-0.8 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

30 mijë vizitorë brenda ditës në QKUK

Më të lexuarat

Qendra Klinike Universitare e Kosovës frekuentohet nga më shumë se 30 mijë vizitorë gjatë ditës.

Kjo del sipas një analize të Inspektoratit Sanitar.

Ibrahim Tërshnjaku, inspektor sanitar, thotë se brenda një dite një pacient i shtrirë në klinikë, vizitohet nga 5 deri në 10 vizitorë, kryesisht familjarë.

“Gjatë kontrolleve që kemi bërë në QKUK, kemi konstatuar se mbi 3 mijë të sëmurë, pra 3 mijë shtretër sa edhe janë brenda QKUK-së, kanë deri në 10 vizitorë në ditë, dhe numri përafërsisht sillet mbi 30 mijë në ditë gjë që e vështirëson jashtëzakonisht shumë nivelin e higjienës. Ne si inspektorat kemi dhënë rekomandimet tona por kjo punë është nën menaxhimin e menaxhmentit kryesor të QKUK-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë”, thotë Tërshnjaku për Radion Evropa e Lirë.

Drejtori i Qendrës Emergjente, Basri Lenjani, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se brenda 24 orëve vetëm kjo klinikë frekuentohet nga rreth 200 pacientë, derisa 4 deri në 5 familjarë të secilit pacientë janë prezent brenda spitalit.

“QKUK- ja mund të konsiderohet si një qytet i tërë i personave që kërkojnë shërbime shëndetësore, problematikë shumë e madhe mbetet frekuentimi nga personat që kanë nevojë për shërbime por dhe përcjellësit e tyre”.

“Ne kemi kërkuar që ky numër i madh i përcjellësve të pacientëve të qëndrojë në hapësirat ku janë të dedikuara, por ende nuk kemi arritur një komoditet që pacientët që kërkojnë ndihmë të jenë pa praninë e familjarëve të tyre”, thotë Lenjani për Radion Evropa e Lirë.

Lenjani pohon se kjo çështje duhet rregullohet në nivel të drejtorisë ekzekutive, dhe në këtë mënyrë familjarët që i sjellin pacientët të mos pengojnë stafin.

Ndërkaq, Shpend Fazliu, zëdhënës në QKUK, ka deklaruar se çështja e ndalesës së familjarëve është e rregulluar në nivel institucional, duke vendosur brenda çdo klinike punëtorë fizikë.

“Kjo është zgjidhur në mënyrë institucionale, ngase në çdo klinikë ka punëtorë të sigurimit fizik dhe përkujdesen që të mos ketë prani fizike të palëve, por QKUK-ja ka shumë hyrje anësore dhe me çdo kusht familjarët i gjejnë mënyrat dhe format që familjarët të futen brenda deri te familjarët e tyre që janë të shtrirë në spital”.

“Kjo çështje është diskutuar në vazhdimësi në bordin e drejtorisë ekzekutive dhe po diskutohet dhe është menduar që të gjitha hyrjet anësore të mbyllen, dhe besoj që kjo do të ndodhë në një të ardhme të afërt”, bën të ditur Fazliu.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve shëndetësorë, numri i madh i njerëzve që hyjnë e dalin nëpër spitale, ndikon shumë negativisht, sidomos në bartjen e infeksioneve të ndryshme./rel

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit