0.3 C
Pristina
Tuesday, December 24, 2024

Pse vuajnë njerëzit nga diabeti?

Më të lexuarat

Diabeti mellitus apo sëmundja e sheqerit, është një çrregullim metabolik që karakterizohet nga rezistenca në veprimin e insulinës, deficitit të insulinës apo kombinimi i këtyre dy faktorëve së bashku.

Manifestimi më i madh klinik i kësaj sëmundje është hiperglikemia apo rritja e glukozës në gjak. Përveç prishjes së metabolizmit të glukozës në këtë sëmundje prishen edhe metabolizmi i proteinave dhe yndyrave.

Diagnoza vendoset duke matur nivelin e glukozës plazmatike.

Në vendosjen e diagnozës ndihmojnë edhe ankesat që paraqesin personat me diabet si etja e theksuar për ujë, urinim te shpeshtë, rënie në peshë, turbullim të shikimit, dhimbje të muskujve të kockave, etj.

Tipet e diabetit

Në përgjithësi personat me diabet futen në dy tipe kryesore të diabetit; diabeti mellitus, tipi 1 dhe diabeti mellitus tipi 2. Përveç këtyre tipeve të diabetit ka edhe forma të tjera që janë: Diabeti gestacional (diabeti qe shfaqet gjatë shtatzënisë) dhe forma të tjera specifike.

Tek diabetikët tip 1 sëmundja shfaqet në moshat e reja dhe karakterizohet nga mungesa apo deficienca absolute e insulinës, transmeton Telegrafi.

Në diabetin tip 2 që përbën grupin më të madh të pacienteve, sëmundja shfaqet në moshat me të mëdha mbi 35-40 vjeç dhe karakterizohet në stadet e para nga rezistenca në veprimin e insulinës. Kanë predispozitë gjenetike, do të thotë personat që kanë të afërm me diabet tip 2, sidomos të brezit të parë, kanë rrisk më të madh që gjatë jetës të zhvillojnë po të njejtin tip të diabetit.

Gjithashtu, ky tip i diabetit haset kryesisht në personat që janë mbi peshë dhe obezë. Edhe mënyra e të ushqyerit dhe ajo e jetesës, janë ndër faktorët që ndikojnë në krijimin dhe zhvillimin e sëmundjeve diabetike.

Shenjat e para dhe parandalimi

Të flasësh për shenjat e para ka kuptim kryesisht për diabetin tip 2. Personat obezë kalojnë në një fazë që quhet prediabet, që i paraprin asaj të shfaqjes së diabetit që mund të zgjasë 5 deri në 7 vjet. Ndërhyrja në këtë fazë, duke përmirësuar mënyrën e jetesës, apo si quhet ndryshe stilin e jetesës, parandalon apo shtyn në kohe shfaqjen e diabet.

Mungesa e aktivitetit fizik, kequshqyerja, konsumimi i ushqimeve me përmbajtje të lartë të yndyrave dhe sheqernave të thjeshta, lëngjeve me sheqer dhe alkoolit në sasira të mëdha, shoqëruar me shtim në peshë dhe obezitet në personat që kanë edhe predispozitat gjenetike, janë elemente që mund të korrigjohen në fazën e prediabetit dhe përmirësojnë ecurinë e sëmundjes kur ajo është shfaqur.

Disa këshilla për personat e prekur nga diabeti

Personave me diabet apo prediabet ju këshillohet aktivitet fizik nëpërmjet ushtrimit të sporteve të ndryshme. Ata që nuk mund të ushtrojnë sport apo moshat e vjetra, rekomandohet ecje prej të paktën 45 minuta, 3-4 herë në javë.

Ndryshimi i mënyrës së ushqimit, duke kufizuar ushqimet me përmbajtje të lartë të yndyrave shtazore, me përmbajtje të lartë të kolesterolit, kufizimin e sheqernave, janë disa nga masat e tjera parandaluese.

Gjithashtu duhet të kemi parasysh stimulimin e përdorimit në sasi më të mëdha të perimeve të gatuara pa yndyrë, frutave, 2-3 të tilla në ditë, si dhe të kujdesemi me përdorimin e produkteve shtazore në masa të kufizuara dhe pa yndyrë (mishi, qumështi, etj).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit