Nga El-Fatiha deri te Surja El-Asr, duke kaluar nëpër Suren El-Kehf…
Në udhëtimin e gjatë të jetës, Kurani nuk të lë vetëm.
Që nga sureja e parë deri te suret e fundit, sikur dëgjon një thirrje të përsëritur vazhdimisht:
Mos ec drejt Allahut i vetëm dhe mos e përballo vetëm zbehjen e shpirtit.
Allahu e hapi Librin e Tij me fjalët:
“Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Na udhëzo në rrugën e drejtë.”
Vëre se këto fjalë erdhën në shumës, sepse rruga e udhëzimit nuk është një udhëtim i izoluar individual, por një karvan besimtarësh që ecin drejt Allahut duke mbështetur dhe ndihmuar njëri-tjetrin.
Pastaj vjen Surja El-Asr, në fund të Mus’hafit, për të zbuluar sekretin e shpëtimit përballë presionit të kohës dhe konsumimit të ditëve:
“Pasha kohën! Vërtet njeriu është në humbje. Përveç atyre që besuan, bënë vepra të mira, këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe këshilluan njëri-tjetrin për durimin.”
Vëre se Allahu nuk tha:
“i këshilluan të tjerët”,
por tha:
“këshilluan njëri-tjetrin”,
një formë që shpreh pjesëmarrje të ndërsjellë.
Sepse çdo zemër ka nevojë për dikë që t’ia kujtojë Allahun dhe ta tërheqë drejt Tij sa herë që e rëndon lodhja ose e rrëmben angazhimi me dynjanë.
Ndonjëherë zemra nuk vdes për shkak të një dyshimi të madh apo një mëkati të jashtëzakonshëm, por për shkak të një vetmie të gjatë shpirtërore…
Për shkak të mungesës së një mjedisi që e zgjon imanin sa herë që dobësohet dhe e gjallëron shpirtin sa herë që vyshket.
Prandaj udhëzimet hyjnore erdhën të mbushura me mëshirë dhe butësi. Ato nuk mjaftohen vetëm me urdhërimin për qëndrueshmëri, por krijojnë edhe shkaqet e saj.
Afërsisht në mes të Kuranit vjen ajeti madhështor në Suren El-Kehf:
“Dhe bëje veten tënde të durueshme me ata që e lusin Zotin e tyre mëngjes e mbrëmje, duke kërkuar Fytyrën e Tij.”
Mendo për fjalët:
“Bëje veten tënde të durueshme…”
Sikur qëndrimi me njerëzit e dhikrit dhe përkujtimit kërkon durim dhe përpjekje.
Sepse shpirti mund të anohet nga stolitë e kësaj bote, mund t’i duket e rëndë të marrë pjesë në tubime ku përmendet Allahu, ose mund të dobësohet nga gjatësia e rrugës.
Por Allahu, nga mëshira e Tij, nuk e lë robin e Vet të konsumohet i vetëm.
Ai e udhëzon drejt shoqërisë që e ruan zemrën e tij, drejt dhikrit që ia ringjall shpirtin dhe drejt këshillimit të ndërsjellë që e forcon në rrugë.
Kështu përsëritet i njëjti mesazh nga fillimi i Kuranit deri në fund të tij:
Shpëtimi nuk është një çast i kalueshëm, por një ripërtëritje e vazhdueshme e shpirtit përballë konsumimit të kohës.
Këtu e kuptojmë kuptimin e rububijes (kujdesit dhe përkujdesjes hyjnore) në formën e saj më të gjerë.
Allahu nuk e krijoi njeriun dhe pastaj e la në mëshirën e vetes së tij.
Përkundrazi:
Ai krijoi… pastaj udhëzoi.
Dha… pastaj ndihmoi.
Tregoi rrugën… pastaj e forcoi në të.
“Ai që krijoi dhe përsosi, dhe Ai që caktoi e pastaj udhëzoi.”
Prandaj çdo hap drejt Allahut është gjurmë e mëshirës, përkujdesjes dhe butësisë së Tij.
Për këtë arsye, gjëja e parë që mësojmë nga Kurani është:
“Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.”
Falënderimi i takon Atij sepse nuk na la të humbur.
Sepse na hap dyert e dhikrit, të shoqërisë së mirë, të lutjes dhe të pendimit sa herë që na rëndon kjo botë.
📮 Këto janë mesazhet e Kuranit për zemrën tënde:
* Ti nuk je vetëm në këtë rrugë.
* Allahu është më i mëshirshëm ndaj teje sesa dobësia jote.
* Zemrat gjallërohen duke iu afruar Atij.
* Shpëtimi kërkon shoqëri të mirë, këshillim të vazhdueshëm dhe durim deri në fund të rrugës.
Por kujtoje gjithmonë:
Përgjegjësia fillon individualisht, ndërsa me këshillimin e ndërsjellë bëhet kolektive.
Ti je pjesë e një xhemati dhe e një umeti, dhe do të pyetesh për rolin tënd dhe nëse e ke kryer detyrën që të takonte.
🤲 O Allah, bëje Kuranin pranverën e zemrave tona, dritën e gjokseve tona, shoqëruesin tonë në këtë botë dhe ndërmjetësuesin tonë në Ditën kur do të të takojmë Ty.
Falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve.
Allahu e di më së miri.
✍️ Semer El-Arnaut
Perktheu: Bekir Halimi
