Arjan Ndoja me detyrë prokuror në Durrës, ishte pre e një atentati më 1 nëntor në mbikalimin e Shkozetit, ku mbeti i plagosur rëndë vetë si edhe humbi jetën më pas në spital shoferi i tij Andi Maloku, ndërkohë që u plagos rëndë edhe shtetasi Aleksandër Laho i njohur si ‘Rrumi’.
Ndoja mësohet se është pjesë e listës së 120 prokurorëve që do ti nënshtrohen Vettingut, të përzgjedhur nga shorti i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
Sipas vendimit të Komisionit të Vetingut, Ndoja do të verifikohet për ligjshmërinë e pasurisë, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
Për rrjedhojë, prokurori Ndoja duhet të justifikojë me të ardhura të ligjshme 23 apartamente të deklaruara në vitin 2008 dhe në vitin 2016. Gjithashtu, prokurori duhet të justifikojë edhe blerjen e dy makinave me vlerë 34 mijë euro dhe 20 mijë euro.
Po ashtu, prokurori duhet të justifikojë para Komisionit të Vetingut edhe dy lokale me vlerë 114 600 euro dhe 159 520 euro, ku prokurori është pronar me 100 %, në kushtet kur ku ka nisur karrierën në drejtësi rezulton pa asnjë pasuri të paluajtshme. Objekt verifikimi do të jetë gjithashtu edhe një lëvizje e madhe në pasurisë e bashkëshortes.
Bashkëshortja Elderina Frrok Ndoja, e cila ka përfaqësuar si avokate një shtetas për të marrë 45 mijë metra katror tokë shtetërore në Gjirin e Lalzit me vendim të kryegjyqtares së dorëhequr të Durrësit Joana Qeleshi, i kanë dhuruar në 2013, 6 prona në Durrës me sipërfaqe 196 211 metra katrorë.