14.1 C
Pristina
Friday, November 8, 2024

Sa është i dobishëm apo i dëmshëm përdorimi i rrjeteve sociale?

Më të lexuarat

Pyetje: Sa është i dobishëm apo i dëmshëm përdorimi i rrjeteve sociale?

Përgjigje: Përdorimi i rrjeteve sociale sot është bërë i pashmangshëm. Nuk do të përqëndrohem në të mirat apo të këqijat e tyre, por rrjetet sociale janë thika me dy presa; ka në to të mirë dhe të keqe, besim dhe kufër; sunet dhe bidate; njohuri të saktë dhe injorancë të thellë; ka dituri me argumente dhe dyshime rreth diturisë; ka dëlirësi, thirrje në të dhe imoralitete, shthurje, degjenerim; dhe për këtë përdorimi i tyre duhet të jetë shumë i kujdesshëm.

Gjatë përdorimit të rrjeteve sociale, si: instagram, tiktok, facebook, snapchat, twitter..etj, duhet të keni parasysh këto katër gjëra, si më të rëndësishmet:
1- Mbikëqyrja e Allahut në atë që shikon, shpërndan, pëlqen dhe shkruan.
Kur muslimania është e vetëdijshme që Allahu e ka nën mbikëqyrje, bën kujdes dhe e ka frikë Allahun, largohet nga gjërat e ndaluara e nuk i kalon kufijtë e Allahut. Përzgjedh atë që shikon, poston, pëlqen dhe shpërndan dhe qëndron dhe llogaritë veten, pyete atë: a i pëlqen kjo Allahut? A ka ndonjë shpërblim në të? A është e dobishme kjo që po dëgjoj, lexoj, pëlqej dhe shpërndaj?
Dhe nëse hutohesh dhe harron mbikëqyrjen e Allahut, mos lejo veten të biesh në gabime dhe gjynahe që nuk i takon një muslimanie t’i veprojë, por kthehu menjëherë tek Allahu me pendim.
2– Koha që ti shpenzon në rrjetet sociale.
Mos harro që do të japësh llogari për kohën tënde ku dhe në çfarë e shpenzon? A ia vlen që të qëndrosh orë të tëra duke ndjekur lajme të parëndësishme, gjërat e përditshme të padobishme që disa prej tyre i pasqyrojnë në këto rrjete (hyra në shtëpi, u largova nga restoranti, arrita në restorant….); të dëgjosh apo të lexosh hadithe të rreme, thashetheme, marrëzira, gënjeshtra, sharje dhe fyerje, lidhje dhe marrëdhënie të ndaluara ligjërisht dhe fetarisht…?!
A nuk është kohë e humbur, e cila do të dëshmojë kundër teje ditën e Gjykimit?! A nuk do të ishte më mirë që këtë kohë ta kishe shfrytëzuar në mësimin apo përsëritjen e Kuranit, të haditheve, të fesë dhe njohurive që të shtojnë besimin dhe të aftojnë tek Allahu?!
3- Mos bie pre e mashtrimit në faqet e rrjeteve sociale!
Ekzistojnë mënyra të ndryshne mashtrimi në këto rrjete, që duhet paralajmëruar sidomos të rinjtë dhe të rejat, pasi ata janë që i përdorin më shpesh këto rrjete, për rrezikun e tyre. Verifikoni dhe njihni mirë ata që ndiqni në këto rrjete sociale, sepse kjo është përgjegjësi, për të cilën do të llogariteni.
Nëse ata që ndiqen janë promovues të së keqes, pasuesit e tyre llogariten si ata, sepse i pasojnë në këtë të keqe. Dhe të tillëve, në botën e rrjeteve sociale, iu përshtatet fjala e Allahut të Lartësuar:
{إِذْ تَبَرَّأَ الَّذِينَ اتُّبِعُواْ مِنَ الَّذِينَ اتَّبَعُواْ}
“Kur ata që u ndoqën të distancohen prej pasuesve të tyre.” [El-Bekare: 166]. Ndaj ndiqni dikë që është i njohur për fenë, virtytin dhe ndershmërinë e tij.
4– Ndalimi i shikimit të gjërave të ndaluara në rrjetet sociale.
Ndër gjërat më të rëndësishme gjatë përdorimit të rrjeteve sociale është: ulja e shikimit; sepse mund të shfaqen foto ose klipe të papritura, të cilat përmbajnë shumë gjëra të shëmtuara, paturpësi, shikimi i të cilave është i ndaluar.
Allahu i porosit besimtarët dhe besimtaret:
{قُل لِّلْمُؤْمِنِينَ يَغُضُّوا مِنْ أَبْصَارِهِمْ}
“Thuaju besimtarëve të ulin sytë (shikimet e tyre, para asaj që është e ndaluar).” [En-Nur: 30]
{وَقُل لِّلْمُؤْمِنَاتِ يَغْضُضْنَ مِنْ أَبْصَارِهِنَّ}
“Dhe thuaju besimtareve që të ulin sytë (shikimet e tyre, para asaj që është e ndaluar).” [En-Nur: 31]
Këtu do të përmendim një çështje të rëndësishme, se disa femra mendojnë se vetëm mashkulli duhet të ulë sytë nga paturpësitë dhe gratë e huaja, shikimi i të cilave është i ndaluar, por edhe ato ndalohen që të shohin burrat e huaj me epsh apo me vështrime të palejueshme. Mos u justifiko se këto janë të pashmangshme, sepse nëse ti do iu shmangesh dhe nuk ke nevojë që ta prezantosh veten me të tilla harame.
Lusim Allahun, që të na udhëzojë në atë që e do dhe me të cilën është i kënaqur dhe të na falë mëkatet dhe teprimet tona në veprimet tona.

Adelina Kuçana

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit