2.6 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Punonjësit kanë nevojë për më shumë mbështetje për mirëqenien e tyre tani, sesa gjatë pandemisë

Më të lexuarat

Mirëqenia ishte përparësi kryesore për punonjësit dhe punëdhënësit gjatë pandemisë. Por, rënia e infektimeve me COVID-19 këtë vit nuk ka bërë që mirëqenia të dalë nga rendi i ditës – në fakt, sipas një raporti të ri, ajo është bërë edhe më e rëndësishme për njerëzit tani, sesa në periudhën e izolimeve që solli pandemia.

Punonjësit në të gjithë globin po “rishqyrtojnë rolet e tyre, duke u bazuar te nivelet e mirëqenies dhe të stresit”, thotë organizata e burimeve njerëzore me qendër në Zvicër, Adecco, në anketën e saj Disconnect to Reconnect.

Në këtë raport, punonjësit dhe kompanitë në 16 vende u pyetën lidhur me mirëqenien, me faktin se si kanë ndryshuar metodat e punës që nga pandemia dhe gjithashtu, me mënyrat se si punonjësit mund të shkëputen nga puna e tyre.

Mirëqenia është e rëndësishme për punonjësit e stresuar

Mënyra se si ndihen punonjësit për sa i përket mirëqenies së tyre është një faktor tepër i rëndësishëm në vendimin e punonjësve për të qëndruar në punën ku janë ose “për t’u larguar për kushte më të mira”, thotë Adecco.

Një e katërta e punonjësve ndihen më të stresuar në punë që kur ka filluar pandemia, sipas këtij sondazhi, ndërsa 56% e tyre kanë të njëjtat nivele të stresit. Pothuajse një e treta e tyre mendojnë se ngarkesa e punës është rritur, ndërsa gjysma mendon se ajo ka mbetur e njëjtë.

Kjo do të thotë që më pak se një e pesta e punonjësve deklarojnë se janë më pak të stresuar në punë dhe kanë më pak punë për të bërë.

Adecco thotë se 23% e punonjësve të anketuar planifikojnë ta lënë punën e tyre në dy vitet e ardhshme dhe punonjësit më të stresuar janë ata me më shumë gjasa për t’u larguar nga puna aktuale.

Punonjësit mendojnë se mirëqenia e tyre nuk po mbështetet nga punëdhënësit

Pothuajse gjysma e punonjësve të anketuar – saktësisht, 45% e tyre – mendojnë se punëdhënësit nuk e mbështesin realisht mirëqenien e tyre.

Megjithatë, pothuajse tre të katërtat e punëdhënësve – 74% e tyre – thonë se mirëqenia e punonjësve është “shumë e rëndësishme” ose “jashtëzakonisht e rëndësishme” për ta.

Kjo do të thotë ose që kompanitë nuk po ofrojnë mbështetje të mjaftueshme për mirëqenien e punonjësve të tyre, ose që punonjësit nuk janë të vetëdijshëm për mbështetjen që i ofrohet nga punëdhënësit, sugjeron Adecco.

Këto janë mënyrat se si punonjësit shkëputen nga puna

Punonjësit kudo në botë janë “të rraskapitur”, thotë Adecco, kështu që aftësia për t’u shkëputur nga puna për pak kohë është e rëndësishme për mirëqenien e tyre.

Në 16 vendet e anketuara, shumica e punonjësve thonë se kalimi i kohës me miqtë dhe me familjen është mënyra më e zakonshme që ata zgjedhin për të larguar mendjen nga puna.

Në Kanada, stërvitja është mënyra që shumica e punonjësve zgjedhin për t’u shkëputur nga puna. Stërvitja është gjithashtu një mënyrë tepër e zakonshme për rreth një të tretën e punonjësve në Indi, Itali, Spanjë, Amerikën Latine dhe Zvicër.

Në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Shtetet e Bashkuara, shpenzimi i kohës duke parë televizor është mënyra më e përhapur, së bashku me kalimin e kohës me miqtë dhe familjen.

Çfarë lloj mbështetjeje kërkojnë punonjësit?

Punonjësit e lodhur dhe të stresuar nga puna kanë nevojë për më shumë mbështetje për shëndetin e tyre mendor dhe, gjithashtu, duan më shumë aktivitete sportive dhe rekreative, thotë Adecco. Por, vetëm një e treta e kompanive që morën pjesë në këtë anketë deklarojnë se i ofrojnë këto mundësi.

Punonjësit thonë gjithashtu se mundësia për të punuar në mënyrë fleksibël për sa i përket orareve dhe vendndodhjes, është faktori më i rëndësishëm për t’i ndihmuar ata që të shkëputen nga puna.

Pothuajse tre të katërtat e kompanive thonë se kanë ndryshuar politikat dhe mjediset e punës, në përpjekje për të rritur angazhimin dhe kënaqësinë e punonjësve dhe, në të njëjtën kohë, për të reduktuar largimet e stafit nga puna.

Krijimi i ambienteve të punës më të shëndetshme mendërisht për punonjësit

Bota e re e punës e krijuar që nga fillimi i pandemisë, me punën nga shtëpia që është përhapur së tepërmi, ka bërë që mirëqenia e punonjësve dhe shëndeti i tyre mendor të kthehen në çështje akoma më kritike, thotë Forumi Ekonomik Botëror.

Projekti “Shëndeti Mendor në Vendin e Punës” është një bashkëpunim me partnerë të Forumit, duke përfshirë Organizatën Botërore të Shëndetësisë dhe organizatën e kërkimeve shkencore në shëndetësi, Wellcome Trust, për të krijuar vende pune “më të shëndetshme mendërisht për punonjësit” në të gjitha industritë dhe rajonet anembanë botës.

Kompanitë duhet të krijojnë kultura dhe vende pune ku “punonjësit mund të ndihem sa më mirë, si fizikisht, ashtu edhe mendërisht”, thotë Forumi./World Economic Forum – Monitor/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit