Socialisti antipatik risjell në kujtesë “Pallatin 176” me letra anonime
Një nga figurat më aspak të dashura të pushtetit, për të mos thënë i urryer, Taulant Balla, pretendoi së fundi se ndaj tij ka ardhur një letër anonime, së cilës i dha përgjigje.
Letra që ai pretendon, pretendon gjithashtu se ai ka kërkuar nga KMSH që të ndëshkohen disa figura fetare për qëndrime kundër pushtetit.
Letra anonime fillon:
“I nderuar z. Taulant Balla,
Po ju drejtohem publikisht lidhur me shqetësimin tim për përfshirjen tuaj në çështje që lidhen me xhamitë, hoxhallarët dhe myftinjtë, duke dërguar emra dhe kërkesa pranë Komunitetit Mysliman Shqiptar për shkarkimin apo largimin e klerikëve që, sipas jush, kanë qëndrime kundër jush apo kundër interesave politike që përfaqësoni.
Edhe pse jam më i ri në moshë se ju, vij nga një familje me kontribute të hershme për këtë vend, brez pas brezi, dhe ndiej detyrimin t’ju jap një këshillë: mos i kërkoni përplasjet me klerikët fetarë dhe mos ndërhyni në çështjet e besimit. Historia ka treguar se ata që janë përballur me njerëzit e fesë dhe me besimtarët, nuk kanë gjetur qetësi as në këtë botë dhe as në atë që shumë njerëz besojnë se vjen pas saj”.
Por interesant: Edhe pse pa emër, Balla thotë se ajo ka ardhur nga një anëtar i LHSH(Lidhjes së Hoxhallarëve Shqiptarë). Por ky socialist i pushtetshëm dhe jo pak arrogant si shefi i tij, siç është tashmë e gjithë sjellja e tyre politike, ndërsa i kërkon anonimit të dalë me emër konkret, nuk guxon të thotë se cili qenka ky person dhe si e njohu atë.
Shkruan Balla:
“Lexova letrën tuaj publike pa emër dhe, përtej tonit të saj, ndiej detyrimin t’ju përgjigjem me qetësi.
Së pari, deklaroj në mënyrën më kategorike se nuk kam ndërhyrë kurrë dhe nuk kam kërkuar kurrë nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shkarkimin, largimin apo ndëshkimin e asnjë hoxhe, myftiu apo kleriku fetar. Ky pretendim është i pavërtetë.
Nëse dispononi qoftë edhe një provë të vetme që mbështet këtë akuzë, bëjeni publike. Në të kundërt, ju ftoj ta tërhiqni atë, sepse askush nuk ka të drejtë të njollosë tjetrin me insinuata”.
Megjithatë, edhe vetë Balla bën insinuata kur flet për një emër të LHSH.
Gjithsesi, gjersa letra që ai pretendon se i është dërguar ka anonimitet, nuk vlen as përgjigja. Kjo, referuar precedentit të Jovan Bregut të “Pallati 176”. Siç mund të kujtohet, letra anonime e Vanit që përfundonte me frazën “një mik që jua do të mirën” ishte shkruar nga vetë Vani. /tesheshi.com/
