2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

A më lejohet të marr ilaçe për ndalimin ose shtyerjen e menstruacioneve për ta plotësuar të gjithë agjërimin përgjatë muajit Ramazan?

Më të lexuarat

Pyetje: Cilat janë kushtet e femrës për të agjëruar në muajin e Ramazanit gjatë periudhës së menstruacioneve, dhe duke qenë se menstruacionet mund të zgjasin dy javë a më lejohet të marr ilace për ndalimin ose shtyerjen e menstruacioneve për ta plotësuar të gjithë agjërimin përgjatë muajit Ramazan, sepse është e vështirë për t’i plotësuar ditët më pas?

Përgjigje: Dispozita e femrës me cikël menstrual është e qartë në fenë islame. Ajo nuk duhet të agjërojë ato ditë sa është me menstruacione dhe duhet t’i plotësojë ato ditë më pas. Aishja (r.a), bashkëshortja e Profetit (alejhissalatu uesselam) ka thënë: “Kur na vinte cikli menstrual gjatë agjërimit urdhëroheshim (nga Profeti alejhissalatu uesselam) të agjëronim kaza (duke i plotësuar më vonë) ditët e lëna kurse namazet nuk ishim të urdhëruara t’i falnim kaza.” Transmetoi Muslimi nr 335.

Ndërsa për sa i përket përdorimit të ilaçeve të ndryshme për shtyrjen e menstruacioneve për të pasur mundësi agjërimin e të gjithë muajit, nuk ka ndalesë në fe nëse ajo nuk është e dëmshme. Mirëpo nuk e shikojmë se kjo është e nevojshme përderisa është e lejuar që ditët e lëna mund të plotësohen për gjatë gjithë vitit deri në Ramazanin tjetër. Gjithashtu nuk është e detyrueshme që ditët të plotësohen të gjitha njëra pas tjetrës, por mund të agjërojë për shembull çdo ditë të hëne dhe ditë enjte, ose një ditë në javë, ose një ditë në dy javë, etj., pra ka hapësira të ndryshme lehtësuese dhe nuk është aspak e vështirë. Allahu i Lartësuar në Kuran thotë: “Allahu do për ju lehtësimin dhe jo vështirësimin.” Surja el-Bekare 185.

Nga ana tjetër konsumimi i këtyre ilaçeve mund të jetë i dëmshëm për organizmin dhe mund të sjellë çrregullime, sidomos kur bëhet fjalë se mund të përsëritet sa herë vjen muaji i Ramazanit, kështu që këshillojmë të merren për bazë lehtësimet që sjell feja. Pra të ndërpritet agjërimi gjatë ciklit menstrual dhe ato ditë të zëvendësohen më vonë.

Allahu e di më së miri!

Komisioni i Pyetje & Përgjigjeve pranë LHSH

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit