19.7 C
Pristina
Wednesday, June 26, 2024

A ekziston drejtësia pa barazi shoqërore? – Arbër Halilaj

Më të lexuarat

A ekziston drejtësia pa barazi shoqërore?

Arbër Halilaj

Drejtësia sociale në një shoqëri mund të arrihet e të ekzistojë vetëm nëse të gjithë individët dhe grupet shoqërore gëzojnë trajtim absolutisht të njëjtë dhe plotësisht të drejtë, dhe nëse kjo prek të gjitha shtresat e shoqërisë. Pra kërkohet barazi dhe drejtësi sociale që jo vetëm përfshin të gjitha shtresat, por mundëson që të korrigjohen padrejtësitë që hasim sot në shoqëri. Meqë drejtësia dhe barazia sociale janë të drejta të garantuara të çdo individi, ky synim është i theksuar, mirëpo në praktikë ka probleme të shumta në arritjen e tij. Përparimi në këtë drejtim nënkupton një proces të vazhdueshëm të përpjekjeve për t’u përmirësuar në sferën e të drejtave të njeriut dhe marrëdhënieve midis popujve e shteteve, të bazuara në drejtësi. Kultivimi i raporteve të një barazie dhe drejtësie sociale është baza e përparimit të çdo populli, bazament i çdo shteti demokratik dhe kusht për paqe dhe siguri brenda tij, kështu që kjo çështje për këtë arsye fiton peshë dhe bëhet edhe më e rëndësishme. Zbatimi i barazisë dhe drejtësisë sociale është i rëndësishëm në të gjitha fushat e veprimtarisë njerëzore: kulturë, politikë, shkencë, fe, ekonomi, arsimim, sporte etj.

Nga të gjitha krijesat në botë, njeriu dallon për shkak se vepron në bazë të arsyes dhe vullnetit të lirë, duke u bërë krijesa me dinjitet të patjetërsueshëm. Meqë njeriu nuk jeton vetëm, por në bashkëveprim apo bashkësi me njerëzit tjerë, ekzistenca sociale nuk mund të reduktohet vetëm në atë që është e përshtatshme dhe e dobishme. Ekziston një e mirë më e madhe sesa kërkesat dhe dëshirat personale, e cila realizohet përmes drejtësisë.

Drejtësia ka dy synime themelore: të jesh i drejtë me veten dhe të jesh i drejtë me të tjerët. Në të dy rastet, njeriun e ndjek dilema: ai vepron duke menduar se është e drejtë, e pas një kohe mund të rezultojë se nuk ka qenë kështu. Përmes drejtësisë, ne afrohemi ose largohemi nga të tjerët, por edhe nga vetvetja. Edhe pse barazia e njerëzve në shoqëri dhe liritë e tyre garantohen me aktin më të lartë shtetëror – Kushtetutën, në praktikë shohim që kjo nuk është e mjaftueshme për t’u zbatuar me sukses.
Sipas raporteve të fundit, varfëria në Kosovë po vazhdon të rritet nga viti në vit, duke e bërë më alarmante gjendjen sociale. Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), rreth 30 për qind e popullsisë jetojnë nën kufirin e varfërisë, ndërsa 10.2 për qind e popullsisë jetojnë në varfëri ekstreme. Analistët ekonomikë kërkojnë të investohet më shumë në forcimin e sektorit privat, që konsiderohet si indikator kryesor për zbutjen e varfërisë. Numri i të papunëve, ndërkaq, mbetet mjaft i madh, duke mos shënuar fare ulje në katër vitet e fundit. Rreth 160 mijë persona të aftë për punë apo 31.4% presin për një punë që nuk e kanë momentalisht. Mbijetesa e rreth 25 mijë familjeve varet nga ndihmat sociale, që as për së afërmi nuk ua mbulojnë shpenzimet e jetesës këtyre familjeve. Ky numër për disa vite ka qenë në rritje e sipër, ndërsa ndarjet buxhetore për këto qëllime janë të pamjaftueshme.

Rrjedhimisht, lind pyetja: A ekziston në të vërtetë drejtësia shoqërore në vendin tonë dhe në botë, si dhe në çfarë mase? Secili prej nesh duhet të pyesë veten se çfarë kemi bërë për ndryshimin pozitiv të kësaj gjendjeje dhe tejkalimin e saj.
Në anën tjetër, uria është ende një plagë akute, e trishtueshme dhe dramatike në shumë vende të botës. Sipas raportit të fundit të FAO-s mbi gjendjen e sigurisë ushqimore në botë, për të katërtin vit radhazi numri i njerëzve që vuajnë nga uria kronike është mbi 130 milionë njerëz, ndërsa edhe për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19, ky numër mund të jetë rritur edhe më tepër. Pabarazia ka qenë në rritje në të gjithë globin për disa dekada dhe vetëm disa vende kanë arritur të ulin numrin e njerëzve që jetojnë në varfëri ekstreme. Por, edhe hendeku ekonomik në mes të të varfërve dhe të pasurve ka vazhduar të rritet. Sipas raportit të Credit Suisse Global Wealth, 1% e njerëzve me mbi 1 milion dollarë e më tepër pasuri (apo 42 milion njerëz të pasur) zotërojnë 44% të pasurisë në botë. Thuhet se “varfëria ekziston jo pse nuk mund të ushqehen të varfrit, por pse nuk mund të ngopen të pasurit”.

Këto dhe fakte tjera lidhur me pabarazinë globale duhet të jenë një moment reflektimi dhe motiv i mjaftueshëm për zhvillimin e vetëdijes se nevoja për të lënë prapa këtë problem është e madhe. Kjo përpjekje do të jetë e vështirë, sidomos nëse nuk ka një proces gjithëpërfshirës dhe sistematik të zbatimit të aktiviteteve të planifikuara.
Siç e cekëm, barazia dhe drejtësia sociale duhet të zbatohet në çdo segment të shoqërisë, duke nënkuptuar barazi të plotë si në aspektin etik, ashtu edhe në atë material. Teorikisht, kjo ide tingëllon bukur, por fakti është se në praktikë njerëzit, edhe në shoqëritë më të avancuara e demokratike, përballen me diskriminim të llojeve të ndryshme, varfëri, pabarazi ekonomike, dhunë e deri në vrasje, siç kemi raste të shpeshta të tilla në SHBA, sidomos ndaj zezakëve. Rasti më tipik ka qenë vdekja e Xhorxh Fllojd gjatë një arrestimi nga polici në SHBA, i cili e ngulfati qëllimisht duke e lënë të vdekur e pa frymë. Vdekja e tillë e Fllojdit shkaktoi trazira dhe protesta të shumta nëpër tërë SHBA-në kundër brutalitetit policor, racizmit dhe mungesës së përgjegjësisë. Nëse analizojmë rrjedhat në Kosovën e pasluftës, p.sh.: është tronditës fakti se janë vrarë mbi 100 gra e vajza të reja nga dhuna e burrave, familjarëve apo të dashurve të tyre, e ku bashkëfajtor në këto raste mund të konsiderohet shteti i Kosovës, meqë Policia dhe Drejtësia në Kosovë kanë treguar tolerancë dhe vonesë, duke mos intervenuar në parandalimin e këtyre vrasjeve monstruoze. Drejtësia ndaj këtyre viktimave dhe ndaj çdo banori të shtetit të ri të Kosovës, duhet të jetë parimi bazë i procesit tonë të shtetndërtimit.
Diskriminimi, dhuna dhe pabarazia në shoqërinë kosovare është e drejtuar drejt shtresave të ndryshme shoqërore, ku ndër shtresat më të rrezikuara janë komuniteti rom, personat me aftësi të kufizuara, gratë, fëmijët, refugjatët etj. Gratë përballen me kufizime dhe pabarazi të llojeve të ndryshme, që nga mundësitë e punësimit, pagat më të ulëta, orari i gjatë i punës, mundësitë e arsimimit etj. duke qenë në një pozicion të varësisë nga burrat.

Kështu, arritja e barazisë gjinore është një imperativ shumë i rëndësishëm i shoqërisë.

Vetëm kur ofrohen shanse dhe mundësi të barabarta për të gjithë pjesëtarët e komunitetit , pa dallime, ne mund të flasim që jemi duke lëvizur në drejtimin e duhur, për të plotësuar të gjitha të drejtat, liritë dhe barazinë e garantuar të qytetarëve. Tani për tani, ka vetëm fjalime të bukura, veprime simbolike, dënime minimale të incidenteve të ndryshme të kësaj natyre, që natyrisht nuk mjaftojnë për të minimizuar shpërfaqjen e pabarazisë sociale, kështu që duhen veprime më radikale, hapa më drastik dhe përpjekje shumë të mëdha, sidomos duke e pasë parasysh përqindjen e popullsisë sonë që jetojnë nën kufirin e varfërisë .

Në kohën dhe vendin ku jetojmë, të gjithë duket se e kanë gojën plot barazi dhe drejtësi sociale, por ajo po del të jetë vështirë e arritshme. Kjo ndodh për arsye se drejtësia sociale mund të arrihet vetëm nga njerëz të virtytshëm. Vetëm njerëzit që posedojnë drejtësinë si një virtyt personal, mund të implementojnë programe të mira sociale. Kjo do të thotë që realizimi i drejtësisë shoqërore varet nga kujdesi për dinjitetin njerëzor, si në institucione ashtu edhe në strukturat tjera dhe në rrethanat që na paraqiten në jetë. Një nga karakteristikat e drejtësisë sociale si virtyt është se ajo nuk ka ngjyra ideologjike, partiake dhe nuk është përjashtuese, që duke luftuar për të drejtat e një grupi shoqëror, t’i diskriminojë të tjerët ose të përhapë jotolerancë.

Duhet pranuar që kriza e shëndetit publik që u evindetua gjatë COVID-19 dhe masat e marra nga autoritetet nuk ishin aspak neutrale, meqë disa qytetarë u prekën më shumë sesa të tjerët, e pikërisht u prekën grupet që kanë qenë më parë në një pozicion më të dobët shoqëror e ekonomik, si dhe ata në rrezik diskriminimi. Efektin negativ gjatë pandemisë solli përpara kujtdo rrezikun e pasojave të rënda ekonomike dhe sociale e cila rezultoi në rritje të diskriminimit dhe pabarazisë në shoqëri.
Pasojat e kësaj krize ekonomike, pabarazia në rritje, varfëria, populizmi, diskriminimi dhe gjuha e urrejtjes, flasin për një imperativ të përgjigjes më të mirë ndaj krizave të tilla, si dhe konfirmojnë domosdoshmërinë që nga krizat duhet të dalim si shoqëri më e drejtë dhe më e barabartë.

Burimi: Medius Communication Institute

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit