30 C
Pristina
Wednesday, June 26, 2024

Rreziku i barazisë – Brenton Kotorri

Më të lexuarat

Rreziku i barazisë

Brenton Kotorri

I

Në shoqëritë demokratike, synimi për barazi dhe drejtësi qëndron si një prej themeleve të guximshme të qeverisjes dhe përparimit shoqëror. Barazia përfaqëson idealin e trajtimit të ndershëm dhe të mundësive për të gjithë, ndërsa drejtësia përfaqëson parimet e paanshmërisë dhe sundimin e ligjit. Siç vëren Alexis de Tocqueville tek “Demokracia në Amerikë”, “Zhvillimi gradual i kriterit të barazisë është, pra, një fakt providencial, dhe i ka të gjitha karakteristikat e një dekreti hyjnor: është universal, është i qëndrueshëm, gjithmonë shmang ndërhyrjen njerëzore, dhe të gjitha rrethanat, si dhe të gjithë njerëzit kontribuojnë në progresin e tij” (Tocqueville, 1835, volumi 1, kapitulli 1). Megjithatë, marrëdhënia midis barazisë dhe drejtësisë është komplekse dhe shpesh e mbushur me tension. Ndaj duhet eksploruar ndërveprimi i ndërlikuar midis këtyre dy kritereve në shoqëritë demokratike, duke shqyrtuar sfidat, dilemat dhe strategjitë për të arritur një ekuilibër harmonik.

Barazia qëndron në zemrën e aspiratave demokratike, duke përfshirë dimensione të ndryshme, si barazia politike, shoqërore dhe ekonomike. Politikisht, qytetarët kërkojnë të drejta dhe mundësi të barabarta për të marrë pjesë në procesin e vendimmarrjes, duke siguruar që çdo zë të ketë peshën e njëjtë në formimin e qeverisjes. Sociologjikisht, barazia përmban mungesën e diskriminimit bazuar në faktorë, si raca, gjinia, feja ose statusi socio-ekonomik, duke nxitur një ndjenjë të përfshirjes dhe të përkatësisë në shoqëri. Ekonomikisht, barazia përpiqet të zvogëlojë hendekun në pasuri dhe të ardhura, duke mundësuar individët të ndjekin aspiratat e tyre dhe të zbulojnë potencialin e tyre pa marrë parasysh kontekstin ekonomik.

Drejtësia shërben si themel i qeverisjes demokratike, duke siguruar që ligjet të aplikohen në mënyrë të paanshme, të drejtat të mbrohen dhe mosmarrëveshjet të zgjidhen në mënyrë e me metodë të ndershme. Ajo përfshin parimet e procesit të drejtë gjyqësor, barazisë para ligjit dhe mbrojtjen e të drejtave dhe lirive individuale, duke siguruar që të gjithë qytetarët të gëzojnë të njëjtën mbrojtje nën ligj. Kështu, qëndrimi për barazi duhet të përkojë me një angazhim për mbrojtjen e të drejtave të individëve, madje – dhe sidomos – në themel të mendimit të shumicës ose normave shoqërore të gjithëpranuara. Ky veprim i balancuar është jetik për ruajtjen e integritetit të qeverisjes demokratike dhe për parandalimin e tiranisë së shumicës.

Edhe pse aspiratat e dy koncepteve janë të njëjta, barazia dhe drejtësia shpesh e gjejnë veten në konflikt, duke paraqitur një dilemë të vështirë për shoqërinë. Synimi për barazi mund të jetë në konflikt me parimet e drejtësisë, veçanërisht kur ka politika të rishpërndarjes që shkelin të drejtat individuale ose vendosin barrë të panevojshme në segmente të caktuara të shoqërisë.

Tocqueville shkroi: “Ka, në të vërtetë, një periudhë të rrezikshme në historinë e një populli demokratik. Kur shija për kënaqësitë fizike ndër të rritet më shpejt se arsimi dhe përvoja e tyre me institucionet e lira, do të vijë koha kur njerëzit do të humbin toruan dhe do të humbasin vetëkontrollin” (Tocqueville, 1835, volumi 2, kapitulli 13). Për shembull, politikat që synojnë ngushtimin e disparitetit ekonomik përmes tatimeve progresive ose programeve të mbështetjes ekonomike sociale mund të perceptohen si të padrejta nga ata që do të paguajnë më shumë taksa. Po ashtu, përpjekjet për të korrigjuar padrejtësitë historike ose diskriminimin sistematik mund të nxisin debate dhe rezistencë rreth drejtësisë dhe meritokracisë, duke nxitur debat mbi ekuilibrin e duhur midis barazisë së rezultatit dhe barazisë së mundësive.

Në zemër të tensionit midis barazisë dhe drejtësisë qëndron pyetja e të drejtave dhe lirive individuale. Barazia shpesh paraqitet në terma kolektivë, por ajo në fund të fundit varet nga njohja dhe mbrojtja e të drejtave individuale. Drejtësia kërkon mbrojtjen e këtyre të drejtave kundër shkeljeve nga shteti ose shumica, duke siguruar që të gjithë qytetarët gëzojnë mbrojtje të barabarta nën ligj. Prandaj, kërkimi i barazisë duhet të përkthehet në një përkushtim për mbrojtjen e të drejtave të individëve.

Një nga sfidat e vjetra të shoqërive që ndërtojnë sistem, është rreziku i “tiranisë së shumicës”, ku vullneti i shumicës mposht të drejtat dhe interesat e grupeve të vogla, qofshin ato racore, shtresa ekonomike të ulëta, apo të larta, ideologjike-disidente etj. Kjo paraqet një kërcënim themelor për barazinë dhe drejtësinë, pasi ajo e përjashton parimin e trajtimit të barabartë dhe ekspozon grupet ndaj diskriminimit dhe shtypjes. Për t’u mbrojtur ndaj tiranisë së shumicës kërkohen institucione demokratike të fuqishme, duke përfshirë gjykatën e pavarur, median e lirë dhe mbrojtjet kushtetuese për të drejtat e pakicave. Gjithashtu, kjo kërkon një kulturë tolerance dhe përkushtim për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e individit, pavarësisht statusit ose sfondit të tyre socio-ekonomik.

Me mençurinë e tij, de Tocqueville na paralajmëronte se ai sistem qeverisës i krijuar në Amerikë e që duhej ta merrte shembull bota, kishte një rrezik të madh dështimi. Duke qenë se atje në ndryshim nga Europa e asokohe, barazia ishte vendosur në themel të sistemit, për hir të mbërritjes tek drejtësia më e mirë për të gjithë, barazia ishte kësisoj një nga mjetet për të arritur drejtësinë si qëllim. Me kalimin e kohës, thotë de Tocqueville, nëse nuk mbrohet hierarkia e kësaj marrëdhënieje mjet-qëllim, mund të vijë një kohë, kur njerëzit do të kërkojnë barazi jo më në funksion të drejtësisë, por barazi për hir të barazisë, si qëllim në vetvete.

Kjo ndodhi më pas me të gjitha lëvizjet barazitiste, të cilat duke qenë në thelb materialiste, e shohin botën si të pashpirt si të fabrikueshme. Kështu ndodhi dhe ndodh sot për shkak të marksizmit, postkolonializmit, feminizmit, LGBT-izmit, uokeizmit, etj.
Për të evituar rënien në pabarazi sociale, në vend të kthimit tek morali dhe mësimet e trashëguara nga të parët, kultura progresiviste i nxit vendet të ndryshojnë strukturat e tyre ligjore, politikat sociale apo edhe normat kulturore, duke çuar në qasje të reja dhe të pathemelta në adresimin e pabarazisë dhe padrejtësisë. Mirëpo kjo i largon gjithnjë e më shumë nga tradita, kultura dhe kanonet historike të atij populli.

 

II

Një qasje e ngjashme, e madje më fundamentaliste dhe esencialiste u parashtrua katër shekuj e gjysmë para de Tocqueville-it dhe gjashtë shekuj e gjysmë prej ditëve tona mbi dhè nga filozofi mysliman, sociologu dhe babai i historiografisë Ibn Khaldūn al-Ḥaḍramī. Në veprën e tij të mirënjohur “Muqaddimah” Ibn Khaldun, flet ndër të tjera mbi një koncept të teorizuar në mënyrë origjinale prej tij të quajtur “asabiyyah” që sot mund ta përkthejmë dobët si “kohezioni social”.

Në këtë vepër, autori nuk diskuton në mënyrë eksplicite konceptin e barazisë në kuptimin modern. Megjithatë, idetë e tij prekin në mënyrë të dukshme aspektet e lidhura me barazinë në kontekstin më të gjerë të organizimit shoqëror, dinamikës së pushtetit dhe natyrës së qeverisjes.

Koncepti i Ibn Khaldunit për kohezionin social parashtron pasojat që vijnë në një shoqëri me shpërndarjen e fuqisë dhe burimeve. Ai argumenton se ‘asabiyyah’ e fortë, ose solidariteti i grupit, mund të çojë në rritjen e një shteti të fuqishëm, ndërsa zbehja e këtij kohezioni mund të rezultojë në fragmentimin ose rrëzimin e atij shteti. Në këtë kuptim, ne mund të interpretojmë aspektet e bashkëlidhjes shoqërore si të pandashme nga konceptet e barazisë ose pabarazisë, drejtësisë dhe padrejtësisë, pasi ato ndikojnë në mënyrën se si burimet, të drejtat dhe mundësitë janë të shpërndara ndër grupet e ndryshme brenda një shoqërie.

Ai vë në dukje se shtresat e pasura dhe elitat në pushtet mund të humbasin kontaktin me popullsinë dhe me kalimin e kohës të zhyten në korrupsion dhe kësisoj ta kenë të pamundur dhënien e drejtësisë. Ky, na mëson ai, është një shkak i drejtpërdrejtë që shpie në rrënimin dhe rrëzimin e një qytetërimi të tërë.

Përveç kësaj, analiza e Ibn Khaldunit mbi ciklet dinastike me ngritjen dhe rënien e civilizimeve prek çështjet e drejtësisë kur ai analizon se si pasuria dhe luksi i tepërt i elitave sunduese mund të çojë në shkatërrimin shoqëror dhe dobësimin e shtetit. Ai tregon se si periudhat e vështirësive dhe sfidave mund të çojnë në riaftësimin e bashkëlidhjes shoqërore dhe shfaqjen e një udhëheqësi të ri, duke krijuar mundësi për një barazi ose drejtësi shoqërore më të madhe.

III

Një tjetër mendimtar me mësime të vyera për temën që po trajtojmë është edhe Thorstein Veblen. I lindur në Amerikë më 1857-ën, vetëm dhjetë vjet pasi prindërit e tij kishin emigruar aty prej Norvegjisë, ai u edukua si sociolog i ekonomisë në universitetet më të rëndësishme amerikane. Pikëpamjet e Thorstein Veblen mbi marrëdhënien mes pabarazisë dhe drejtësisë u ndikuan nga analiza e tij e gjerë mbi fenomenet sociale dhe ekonomike. Veblen kritikoi rendin shoqëror dhe ekonomik të kohës së tij, që ai e shihte të karakterizuar nga konsumi i tepruar, praktikat predatore të biznesit, sikurse ai i quante, dhe pabarazia e thellë ekonomike. Në veprën më të famshme të tij, “Teoria e klasës së ngeshme”, Veblen shfaq konceptin e “konsumit të tepruar” për të përshkruar shfaqjen e pasurisë dhe statusit nga klasa e ngeshme, të cilën ai e shihte me sjellje iracionale.

Nga perspektiva e Veblenit, ky konsum i tepruar kontribuonte në hendekun shoqëror dhe përforconte pabarazitë ekzistuese në shoqëri. Ai argumentonte se të synuarit e rritjes së statusit social dhe prestigjit shpesh vinte me koston e një shoqërie më joproduktive. Në këtë kuptim, e shihte pabarazinë si një simptomë të një mërzitjeje që krijonte shtresa e lartë ekonomike prej të mirave materiale.

Duke u ndarë qartësisht nga teoria marksiste, Veblen analizon ndryshe nga ajo që pretendonte Karl Marks, se klasa punëtore kërkon përmbysjen e rendit dhe për rrjedhojë do të shkojë drejt luftës ndaj klasës sunduese ekonomike. Veblen vëzhgon se klasa punëtore, në fakt nuk përbuz klasën e ngeshme, shtresën borgjeze, por në fakt synon t’i ngjasojë asaj, ose thjesht, punëtori në fakt synon që një ditë të bëhet borgjez edhe vetë.

Për sa i përket drejtësisë, kritika e Veblenit ndaj shoqërisë kapitaliste e shihte shpërndarjen ekzistuese të pasurisë dhe pushtetit si të padrejtë. Ai kritikonte sjelljen predatore të elitave të biznesit dhe mënyrat se si normat shoqërore dhe institucionet e përforconin pabarazinë. Megjithatë, zgjidhjet e propozuara nga Veblen për këto çështje kishin tendencë të përqendroheshin më shumë në reforma institucionale të ngadalta, edukimin me racionalitet ekonomik dhe ndryshime në etosin kulturor, sesa në një revolucion apo rrëzim të plotë të rendit ekzistues.

Nga sa parashtruam më sipër, duhet thënë se marrëdhënia mes barazisë e drejtësisë, apo pabarazisë dhe padrejtësisë, ka qenë historikisht një raport kompleks i cili të dyja kriteret e bashkëjetesës në një sistem politik i ka vendosur përballë njëri-tjetrit. Për ta zgjidhur këtë dilemë, do të na duhet të kthehemi pas tek aksiomat politike shoqërore. Tek parimet fillestare. Tek gjeneza e ideve, por duke mbajtur domosdoshmërisht në plan të parë edhe mësimet e historisë. Nëse nisemi nga barazia përfundojmë ose në prerjen e kokave të Revolucionit Francez dhe cilitdo revolucioni shkatërrimtar në fakt (përfshirë edhe atij kulturor postmodernist. Nëse nisemi nga vullneti për drejtësi të verbër mund të harrojmë vlerat fetare dhe humaniste të mëshirës për tjetrin dhe besimit se qenia njerëzore është e gabueshme dhe e përmirësueshme, çka mund të na shpjerë drejt fashizmit. Mënyra e ndërmjetme mund të ishte me mjaft bindje, ruajtja e raportit mes barazisë së mundësive dhe trajtimit, si mjet për të mbërritur tek drejtësia sipas ligjit të konsoliduar mbi traditën.

Kjo sërish do të ishte një zgjidhje tokësore. Barazia dhe Drejtësia finale do të jetë pa dyshim në Ditën e Gjykimit, si hakdhënie për cilindo prej nesh.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit