5.9 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Përfshirja e njërit a të gjitha grupeve në dhënien e zekatit

Më të lexuarat

Nga ajo që kam elaboruar në këtë punim, mund të përfundoj se shpjegimi i ajetit që flet për ndarjen e zekatit dhe sadakasë, nuk është kuptuar njësoj nga të gjithë juristët, sepse secili ka dhënë mendimin e tij juridik të bazuar në tekste, sipas asaj që e ka parë të arsyeshme.

Në temat e kaluara kam shpjeguar detajisht tetë grupet përfituese të zekatit, dhe secilit grup ia kemi kushtuar nga një temë të posaçme, me qëllim që të elaborohen sa më mirë. Ka mbetur edhe një çështje, që mendoj se është shumë me rëndësi, e cila ka të bëjë me domosdoshmërinë e dhënies së zekatit për një grup të veçantë a të gjitha grupet, gjegjësisht për fondacionet e zekatit. Për këtë çështje njëherazi kanë polemizuar juristët myslimanë, e pikërisht këtë, me lejen e Zotit, do ta trajtoj në këtë punim.
Mendimet e juristëve në lidhje me dhënien e zekatit Juristët myslimanë, pasi kanë trajtuar çështjen e kategorive përfituese të zekatit, kanë trajtuar edhe çështjen e dhënies së zekatit për ato kategori, mirëpo nuk janë pajtuar rreth këtij nëse duhet dhënë ose jo zekati për të gjitha kategoritë e përmendura në tekst, apo mjafton vetëm për njërin prej atyre kategorive.
Në lidhje me këtë tematikë, ekzistojnë dy mendime: mendimi i njohur i shafiitëve dhe mendimi tjetër i pjesës dërrmuese të juristëve nga shkollat juridike, të cilat do t’i shpjegojmë më poshtë.

Mendimi i Shafiut

Imam Shafiu është i mendimit se kërkohet t’u jepet njësoj tetë kategorive, e të mos rekomandohet një grup më shumë se një tjetër. Imam Shafiu shprehet: “Askush s’ka të drejtë të bëjë ndarjen e sadakasë (zekatit), përpos ndarjes që ka paraparë Allahu i Madhërishëm, përderisa ekzistojnë kategoritë përfituese.¹
Në një vend tjetër, pasi sqaron se si duhet të ndahet zekati, apo sadakatë, më pastaj thotë: “Sadakatë (dhe zekati) ndahen në tetë grupe dhe u jepet tetë kategorive përfituese”. E, pastaj, sjell një shembull dhe thotë: “Nëse shuma e pasurisë që jepet, është tetë mijë, atëherë secilit grup i takon nga një mijë…”.² Ajo që vlen të përmendet në shkollën juridike shafiite është sasia e njëjtë e dhënies së zekatit për të gjitha grupet përfituese, duke mos bërë dallime midis tyre, pra të mos i jepet një grupi më shumë sesa grupit tjetër, kuptohet nëse ekzistojnë të gjitha grupet. E, në rast se nuk ekzistojnë të gjitha grupet përfituese të zekatit, atëherë shpërndarja e tij bëhet për grupet ekzistuese në momentin kur jepet ai.
Është e natyrshme që të mos gjendet ndonjë grup, mirëpo ekzistojnë grupet e tjera, prandaj, sipas shafiitëve, shpërndarja e zekatit duhet të bëhet me saktësi për të gjitha grupet, e jo të parapëlqehen e të rekomandohen disa grupe e të anashkalohen të tjerat. Edhe imam Ahmedi, në një prej transmetimeve të tij, është i mendimit se dhënia e zekatit duhet të bëhet për të gjitha grupet dhe atyre duhet t’u jepet njësoj, dhe nga secili grup duhet të përzgjidhen tre persona, ngase teksti për dhënien e zekatit ka ardhur në shumës, e shumësi nënkupton më së paku tre persona.

Mendimi i shumicës së juristëve

Në dallim nga imam Shafiu, i cili mendon se zekati duhet të shpërndahet për të gjith kategoritë ekzistuese të tij, pjesa tjetër e juristëve, si imam Ebu Hanife, imam Maliku,
imam Ahmedi në një transmetim tjetër, dhe shumica e dijetarëve të hershëm (selefitë) dhe të mëvonshëm (halefitë) janë të mendimit se nuk obligohet përfshirja e të gjitha grupeve përfituese të zekatit dhe sadakasë, prandaj edhe lejohet dhënia e zekatit edhe për një grup të vetëm. Ibn Xheriri në këtë kontekst thotë: “Ky mendim (për vetëm një grup) është mendimi i shumicës dërrmuese të dijetarëve, e ai që e shpërndan (institucioni përgjegjës) zekatin, mund ta ndajë për cilindo lloj të dëshirojë, ndonëse Allahu i Madhërishëm i emërtoi tetë kategorive përfituese të zekatit, si njoftim se (zekati e) sadakatë nuk duhet të jepen jashtë këtyre tetë kategorive (grupeve)…”.³

Transmetohet nga Lejthi dhe Atau, se Omeri ka thënë: “Cilitdo prej këtyre kategorive t’ia japësh (zekatin), ia ke qëlluar”.
Mendim të njëjtë me të kanë shfaqur edhe Ibn Abasi dhe Seid ibn Xhubejri.⁴ Imam Maliku, përveç që mendon se mjafton të përzgjidhet një grup nga tetë grupet kategorizuese, mendon se preferohet të jepet zekati për grupin që ka më shumë nevojë, ndërsa Ibrahim Nehaiu është i mendimit se, nëse shuma e zekatit nuk është aq e madhe, atëherë lejohet  të shpërndahet dhe të dedikohet për vetëm një grup të caktuar, po në të kundërtën (nëse shuma e tij është e madhe), duhet të përfshihen të gjitha grupet.⁵

Shkaku i mospajtimit të juristëve

Shkaku i mosunitetit të juristëve myslimanë rreth çështjes së dhënies së zekatit – nëse duhet të jetë për të gjitha kategoritë përfituese të tij apo mjafton vetëm për një kategori të caktuar, është të kuptuarit e vetë fjalës së përdorur në ajetin e kategorive përfituese të zekatit, ku theksohet, siç e ka vënë në dukje Ibn Rushdi, kundërshtimi i shprehjes me kuptimin e saj, ngase shprehja e përdorur nënkupton përfshirjen e të gjitha grupeve, ndërsa kuptimi i saj nënkupton përparësinë e atyre që kanë nevojë dhe jodetyrueshmërinë e përfshirjes së të gjitha kategorive, prandaj edhe kuptimi i ajetit është për karakterizimin dhe ndarjen e grupeve përfituese e jo për gjithëpërfshirjen e tyre.⁶
Poashtu ka divergjenca rreth aspektit gjuhësor të ajetit, ku është bërë ndërlidhja e kategorive përfituese të zekatit me lidhesën ve dhe fillimi i kategorive me shkronjën lamun “Allahu caktoi obligim që lëmosha (zekati etj.) t’u takojnë vetëm: të varfërve (nevojtarëve), të ngratëve (që s’kanë fare), punonjësve (që e tubojnë), atyre që u duhen përfituar zemrat (të dobtëve në besim), e duhet dhënë edhe për lirim nga robëria, të mbyturve në borxhe, (luftëtarëve), në rrugën e Allahut dhe atij që ka mbetur në rrugë. Allahu e di gjendjen e robërve, punon sipas urtësisë së Vet.” (Et-Tevbe, 60).

Pra, përmendja e sadakasë (apo zekatit) e pastaj përmendja e tetë kategorive, e shoqëruar me lamun, nuk është kuptuar njësoj nga të gjithë juristët. Ata kanë divergjenca se çfarë lloj lami është ky i përmendur në ajetin e cituar sipër. Pra, polemika në mes juristëve buron nga kuptimi gjuhësor që ata kanë në lidhje me çështjen në fjalë, duke i shtuar kësaj edhe hadithe që flasin për këtë tematikë e që janë komentuar në mënyra të ndryshme.

Argumentet e imam Shafiut dhe përkrahësve të tij.

Shafiu dhe përkrahësit e tij mendojnë se ajeti në fjalë nënkupton ndarjen e zekatit për të gjitha kategoritë, e kjo kuptohet në bazë të konstruktit të ajetit ku, pas përmendjes së fjalës sadaka, kategoritë që e meritojnë atë, fillojnë me lamu temlik, që nënkupton se kategoritë vijuese (të gjitha), duhet të jenë të përfshira, dhe jo vetëm ndonjëra prej tyre, prandaj edhe bëhet obligim përfshirja e të gjitha llojeve, gjegjësisht kategorive.Po ashtu, shafiitët argumentojnë edhe me faktin se në mes tetë kategorive përfituese është bërë ndërlidhja me vavu-t teshrik, që nënkupton se kategoritë janë bashkëpjesëmarrëse në mes tyre dhe se dhënësi i zekatit duhet ta dedikojë atë për të gjitha grupet; nëse është pronar, atëherë ua dedikon shtatë kategorive, për shkak se mbledhësit e zekatit nuk bëjnë pjesë, e nëse është institucion, atëherë hyn kategoria e mbledhësve.⁷ Sipas tyre, ajeti në fjalë për kategoritë e zekatit ka ardhur në shumës, gjë që, sipas tyre, nënkupton të gjitha kategoritë përfituese të zekatit, e më së paku që mund të jepet ndaj seciles kategori, është tre persona, ngase shumësi minimal është tre persona. Ajeti në fjalë ka filluar me pjesëzën innema, që, sipas tyre, nënkupton dhënien e zekatit dhe sadakasë për grupet e përmendura në vijim të ajetit.Përveç aspektit gjuhësor dhe kuptimor të ajetit, mbi të cilin janë mbështetur, ata kanë argumentuar edhe me hadithin në vijim, të cilin e transmeton Ebu Davudi nga Zijad ibn el-Harith Esadaij, i cili thotë: “Shkova pranë të Dërguarit të Allahut dhe ia dhashë besën (besatimin)… ndërkohë erdhi një njeri dhe i tha të Dërguarit të Allahut: “Më jep mua sadaka”. I Dërguari i Allahut iu përgjigj:
“Allahu i Madhëruar nuk është i kënaqur me vendimin e të Dërguarit të Tij e as të dikujt tjetër në çështjen e ndarjes së sadakasë, derisa Ai e bëri vetë, prandaj Ai ka gjykuar për ndarjen e sadakasë në tetë grupe, e nëse ti je në njërin prej këtyre grupeve, ty do të të japim të drejtën tënde që meriton”. (Ebu Davudi dhe Darekutni. Mundhiriu e ka shënuar në Muhtesarin e tij, v.2, f. 230). Hadithit në fjalë i japin konotacion gjithëpërfshirës të tetë kategorive, ndonëse në të përmendet alternativa e grupit të cilit mund t’i takojë pyetësi, sidoqoftë, ky është mendimi i Shafiut dhe pasuesve të tij.⁸

Argumentet e pjesës dërrmuese të dijetarëve

Shumica e juristëve, siç e kemi theksuar, e shohin jo të detyrueshme përfshirjen e tetë kategorive përfituese të zekatit, ndërsa ajetin që flet për kategoritë e zekatit, e komentojnë si shpjegim për grupet që meritojnë të marrin zekatin dhe kumtim se jashtë atyre grupeve a kategorive nuk duhet të jepet zekati.
Argumentet e tyre janë të shumta, e unë do të mjaftohem të përmend ato që janë më të rëndësishme.
– Lami i përdorur në ajet, sipas shumicës së juristëve, nuk është lamut-temlik, por është lamul exhel, gjë që e ndërron edhe qasjen e të kuptuarit.
– Për pjesëzën innema që, sipas shafiitëve, nënkupton dhënien e zekatit dhe sadakasë për grupet e përmendura në vijim të ajetit, pjesa dërmuese e juristëve kundërpërgjigjen se pjesëza në fjalë ka për qëllim njoftimin për kategoritë përfituese të zekatit, e jo domosdoshmërinë e përfshirjes së tetë kategorive.
– Kanë argumentuar me ajetin në vijim: “Nëse lëmoshat i jepni haptazi, ajo është mirë, por nëse ato ua jepni të varfërve fshehurazi, ajo është edhe më e mirë për ju…” (El Bekare, 271).
Ky ajet nuk ka përmendur më shumë se një kategori, që është kategoria e të varfërve. Dihen mirë se termi sadekatun, sa herë që përmendet në Kur’an, nënkupton lëmoshë sadaka obligative, e ky ajet, -ndonëse bëhet fjalë për sadaka obligative- ka përmendur vetëm grupin e të varfërve, që është njëri prej tetë kategorive me të drejtë përfitimi.
– Po ashtu në një ajet tjetër, janë përmendur dhe veçuar dy lloje, e jo më tepër se aq:⁹ “Dhe ata që në pasurinë e vet kanë ndarë një pjesë të caktuar. Për lypësin dhe për nevojtarin që nuk lyp.” (El Mearixh, 24-25)
– I Dërguari i Allahut, kur e dërgoi Muadhin në Jemen, e porositi: “Bëju të ditur atyre se Allahu i ka obliguar ata me sadaka (e zekat), e cila merret nga të pasurit e tyre dhe jepet (shpërndahet) për të varfrit e tyre”. (Buhariu, nr. 1458 dhe Muslimi). Teksti i këtij hadithi nënkupton qartë se lejohet që tërë sadakaja të destinohet për të varfrit, të cilët janë një nga tetë kategoritë e përmendura. Po ashtu ekzistojnë edhe hadithe të tjera, ku shprehet qartë dedikimi i sadakave për njërin grup, e në të shumtën e rasteve përmendet kategoria e të varfërve.
– Hadithit të Zijad ibn el-Harith Esadaij-it, ku mbështeten shafiitë, i kundërvihen me faktin se në senedin e këtij hadithi është Abdurrahman ibn Zijad ibn En’am el-ifrikij, i cili nga shumë vlerësues llogaritet si i dobët në transmetime. Po ashtu, edhe nëse pranohet ky transmetues, shumë studiues i kanë dhënë një konotacion më të gjerë këtij hadithi, duke konstatuar se ndoshta qëllimi me fjalët e të Dërguarit, ka të bëjë me mbledhjen dhe grumbullimin e sadakasë, që mblidhet tek imami-udhëheqësi i vendit, e jo për sadakatë individuale. Nëse udhëheqësi i vendit ka grumbulluar të gjitha sadakatë dhe tek ai prezentojnë të gjitha kategoritë që kanë të drejtë për zekat dhe sadaka, atëherë secilit grup i takon pjesa e tij e përcaktuar nga Allahu. Por, ai nuk e ka të obligueshme t’i barazojë ata në dhënien e sadakasë, ashtu siç nuk e ka të obliguar t’i përfshijë të gjitha grupet, mirëpo ai mund t’u japë disa grupeve më shumë sesa grupeve të tjera. Kuptohet që ai bën ndarjen dhe zgjedh kategoritë sipas asaj që e sheh më të arsyeshme dhe sipas nevojave aktuale të banorëve.
Përveç argumenteve që theksuam, ka edhe shumë të tjera e pjesa dërrmuese (xhumhuri) e juristëve i kundërpërgjigjen Shafiut dhe juristëve të tjerë që kanë mendim të njëjtë me atë të Shafiut.

Mendimi i zgjedhur

Nga ajo që kam shtjelluar këtu, duke i sqaruar mendimet e dy grupeve dhe argumentet e tyre, bëhet e qartë se mendimi i dytë është më i pranuar dhe shihet si mendim i përzgjedhur në këtë tematikë, për shkak të elaborimit të thukët dhe argumentues që i kanë dhënë çështjes në fjalë. E, shumë dijetarë, për t’i ikur problematikës në fjalë, kanë konstatuar se dedikimi i zekatit për të gjitha kategoritë është joobligativ, ndonëse përfshirja e të gjitha grupeve mund të jetë veprim i preferuar në bazë të ajetit dhe shmangies së polemikës. Në të kundërtën, veçimi i ndonjë grupi a kategorie dhe dhënia e zekatit asaj, pasqyrohet si reflektim i kuptimit të tekstit dhe nuk nënkupton kurrsesi dalje nga teksti.
Veçimi i ndonjë kategorie të caktuar bëhet nga guvernatori-udhëheqësi, i cili, pas shqyrtimeve të hollësishme, sheh se më i arsyeshëm është dedikimi i zekatit për grupin a grupe të caktuara, e s’ka dyshim se ky mendim është mendimi më i qëlluar dhe më i duhur në këtë aspekt, që përkrahet nga Hudhejfe, Ibn Abbasi, Hasen el-Basriu, Ata ibn ebi Rebah, Seid ibn Xhubejri, hanefitë, malikitë dhe Ahmed ibn Hanbeli në njërin prej mendimeve të tij.¹⁰

Përfundim

Nga ajo që kam elaboruar në këtë punim, mund të përfundoj se shpjegimi i ajetit që flet për ndarjen e zekatit dhe sadakasë, nuk është kuptuar njësoj nga të gjithë juristët, sepse secili ka dhënë mendimin e tij juridik të bazuar në tekste, sipas asaj që e ka parë të arsyeshme.
Mendimi ndryshe nuk duhet të kuptohet si mendim i gabuar, ngase të gjitha mendimet bazohen në argumente dhe janë bërë në bazë të përpjekjes (ixhtihadit) së tyre konsekuente e të mirëfilltë. E, në të vërtetë, njëri mendim shihet si më i arsyeshëm dhe më i pranuar, për shkak të reflektimit të tij në praktikë. E në këtë rast, mendimi i pjesës dërrmuese të juristëve në lidhje me ndarjen e zekatit për kategorinë që ka më së shumi nevojë, është mendim i qëlluar dhe përkon me kërkesat praktike të shoqërisë.

Autor: Dr. Enisa Bekteshi

DITURIA ISLAME
______________________________________________________________________

[1] Shafiu, El-Umm, bot. I-rë, Daru-l Vefa Lin-Neshri Vet-Tevzi’, Mensure-Egjipt, 1422 2001, v.3, f. 181.
[2] Po aty, v3 f. 188-189.
[3] Taberiu, Xhamiul Bejan fi Te’vilil Kur’an, me recenzurë të Ahmed Shakirit. Muesseseturr Rrisaletu, bot. I, 2000, v. X14, f. 322.
[4] Po aty, v. 14 f. 323.
[5] Abdurrahman ibn Muhamed ibn Kudame el-Makdisij, Esh sherhu’l Kebir Mea-l Mugni, vëll. II, fq. 707-708; Sabik, Fikhu-s Suneh, v.1, f. 454.
[6] Ibn Rushd el-Kurtubij, Bidajetu-l Muxhtehid ve Nihajetu-l Muktesid, dar el-Istikametu, Kairo-Egjipt, pa vit botimi, v.1 f. 266.
[7] Shafiu, El-Umm, v.3 f. 195.
[8] Neveviu, El-Mexhmu’ Sherhu-l Muhedheb, Matbeatul imam, Egjipt, pa vit botimi, v.6, f. 231-232.
[9] Xhessas, Ahkamu-l Kur’an, Matbeatu- Evkaf el-Islamijetu, Kustantinijetu, 1338, v.3 f. 139-140.
[10] Sabik, Fikhu-s Suneh, v.1 f. 454-455.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit