13.6 C
Pristina
Sunday, October 13, 2024

Si mund ta shtoj vullnetin tim për namaz?

Më të lexuarat

Pyetje: Kam një problem. Qe dy vite merrem me praktikimin e fesë dhe tani i bëj shumicën e ibadeteve, si: agjërimin, dhikrin, sadakanë e mundohem në maksimum edhe gjërat më të vogla, por namazin nuk po mundem bash mirë ta përmbushi… Tash qe dy-tri ditë po shoh ëndrra me shejtanin (All-llahu na ruajt!), nuk ia shoh fytyrën po e vërej se ma marrin shpirtin edhe më endin nëpër shtëpi andej këndej, ma dridhin trupin në atë masë saqë mezi them shahadetin gjersa më del gjumi…
Dikush më rekomandoi që të shkoj tek një hoxhë dhe ai i lexon ato ajetet që duhet, edhe e merr vesh pse po ndodh kjo…, ama unë s’po besoj shumë.
Ju lutem, më këshilloni a ka ndonjë domethënie kjo ëndërr dhe si mund ta shtoj vullnetin tim për namaz?

Përgjigje: Motër e nderuar, namazi është obligimi më parësor në jetën e besimtarit musliman. Muslimani duhet që asgjë të mos e konsideroj më të shenjtë dhe më parësor se namazin. Është obligim i Allahut që duhet ta kryejmë pesë herë në ditë në kohë të caktuara. Nuk është i vështirë dhe pengues të praktikuarit e tij për ata që ia kanë frikën Allahut, kurse duket shumë i vështirë në sytë e të tjerëve. Allahu thotë: “Kërkoni ndihmën e Allahut me durim e me namaz! Kjo është njëmend e vështirë, përveçse për të devotshmit, që janë të bindur se do të takojnë Zotin e tyre dhe se do të kthehen tek Ai.” (Bekare, 45 dhe 46)

Namazi veç tjerash e bën muslimanin të mbrojtur prej sulmeve të shejtanit. Andaj vepra që më së shumti mundohet t’ia vështirësojë njeriut shejtani i mallkuar është namazi, sepse po ta falte njeriu namazin, do t’i vështirësohej shumë ndikimi i tij në atë njeri. Natyrisht se në gjendjen që ju e përshkruani, sulmoheni në gjumë nga të mallkuarit dhe ata e kanë më të lehtë ndikimin e tyre përderisa ju nuk faleni rregullisht. Me namaz të falur, duke ra në gjumë me abdes dhe duke lexuar Ajetul Kursinë (Tespi dovën – ajetin 255 të sures Bekare), si dhe suret El-Ihlas, El-Felek dhe En-Nas (tri suret e fundit të Kur’anit 112, 113 dhe 114), shejtanit ia keni pamundësuar lojën me ju dhe do të liroheni nga ëndrrat e këqija.

Ju fillimisht punoni me veten që të mos neglizhoni në çështjen e faljes së namazeve ditore. Pasi ta rregulloni këtë problematikë tuajën, dhe prapa vazhdoni ta bëni gjumin e parehatshëm dhe shihni ëndrra të këqija, siç shihni tani, atëherë shko te ndonjë hoxhë i mirëfilltë i cili lexon ajete të Kur’anit e nuk shkruan hajmali dhe kërkoni shërimin e Allahut, sepse magjia, mësyshi, etj. janë të vërteta dhe ka mundësi të parandalimit të tyre.

Allahu e di më së miri!

/Hoxhë Muhamed Dermaku/

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit