1.6 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

“Tërheqja Taktike” e Enver Robelit

Më të lexuarat

24 Korrik 2011

Shkruan: Fehmi MALOKU

 

 

Një konflikt i vogël ndërmjet “Kohës Ditore” dhe Imamin të Xhamisë së Madhe, Dr. Shefqet Krasniqi, që ndodhi këto ditë solli shpërthime mllefesh të akumuluara gjatë. Serinë e tyre e hapi gazeta “Koha Ditore” duke dhënë një scoop-lajm, se si Dr. Shefqet Krasniqit është duke iu përgatitur vendi në burg, ku mund të rrijë nja 10-vjet-së paku. Lajmi i tillë ende i pakonfirmuar mirë, do të duhej të servirej me kujdes dhe maturi. Por, “Koha Ditore”, nuk pati durim të pres gjatë. Lajmi i shpallur nga “Koha”, sigurisht e preku personazhin në fjalë (Dr. Shefqet Krasniqin) dhe në një emision televiziv diku në Gjilan, u prononcua edhe për lajmin edhe për lajmëtarin, “Koha Ditore”, për të cilën u shpreh paksa me emocione dhe tha se është gazetë e poshtër! Kaq mjaftoi për t’u bërë një kundërsulm i hatashëm. E kush do ta merrte përsipër këtë kundërsulm? Kishte mjaft, madje edhe vullnetarë. Kompania e fuqishme “Koha” i kishte të gjithë në dispozicion, madje edhe  Asociacionin e Gazetarëve Profesionist të Kosovës, kreun e së cilës djaloshin e ri por shumë ambicioz, Arben Ahmetin, “Koha” e kishte ndoshta e ka ende gazetar të saj. I menjëhershëm ishte reagimi i Benit e i krejt Asociacionit, të cilët e ftuan (në të vërtetë e urdhëruan ashpër) Dr. Shefqet Krasniqin që t’i kërkojë falje sa më parë gazetës së Benit. Thuajse Dr. Shefqet Krasniqi e paska kërcënuar apo e paska rrahur dikë prej stafit të “Kohës”!

Si gazetar, dua t’ia kujtoj Benit se sa për hajrin e tij ndaj të drejtave dhe lirive të mia, moti kisha vdekur. Asociacioni i tij, mua si gazetar edhe po të më shihte të varur s’ma kish këputur konopin, aq i interesuar që është ai për gazetarët dhe të drejtat-liritë e tyre.

Por, cila është e vërteta për këtë deklaratë të Dr. Shefqet Krasniqit, a e meritonte tërë këtë vëmendje dhe këtë kundërsulm. Deklarata (pjesëza e deklaratës) e Dr. Krasniqit, se “Koha Ditore është gazetë e poshtër”, në radhë të parë mund të merrej vetëm si një mendim personal-madje në rrethana shumë lehtësuese- i një njeriu, që për mendimin e shumë publicistëve nuk ka edhe aq rëndësi. Janë disa gazetarë e analistë të zotë të “Kohës”, për të cilët Dr. Krasniqi nuk paraqet asgjë tjetër pos një imami të thjeshtë xhamie, fare të zakonshëm. Nëse është kështu atëherë, pse kaq e rëndësishme qenka një deklaratë e tij ose thjesht një mendim i tij personal për këtë gazetë? E njohim ne lexuesit, e njeh mirë opinioni i gjerë “Kohës Ditore” dhe fuqinë e saj, ç’lidhje, ç’rëndësi ka të thotë diçka të keqe për të një imam fare i zakonshëm në Kosovë?! Gajle e madhe, mendim personal fare i thjeshtë nga një imam fare i zakonshëm sipas tyre. Pse u bë kaq e rëndë një pjesë e deklaratës e nxjerrë prej kontekstit dhe e fryrë shumë vetëm pjesa “Koha ditore është medium i poshtër”. Si ka mundësi që ajo pjesë deklarate të fitojë aq shumë armiqësi nga “Koha Ditore”, e ashtuquajtur si kampione e lirisë së të shprehurit dhe mendimit? A nuk është e drejtë e Dr. Shefqet Krasniqit ta thotë edhe ai mendimin e tij (qoftë edhe negativ, qoftë edhe të gabuar) për këtë gazetë? Por, si duket nuk ishte esenca e problemi kjo fare. Esenca ishte, siç u pa e siç u dëshmua në ditët në vijim krejt diku tjetër.

Popullariteti gjithnjë në rritje i Dr. Shefqet Krasniqit mund të jetë një ndër shkaqet që gazetat tona ta kenë emrin e tij (sidomos për të keq) në faqet e saj. Dhe kjo ndodh për dy arsye. E para, që gazeta ta prekë edhe interesimin e masës së madhe që lidhet me popullaritetin e Dr. Shefqet Krasniqit dhe arsyeja e dytë, sigurisht është që t’i shtojë argumentet në adresë të Dr. Shefqet Krasniqit, se vërtet ai është njeri problematik e më këtë t’u japë akoma më shumë motiv kundërshtarëve edhe ashtu të shumtë të Dr. Shefqet Krasniqit. Përndryshe, megjithëse nuk jam pajtuar në fillim me deklaratën e rëndë të Dr. Krasniqit, se “Koha Ditore është e poshtër”, çfarë efekti mund të kishte ky mendim i tij personal? Thjeshtë, mendim personal, e dimë ne kush është “Koha” dhe kaq!

Nuk është i pari e as i vetmi Dr. Shefqet Krasniqi që ka dhënë vlerësim negativ për Kohën. Një vlerësim ndoshta edhe shumë më të ashpër e pati dhënë Adem Demaçi- një personalitet edhe më i njohur në Kosovë e më i çmuar- dhjetë vjet më parë, por ajo nuk është parë si hata e madhe nga “Koha”. Thjesht, ka kaluar me mirëkuptim -si një mendim personal asgjë më shumë. Ç’u bë kaq tragjike atëherë deklarata negative e Dr. Shefqet Krasniqit në adresë të “Kohës Ditore”. Arsyet e vërteta do t’i mësoja vetëm të premten vonë, kur ndodhi sulmi terrorist në Oslo, nga njëri prej analistëve të “zotë” të “Kohës Ditore”, Enver Robeli, i cili me gjuhën e tij tepër të pistë dhe poshtëruese, me bindi të pajtohesha se Dr. Shefqeti kishte pasur shumë të drejtë që e kishte quajtur “Kohën Ditore” media të poshtër. Vetëm pak kohë pasi në TV mësuam lajmin se kishte ndodhur një sulm terrorist, e që nuk dihej as motivi e as personi që kishte kryer këtë krim, sapo e kishte marrë vesh lajmin Enveri, gazetari e analisti i përkëdhelur i  “Kohës”, hop e në facebook, ku në statusin e tij e vendos një fjali  fyese e poshtëruese ne adresë të Dr. Shefqet Krasniqit, të cilin veç tjerash e quante Xharrah (!), dhe e shpallte se ai e ka kryer atë sulm terrorist ose së paku qëndron prapa këtih sulmi! Enveri këtë radhë, do të paraqitet edhe në emër të “Kohës Ditore” ndoshta për t’i bindur padronët e tij se   “ja unë po ju marr hakun juve”. Ai në statusin e tij në facebook kishte vendosur një fjali të shëmtuar: “Si Gazetar i Kohës Ditore unë nuk tutna nga dr. prof. akademik, Xharrah shefqet K….. sepse ai ka shkuar në Oslo për të duartrokitur”. Më tërhoqi vëmendjen ky konstatim i nxjerrë nga Enver Robeli dhe u habita me faktin se si ai e shpallte bashkëpjesëmarrës të krimit në Oslo, Dr. Shefqet Krasniqin, që në momentet e para të lajmit. Ia bëra një koment postimit të tij, me qëllime të mira, duke ia kujtuar se shpallja e Dr. Shefqet Krasniqit duartrokitës dhe prezent në krimin në Oslo në momentet e para të lajmit është shpifje. Dhe, kjo me doli boll. Pasuan qindra (500 -600) shigjeta të ashpra në drejtimin tim, duke “stolisur” edhe mua bashkë me Dr. Shefqet Krasniqin me turli-turli kualifikimesh e etiketash. Asnjëra nga këto etiketime e kualifikime nuk më befasoi aspak, por më befasoi ndërkaq disponimi tepër i madh i komentuesve vullnetarë, që u koncentruan me mish e shpirt për ta bërë sa më madhështore “fetvanë” e Enverit. Ishin fare pak 2-3 komentues të tjerë që sadopak ma mbanin anën mua, në të vërtetë e mbronin autoritetin e Dr. Shefqet Krasniqit karshi Enver Robelit të tërbuar! As kjo nuk më befasoi e as nuk më dëshpëroi. Duke e parë rrëshqitjen gjithnjë e më të madhe të debatit, u tërhoqa pas një kohe nga ky debat. Ishte vonë dhe rashë në gjumë. Natyrisht i lodhur dhe i shqetësuar. Nga 500-600 komentet e famshme të aleatëve të Enver Robelit në facebook, mora shumë shigjeta e shumë goditje vetëm për shkak se mora guximin t’ia tërheq vërejtjen analistët të përkëdhelur të “Kohës Ditore” se duke e shpallur fajtor Dr. Shefqet Krasniqin për një sulm terrorist që ka ndodhur në Oslo- ndërsa ai ishte në Prishtinë- po bënte një shpifje të rëndë që në radhë të parë e ndalon etika e gazetarisë e pale pastaj të tjerat. U zgjova, ashtu i mërzitur në mëngjes, duke kujtuar torturën që përjetova në atë mbrëmje dhe pas një kohe mendova ta hap edhe një herë facebook-un. Ngurroja shumë, isha i bindur se do të gjeja shumë më tepër porosi të lëna, shumë më shumë se ç’kisha marrë në komentimet e mbrëmshme. Por, për ironi, nuk kishte asnjë. I fshija sytë e nuk besoja. E kërkova postimin e pistë të Enverit për të parë se çka ka ndodhur, por as ai nuk ishte. Mendova mos kisha parë ëndërr atë ngjarje apo e kisha përjetuar në të vërtetë. Ajo kishte ndodhur në të vërtetë, por ishte edhe një tjetër e vërtetë më e madhe: Enver Robeli, e kishte fshirë fare atë postim të pistë që kishte bërë pak kohë më parë me vetëdije të plotë e madje edhe me krenari. Ai kishte fshirë nga facebook-u të gjitha gjurmët e atij postimi të pistë. Ai madje ma kishte bërë “bllok” edhe mua dhe më kishte hequr qafe, edhe pse gjatë diskutimit ia lëshova rrugën dhe e ndërpreva debatin duke e lënë atë “triumfues” dhe duke ia sqaruar se për shkak të devijimeve dhe rrëshqitjeve nga tema, nuk mund ta mbaja më gjatë debatin dhe i përshëndeta të gjithë debatuesit. Ai kishte hequr postimin e pistë nga facebook-u, por kishte harruar se gjurmët nuk mund as t’i heqë e as t’i fshijë sepse facebook-u im është i regjistruar edhe në Gmail, kështu që të gjitha “fetvat” e tij më kanë mbetur aty. Janë madje edhe 4-dëshmitarët që gjatë debatit kanë qenë në anën e kundërt me të, të cilët ashtu sikurse unë janë fyer e ofenduar gjatë gjithë kohës nga Enveri dhe aleatët e tij tepër të shumtë. Po, a thua pse e kishte hequr postimin e dhe të gjitha komentimet nga statusi i tij në facebook, pse ai më kishte fshirë krejt nga lista e miqve të tij. Pse, kur i kërkova unë në momentet e para të postimin, që ta hiqte atë postim të pistë- tallej me mua e krenohej me “aftësinë” e tij me të cilën e kishte shkruar sloganin skandaloz kundër Dr. Shefqet Krasniqit. E kishte një arsye të madhe, shumë të madhe. Mediat që në mëngjes kishin përhapur lajmin se sulmi terrorist në Oslo, për çudinë e të gjithëve, nuk kishte ndodhur nga ata që mendohej se do të ishte kryer (ekstremistët muslimanë), por nga kundërshtar fanatik i Islamit. Sulmi terrorist, sipas policisë, ishte kryer nga një “fundamentalist i krishterë”,i afërt me të djathtën ekstreme, Anders Breivik Behring, 32 vjeçar. Dua ta potencoj këtu menjëherë se kushdo që ta kishte kryer këtë krim kaq monstruoz, do ta dënoja fuqishëm nga zemra. Do ta dënoja në radhë të parë i prirë nga parimet islame- se ai që vret një njëri të pafajshëm është njësoj sikurse ta kishte vrarë tërë njerëzimin. Por fajin për krim të rëndë nuk do të guxoja kurrë t’ia vë dikujt pa pasur fakte e dëshmi, nuk do të mundja ta fajësoj madje as një fëmijë të vogël e të pambrojtur se ka bërë diçka që në të vërtetë s’e kishte bërë. Enver Rrobeli i bindi qindra njerëz në facebook se sulmin në Oslo e ka duartrokitur, d.m.th. qëndron pas këtij sulmi, Dr. Shefqet Krasniqi. E si të mos i bindte, a nuk është ai analist i përkëdhelur i së madhes “Koha”, ai ka fuqi dhe potencial të bëjë çka të dojë. Vazhdo Enver vazhdo, veç mos i fshij në mëngjes ato që i thua në mbrëmje sepse kjo veç tjerash është edhe qyqari e madhe, është e pamoralshme edhe vënia e sidomos heqja tinëzare e këtyre sloganeve. Shpifja publike gjithsesi është poshtërsi. Prandaj mos i dërgo ujin në mulli Dr. Shefqet Krasniqit, se kështu po ia argumenton ato që i ka thënë për gazetën tënde superprivate.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit