e tij fjalët e fundit që ua kishte lënë në letër.
Dikur ushtar i UÇK-së, 47-vjeçari A.H nga komuna e Pejës në mars të vitit të kaluar kishte vendosur t’i jepte fund jetës, duke kryer vetëvrasje. Rrugën e tij që pas luftës e ndoqën edhe 44 ish-ushtarë tjerë.