Bordi i Paqes i Trump po nxit gjenocidin në Gaza

Më të lexuarat

Ky organ po i ofron Izraelit mbulim diplomatik ndërsa vazhdon kriza humanitare

Sipas një analize të publikuar nga The Electronic Intifada, më shumë se gjashtë muaj pas hyrjes në fuqi të armëpushimit të tetorit 2025, situata humanitare në Gaza mbetet katastrofike.

Edhe pse marrëveshja parashikonte ndalimin e operacioneve ushtarake, tërheqjen graduale të forcave izraelite dhe lejimin e ndihmave humanitare, autoritetet palestineze, organizatat humanitare dhe grupet për të drejtat e njeriut raportojnë se kushtet në terren nuk janë përmirësuar ndjeshëm.

Që nga fillimi i armëpushimit janë vrarë rreth 940 palestinezë, ndërsa numri total i viktimave që nga tetori 2023 ka kaluar 72 mijë. Zyra e OKB-së për të Drejtat e Njeriut ka ngritur shqetësime serioze se civilë janë vrarë pranë zonave të kontrolluara nga ushtria izraelite, veprime që mund të përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe krime lufte.

Ndërkohë, ndihmat humanitare vazhdojnë të përballen me pengesa të shumta. Organizata si Save the Children, Oxfam dhe Refugees International paralajmërojnë se fëmijët vazhdojnë të shfaqin shenja të kequshqyerjes akute, ndërsa shumë familje jetojnë pa strehim të përshtatshëm, në kushte të rënda sanitare.

Electronic Intifada, thekson se më pak se një e treta e kamionëve me ndihma të parashikuar nga marrëveshja e armëpushimit kanë hyrë në Gaza, duke përkeqësuar mungesën e ushqimit, ujit dhe shërbimeve shëndetësore.

Artikulli kritikon gjithashtu mënyrën se si Bordi i Paqes i krijuar nga administrata Trump ka raportuar situatën në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Sipas raportit të bordit, pengesa kryesore për zbatimin e marrëveshjes është refuzimi i Hamasit për t’u çarmatosur.

Megjithatë, kritikët argumentojnë se raporti minimizon ose anashkalon përgjegjësinë e Izraelit për vazhdimin e operacioneve ushtarake, zgjerimin e kontrollit territorial dhe kufizimin e ndihmave humanitare.

Një tjetër pikë polemike lidhet me përfaqësuesin e lartë të Bordit të Paqes, diplomatin bullgar Nickolay Mladenov. Sipas autores Maureen Clare Murphy, ai ka ushtruar presion mbi Hamasin për të pranuar çarmatimin, ndërsa ka shmangur kritikat publike ndaj Izraelit për vrasjet e civilëve, pengimin e ndihmave dhe shkeljet e raportuara të armëpushimit. Kritikët e shohin këtë qasje si të njëanshme dhe të paaftë për të garantuar zbatimin e barabartë të marrëveshjes.

Përveç sfidave politike, bordi përballet edhe me probleme financiare. Megjithëse gjatë takimit themelues u premtuan miliarda dollarë për rindërtimin e Gazës, vetëm një pjesë shumë e vogël e këtyre fondeve është disbursuar. Vlerësimet e Bashkimit Evropian, OKB-së dhe Bankës Botërore tregojnë se rindërtimi dhe rimëkëmbja e Gazës do të kërkojnë mbi 70 miliardë dollarë.

Në përfundim, The Electronic Intifada argumenton se Bordi i Paqes nuk ka arritur të sigurojë as mbështetjen financiare dhe as legjitimitetin politik të nevojshëm për të zbatuar planin e tij. Sipas analizës, ndërsa procesi diplomatik vazhdon, Izraeli po forcon kontrollin mbi pjesë të mëdha të Gazës dhe po krijon kushte që e bëjnë gjithnjë e më të vështirë jetesën dhe kthimin e palestinezëve në zonat e tyre.

Për kritikët e bordit, kjo situatë po i jep mbulim diplomatik politikave që, në vend të paqes së qëndrueshme, po thellojnë krizën humanitare dhe konfliktin në Gaza. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit