Kur shikon një pemë të madhe, mos harro se e gjithë historia filloi brenda një fare të vogël, të cilën askush nuk e kujton më!
Kur shikon një liqen të gjerë, mos harro se e gjithë rrëfimi nisi nga një pikë shiu; ato grimca të vogla krijuan këtë pamje të madhe!
Dhe kur shikon një zjarr të madh, mos lejo që flaka e fortë të të bëjë të harrosh se gjithçka filloi nga një shkëndijë!
Jeta, miku im, i fsheh sekretet e saj në gjërat më të vogla.
Henry Ford, pronari i kompanisë së madhe Ford të makinave, po darkonte me dy kandidatë për një post të rëndësishëm në kompaninë e tij. Të dy kishin mbaruar të njëjtin universitet dhe kishin të njëjtin mesatare!
Kur dolën nga restoranti, Ford i tha njërit: “Ti je pranuar në këtë post!”
Dhe tjetrit: “Më vjen keq, nuk do të jesh pjesë e ekipit tonë.”
I riu i refuzuar mblodhi guximin dhe i tha: “Zoti Ford, a mund të të bëj një pyetje?”
Ai tha: “Po, urdhëro.”
Tha: “Ne nuk folëm për inxhinieri, as për makina, as për universitetin. Folëm vetëm për gjëra të përgjithshme. Pse u pranua shoku im dhe unë jo?”
Ford iu përgjigj: “Për dy arsye:
E para: shoku yt e provoi mishin dhe pastaj shtoi kripë, ndërsa ti e shtove kripën pa e provuar. Më pëlqejnë njerëzit që provojnë gjërat para se t’i ndryshojnë!
E dyta: shoku yt ishte i sjellshëm me kamerierët, thoshte ‘faleminderit’ dhe ‘më fal’. Ndërsa për ty ata ishin sikur nuk ekzistonin! Ti ishe i sjellshëm vetëm me mua. Një udhëheqës i vërtetë që dëshiron të lërë gjurmë në punën e tij duhet t’i trajtojë të gjithë si njerëz!”
Sjelljet e vogla tregojnë shumë!
Nuk ke nevojë të hysh thellë në shpirtin e të tjerëve për t’i njohur.
Shumë njerëz mendojnë se karakteri zbulohet në situata të mëdha, në momente krize ose në kthesa vendimtare. Por e vërteta është se njeriu zbulon veten çdo ditë, në detaje që i konsideron të parëndësishme.
Në një fjalë që e thotë pa menduar, në një shikim respekti ndaj të tjerëve, apo në një veprim të thjeshtë që kalon pa u vënë re, por që në thelb ka një domethënie të madhe.
Njeriu mund të shtiret për një kohë, të duket i rëndësishëm në një bisedë zyrtare apo situatë të kontrolluar, por rrallëherë i kushton vëmendje atyre gjërave të vogla që zbulojnë natyrën e tij të vërtetë.
Prandaj të urtët thonë: morali nuk shfaqet kur njerëzit të shohin, por kur mendon se askush nuk po të shikon.
Ndonjëherë, provimet e vërteta nuk ndodhin në sallat e universit, por në detajet e vogla që askush nuk i vëren.
Dija mund të hapë dyer, por morali është ai që i mban të hapura.
Njeriu mund të mendojë se e ardhmja e tij vendoset në momente të mëdha: në një intervistë, në një provim të vështirë apo në një bisedë të gjatë për përvojën dhe aftësitë.
Por shumë fatet vendosen në momente shumë më të thjeshta.
Dallimi mes dy njerëzve mund të jetë një lugë kripë… ose një fjalë “faleminderit”.
Ai që shton kripë pa e provuar ushqimin, shpesh është ai që gjykon pa e kuptuar.
Ai që e sheh kamerierin si një njeri që meriton respekt, zakonisht është ai që mund të udhëheqë të tjerët me respekt.
Udhëheqësit e vërtetë nuk maten nga mënyra si flasin me ata që janë mbi ta, por nga mënyra si sillen me ata që nuk kanë asgjë për t’u ofruar.
Prandaj vendimi i Fordit nuk ishte për inxhinierinë apo makinat… por për njeriun!
Ed-hem Sherkavij / Rreshta
