1.5 C
Pristina
Thursday, December 19, 2024

Imami, Prijës i Komunitetit – Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Një pasqyrë e përgjithshme

Pozita e imamit është ndër pozitat më të rëndësishme të shoqërisë islame, ky fakt është një indikator më shumë që të kemi kujdes se kë e zgjedhim si imam të xhamisë së lagjes tonë. Ashtu si pozita e kokës për trupin e njeriut ka rëndësi jetike, njëjtë edhe pozita e imamit është e panegociueshme në Islam. Nga mësimet e të Dërguarit të Allahut është që kur dy veta marrin një rrugëtim të gjatë, njëri prej tyre të caktohet si prijës (imam, udhëheqës). I njëjti parim vlen edhe kur janë më shumë veta. Përfundimi i një shoqërie, grupi apo institucioni pa prijës do të jetë humbja dhe vetshkatrrimi. Studiuesit e politikës kanë arritur në përfundim se shoqëria pa lidership është e prirur të jetojë në kaos e rrëmujë. Koncepti i imamit mund të përceptohet në dy aspekte kryesore, në kuptimin e ngushtë dhe të gjerë në varësi të rrethanave, përdorimit dhe kontekstit.

Imami në kuptimin e ngushtë: ‘Imami i përkohshëm’
Kudo që janë muslimanët, duhet të kordinohen mes vete, të drejtohen dhe udhëhiqen nga prijësi të cilin e kanë zgjedhur e jo nga teket dhe dëshirat e tyre. Për shembull kur jeni në udhëtim, po merrni pjesë në një koferencë a seminar, një imam nga mesi i pjesëmarrësve duhet të caktohet në mënyrë që të marrë në dorë situatën. Mandati i tij përfundo me të marrë fund udhëtimi ose konferenca.

Imami në kuptimin e gjerë: ‘Imami përhershëm’
Ky emërtim i referohet imamit, mandati dhe qëndrimi i autoritetit të të cilit është në baza të përhershme ose në një periudhë më të gjatë. Autoriteti i tij për të udhëhequr, koordinuar apo kontrolluar njerëzit ose komunitetin nuk pushon deri në vdekjen e tij, skadimin e emërimit ose shkarkimin e tij nga pozita e imamit për shkak të sjelljeve të tij të cilat bien ndesh me parimet e fesë tonë. Imami i xhamisë dhe prijësit e muslimanëve hyjnë nën përkufizimin e imamit të përhershëm. Imami i përhershëm është bartës i besimit për komunitetin, si i tillë ai duhet ti përmbahet një marrëveshjeje shoqërore. Marrëveshje në të cilën pjesëtarët e komunitetit çështjet e tyre ia lënë në dorë prijësit ose imamit, duke e ruajtur parimin e Librit të Allahut dhe traditës së të Dërguarit të Tij.

Funksionet e imamit sot:
Tradicionalisht, imami në komunitetin ku është caktuar të udhëheqë kryen shumë funksione. Në pika të shkurtëra do të mundohemi ti përmendim përgjegjësit kryesore të tij.
– Kujdestar dhe udhëheqës
Ai u prinë njerëzve në namaz dhe në adhurimet tjera. Njerëzit janë të mirëinformuar se imami në veten e tij i bashkon dy konceptet, atë shpirtëror dhe social e politik.
– Gjykatës
Njohuria e tij e thellë e Sheriatit i lejon atij të këshillojë, gjykojë dhe të zgjidhë mosmarrveshjet që ndodhin në komunitetin ose xhaminë e tij.
– Prijës shpirtëror e ceremonial
Imami është përgjegjës për të gjitha ceremonitë që ndodhin në komunitetin e tij. Ai është prijës i ceremonisë së varrimit, i udhëheqë organizimet e akikës (ceremoni që organizohet me rastin e lindjes së fëmijëve), është prijës në namaz, e tek ai bëhet edhe zyrtarizimi i martesave. Kjo traditë e ka shoqëruar umetin tonë që nga koha e Muhamedit alejhiselam dhe shokëve të tij e deri sot.

– Përgjegjës i sigurisë
Imami ngarkohet me detyrën e ofrimit të sigurisë maksimale për komunitetin e tij; jeta, prona, integriteti dhe pasuria sigurohen nën kontrollin dhe udhëheqjen e tij. Imami duhet të krijojë kontakte me institucionet e sigurisë dhe ato të vendimmarrjes, zyrën e kryetarit të qytetit në të cilin gjendet komuniteti musliman, departamentin e policisë, udhëheqësit e besimeve tjera dhe të gjithë individët tjerë që kanë ndikim në atë qytet.

– Zyrtar financiar
Imami duhet të ruajë pasurinë kolektive e cila mbledhet kryesisht nga Zekati, vakëfet e ndryshme, abonimet, taksat dhe të ardhurat nga toka apo objektet që janë në pronësi të komunitetit. Këtë detyrë imami mund t’ia delegojë ndonjë pjestari të komunitetit i cili është i kualifikuar duke u siguruar që të marrë raporte nga ai herë pas here.

– Këshilltar
Imami duhet të shihet si një person, këshillat dhe urtësia e të cilit kërkohet herë pas here për shkak të vlerave të tij shpirtërore dhe erudicionit të tij intelektual. Ai duhet të konsultohet për udhëzime në rast të problemeve martesore, çështje politike, morale, fetaer e bashkëkohore.

– Zëri i komunitetit musliman
Imami duhet të ftohet në forume dhe konferenca kur flitet për çështje që kanë të bëjnë me Islamin dhe muslimanët. Ai duhet të kontaktohet për të dhënë opinione të shëndosha për çështjet kombëtare dhe ndërkombëtare dhe çfarëdo që thotë imami përfaqëson zërin e tërë komunitetit. Opinionet të cilat i shpreh imami publikisht duhet të jenë të ndërtuara mbi bazën e shëndoshë të Kuranit dhe traditës profetike dhe të jenë të mirë diskutuara edhe brenda mendjeve të ndritura të komunitetit. Herë pas here imami duhet të lëshojë deklarata për çështjet që janë në interes të komunitetit të cilin e përfaqëson.

Kriteret për emërimin e imamëve
Islami krenohet me faktin se ka burime të vërteta nga të cilat udhëzohet dhe drejtohet. Libri i Allahut dhe tradita e të Dërguarit të Tij i kanë përcaktuar qartë kriteret për emërimin e imamit. Allahu thotë:
“A nuk e ke dëgjuar ti (o Muhamed) se çfarë i tha paria e bijve të Israilit, pas Musait, një profeti të tyre? I tha: “Na dërgo një mbret, që të luftojmë në rrugën e Allahut!” – Profeti u tha: “Po sikur të mos luftoni kur të shpallet lufta?” Ata thanë: “E përse të mos luftojmë në rrugën e Allahut, ne që jemi dëbuar nga atdheu ynë dhe jemi ndarë nga fëmijët tanë?!” Mirëpo, kur u urdhëruan të luftojnë, ata nuk luftuan, me përjashtim të një pakice. Allahu i njeh mirë keqbërësit. Profeti i tyre u tha: “Allahu ka dërguar Talutin si mbretin tuaj.” Ata thanë: “Si mund të bëhet ai mbreti ynë, kur ne kemi më tepër merita se ai për të sunduar?! Përveç kësaj, ai nuk ka ndonjë pasuri të madhe.” Ai u përgjigj: “Allahu e ka zgjedhur atë për mbretin tuaj dhe e ka pajisur me dijeni të gjerë dhe me fuqi trupore. Allahu ia jep pushtetin e Vet kujt të dojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm.” (Kuran, 2:246)

Allahu iu drejtua Ibrahimit alejhi selam me fjalët:
“Allahu i tha: “Unë do të të bëj ty imam (prijës) të njerëzve!” – “Po pasardhësit e mi?” – pyeti ai. Allahu tha: “Premtimi Im nuk i përfshin të padrejtët.” (Kuran, 2:124)
Për më tepër, Abdullah ibn Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur me të e transmetojë këtë këshillë të Muhamedit alejhi selam në të cilën tha: “Ai që e lexon Librin e Allahut më së shumti duhet të jetë imam – prijës i njerëzve. Nëse të gjithë janë të barabartë në këtë kriter, atëherë duhet të zgjidhet ai që e njeh më së miri traditën time, pastaj ai që ka emigruar më heret (emigrimi nga Meka në Medine), pastaj më i vjetri në Islam (ai që është konvertuar më herët), dhe askush nuk duhet t’ia zë vendin e imamit të caktuar.” (Transmeton Muslimi)

Xhabiri, Allahu qoftë i kënaqur me të transmeton nga i Dërguari i Allahut të ketë thënë: “Një gruaje nuk i lejohet asnjëherë t’u prijë burrave në namaz, as një beduin (arab i shkretëtirës) të udhëheqë një muhaxhir (muslimani nga koha e Muhamedit alejhi selam i cili kishte emigruar nga Meka në Medine), as një burrë i pandershëm të udhëheqë një besimtar të devotshëm.” (Transmeton Ibn Maxheh)
Në bazë të dekreteve hyjnore të cituara më lartë, në vijim do t’i paraqesim kriteret për emërimin e imamëve.

– Besimi
Kandidati i cili synon të jetë imam i një komuniteti duhet të jetë musliman i cili i beson bazat e besimit islam pa asnjë dyshim. Jobesmitari nuk mund të udhëheq komunitetin musliman.

– Dituria
Imami i ardhshëm duhet të jetë i ditur. Duhet të ketë dituri në shkencat kryesore islame, shkencat e Kuranit, Hadith, Fikh, Tefsir, Qytetërim Islam, Moral e Politikë.

– Tiparet e një lideri
Postin e imamit më mirë e kompleton dikush që ka tipare të natyrshme dhe të fituara të udhëheqjes si: urtësinë, elokuencën, karizmën dhe aftësinë për të gjykuar dhe marrë vendim të pavarura dhe të pandikuara nga faktorë të jashtëm. Ai gjithashtu duhet të jetë i pajisur me diplomaci, përulësi vendosmëri dhe durim.

– Mosha dhe pjekuria
Postin e imamit duhet ta plotësojë një i rritur, ngase i mituri mund të mos jetë në gjendje të menaxhojë punët e komunitetit musliman. Kur dy persona kanë kualifikimet  e njëjta për pozitën e imamit, atëherë nga pikëpamja islame preferohet që të zgjidhet ai që është më i moshuar për shkak të përvojës dhe pjekurisë që ka. Kjo për shkak se sjellja njerëzore është komplekse dhe e çrregullt; ajo kërkon përvojë dhe pjekuri për të menaxhuar dhe udhëhequr me njerëzit. Shejh Uthman Dan Fodio (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Është më e lehtë ti ruajsh dhe drejtosh 100 dele me një shkop, sesa një njeri me 10 shkopinj.” Ky citat tregon se sa komplekse është natyra njerëzore. Prandaj kushdo që vihet në pozitën e udhëheqësit të një komuniteti të caktuar, në rastin tonë imami si prijës i komunitetit musliman duhet të jetë i pjekur dhe me përvojë.

– Duhet të jetë mashkull
Posti i imamit është post ekskluziv i meshkujve. Sipas Sheriatit gruas nuk i lejohet të jetë prijëse e komunitetit musliman pavarësisht nivelit të dijes, devotshmërisë dhe mendjemprehtësisë së saj udhëheqëse. Megjithatë ky fakt nuk e ndalon atë të jetë në shërbim të komunitetit e në veçanti në aktivitetet që kanë të bëjnë me gratë e komunitetit musliman duke i bashkërenduar aktivitetet me imamin e xhamisë.

– Sfondi
Një imam duhet të vije nga një mjedi i qytetëruar pasi kjo do të ndikonte pozitivisht në sjelljen e tij, të folurit, të menduarit dhe botëkuptimin e tij. Kjo shpjegon arsyen pse Muhamedi alejhi selam preferoi dikë nga qyteti para një beduini nga shkretëtira.

 Dinamizmi
Imami i ardhshëm duhet të jetë në harmoni me ndryshimet në botë kundrejt Islamit. Ai duhet të jetë aktual në ngjarjet globale. Ai gjithashtu duhet të jetë në gjendje që të trajtojë çështje bashkëkohore mbi Islamin.

Zyrtarët e xhamisë dhe funksionet e tyre
Status quo-ja në mjediset fetare të nigerisë është e tillë që xhamitë, pavarësishtë madhësisë kanë emëruar ose zgjedhur zyrtarë të ngarkuar me detyra dhe përgjegjësi të caktuara për tu kujdesur për punët e përditshme të xhamisë. Nëse marrim shembull një xhami të caktuar, atëherë ajo e ka kryetarin, imamin, zëvëndësin e imamit, muezinin, sekretarin e përgjithshëm, ndihmës sekretarin, zyrtarin financiar, arkëtarin, zyrtarin për mirëmbajtjen e aseteve të xhamisë dhe zyrtarin për marrëdhënie me publikun. Grafiku i mëposhtëm hedh më shumë dritë mbi përbërjen e këshillit ekzekutiv të shumicës së xhamive në Nigeri.

Kryetari: Ai është kreu i përgjithshëm i xhamisë. Ai kontrollon jetën fetare dhe administrative të xhamisë.

Imami: Ai është udhëheqësi shpirtëror i xhamisë. Funksionet e tij janë të shumta dhe të llojllojshme.

Zëvëndësi i imamit: Në zingjirin drejtues vije menjëherë pas imamit. Detyra e tij është ta zëvëndësojë imamin atëherë kur ai për ndonjë arsye mungon në prirjen e njerëzve në namazet me xhemat. Në rast të vdekjes së imamit ose largimit të tij për çfardo arsye zëvëndësi i tij i merr të gjitha përgjegjësit e imamit deri në një vendim të arshshëm nga këshilli i xhamisë.

Muezini: Është i ngarkuar me detyrën e thirrjes së ezanit pesë herë në ditë. Në rast kur xhamia është e stërmbushur dhe zëri i imamit nuk mbrrinë tek të gjithë, është detyrë e muezinit që të gjejë zgjidhje për këtë çështje.

Sekretari i përgjithshëm: Detyrë e tij është që të merret me çështjet ligjore që kanë të bëjnë me xhaminë. Ai ruan dokumentet zyrtare, procesverbalet e mbledhjeve, kopjet e vendimeve dhe dokumetet e tjera të rëndësishme për xhaminë.

Ndihmës sekretari i përgjithshëm: Zëvëndëson sekretarin e përgjithshëm dhe kryen të gjitha detyrat e përcaktuara me rregulloret e brendshme të xhamisë. Ai bënë marrëveshje për takime të ndryshme, dërgon qarkore dhe njoftime.

Zyrtari financiar: Ai mban librat e llogarive të xhamisë. Është përgjegjës për arkën, pagesat, të ardhurat dhe shpenzimet dhe në fund të çdo viti kalendarik është i obliguar që para këshillit të paraqes pasqyrën e shpenzimeve vjetore dhe gjendjen buxhetore të xhamisë. Ky post zakonisht rezervohet për dikë që ka prirje në kontabilitet.

Arkëtari: Është përgjegjës për ruajtjen e fondit të xhamisë, qoftë kesh apo në llogarinë bankare. Ai organizon mbeldhjen e fonde dhe donacioneve tjera. Në rast nevoje është detyrë e tij që t’u dhurojë fonde zyrtarëve të tjerë të xhamisë.

Zyrtari për marrëdhënie me publikun: Ai është përgjegjës për reklamimin dhe ruajtjen e imazhit të xhamisë. Është detyrë e tij që informatat e nevojshme ti përcjellë te xhemati i xhamisë ose edhe te i gjithë publiku në përgjithësi. Është në përgjegjësin e tij përgatitja e ceremonive dhe programeve të ndryshme që organizohen nga xhamia. Zakonisht në këtë pozitë vendoset dikush që është i arsimuar në lëmin e marrëdhënieve me publikun, është social dhe e flet rrjedhshëm gjuhën e popullit.

Zyrtari për mirëmbajtjen e aseteve: Ai mbron, mirëmban, riparon dhe rinovon pajisjet dhe asetet e xhamisë. Ai i vë në dispozicion të xhematit këto pajisje kurdo që e kërkon nevoja. Është punë të cilën edhe vet muezini e kryen.

Zyrtari i mirëqenies: Ai është i ngarkuar me përgjegjësinë e përkujdesjes shpirtërore dhe mjekësore të xhematit. Ai koordinon programe vizitash në spitale, qendra të rehabilitimit dhe paraburgimit, shtëpi të pleqve etj.

Konfliktet dhe përçarjet
Konfliktet, përçarjet dhe intrigat janë pjesë e shoqërisë njerëzore, prandaj as xhamitë nuk mund të kenë imunitet nda këtyre dukurive. Konfliktet e vazhdueshme në xhami kryesisht shkaktohen nga mungesa e udhëheqjes së aftë. Akoma më keq, shumica e krizave në xhami përshkallëzohen dhe mbeten të pazgjidhura. Shumica e këtyre konflikteve lindin nga mosmarrveshje të vogla e të parëndësishme; lidhja vëllazërore shkëputet dhe fillojnë të lindin dyshime. Nëse personi i përfshirë në  këto konflikte ka pozitë udhëheqëse në xhami, atëherë konflikti në fjalë mund të eskalojë tutje dhe të jetë shkak për ndarjen dhe formimin e grupeve brenda komunitetit dhe ta kthejë xhaminë në një fushë beteje. Është normale që të ndodhin mosmarrëveshje brenda xhamisë, por lidershipi duhet të jetë i pajisur me pjekuri dhe aftësi për të menaxhuar krizën në mënyrë që ajo të mos përshkallëzohet.
Nga ajo që kemi vërejtur në shumë xhami, në vijim janë shkaqet e një situate të tillë jo të mirë për komunitetin.

– Ideologjia
Mendimet dhe pikëpamjet rreth disa parimeve në Islam dhe prirjet ekstreme ndaj shkollave të mendimit dihet se shpesh kanë shkaktuar mosmarrëveshje brenda radhëve të muslimanëve nëpër xhami. Një grup nuk do të shihte asgjë të mirë në pikëpamjet e grupit tjetër. Bilal Philips në librin e tij të titulluar “Evolucioni i Fikhut” thotë se pasimi i tepruar i një opinioni apo dijetarëve të caktuar ishte përgjegjëse për shfaqjen e shkollave të mendimit në Islam. Në fillim mosmarrveshjet ishin të lehta, më vonë degjeneruan në një nivel tjetër, kur anëtari i një shkolle të caktuar refuzoi të shoqërohet me pasues të shkollave rivale, të takohet me ta nëpër xhami, shkolla e tregje, madje madje ndarja ishte aq e thellë saqë as martesat mes shkollave të ndryshme të mendimit nuk ndodhnin.

– Injoranca e përgjithshme e umetit musliman
Xhamitë tona zakonisht udhëheqen nga zyrtarë, njohuria e të cilëve për Islamin, qytetërimin dhe historinë e tij janë të cekëta sipas disa pjestarëve të komunitetit tonë. Ky zhvillim dhe skenar i shëmtuar krijoi dyshime dhe mungesë besimi në kompetencat dhe aftësitë e këtyre zyrtarëve. Është fakt racional që njerëzit e ditur nuk i nënshtrohen udhëheqjes injorante. Faktori kryesor që ka ndikuar në pozitën e lartë të Islamit është lartësimi që i është bërë dijes dhe dijetarëve. Kjo mandje mbështetet edhe në Fjalën e Allahut, në të cilën thotë:
“Në të vërtetë, nga robërit e Tij, Allahut i frikësohen vetëm dijetarët” (Kuran, 35:28)
Ajo që përmendëm më lartë është vërtetuar grafikisht nga Shejh Abdulkadr Audah në librin e tij “Islami ndërmjet ndjekësve injorantë dhe dijetarëve të paaftë” duke thënë se: “Njohuritë që muslimanët zotërojnë për jurisprudencën e tyre ndryshojnë sipas rrethanave dhe edukimit të tyre. Ata mund të ndahen në tre grupe:
– Të paarsimuarit
– Ata që janë arsimuar në perëndim (Europë)
– Ata që kanë marrë edukatë të mirëfilltë islame.”
Grupi i të paarsimuarve që e përmendëm më lartë në vete përmban analfabetë dhe njerëz me arsimim bazik, saqë kanë vështirësi në të kuptur të pavarur, idetë e parashtruara ndaj tyre, si dhe pamundësi në shprehjen e mendimeve të tyre në ide të caktuara. Individët që bëjnë pjesë në këtë grup nuk dijnë asgjë për jurisprudencën islame, përveç informatave sipërfaqësore për format e adhurimit, në pasimin e të parëve të tyre dhe liderëve shpirtërorë. Rrallë gjenë nga mesi i tyre të atillë që veprimet fetare apo adhurimet i bëjnë si rezultat i studimeve personale. Fatkeqësisht, shumica e umetit musliman mund të klasifikohet nën këtë kategori.
Nevoja për ta kuptuar Islamin në përputhje me sfidat dhe zhvillimet bashkëkohore është shumë e madhe, siçështë shprehur Hasan el-Benna: “Islami është një sistem gjithëpërfshirës që prek çdo sferë të jetës. Ai është shtet dhe atdhe. Është moral dhe pushtet (mëshirë dhe drejtësi). Është kulturë dhe ligj (dituri dhe drejtësi). Është material dhe pasuri (fitim dhe begati). Është përpjekje dhe thirrje (ushtri dhe kauzë). Dhe së fundi, është është besim dhe adhurim i vërtetë.” (Mesazhi i mësimit)
Shumica e muslimanëve nuk e shohin Islamin si kaq gjithëpërfshirës, ata nuk mund ta ngarkojnë realisht imamin apo udhëheqësin e xhamisë me këtë rol. Ky kërcënim i injorancës dhe paditurisë, në fakt, imponon efektin e tij të mbetur në klasën e dijetarëve. (Islami ndërmjet ndjekësve injorantë dhe dijetarëve të paaftë, faqe 88-90)

– Keqmenaxhimi financiar / Mungesa e transparencës
Një burim tjetër i konfliktit në shumicën e xhamive të Nigerisë është edhe menaxhimi jo i mirë i financave. Akoma më keq, zyra e financave e cila merret me mbledhjen e fondeve për xhami është vendosur në ballë të xhamisë, çka ndikon në humbjen e vëmendjes së xhematlinjëve dhe është një shpërqëndrim i pashmangshëm. Gjëja më shqetësuese nga të gjitha është mosinvestimi i këtyre fondeve në sipërmarrje fitimprurëse që do të ishin të dobishme për umetin. Edhe më keq, mund të ketë anëtarë të komunitetit të cilët kanë nevojë emergjente për përkrahje me ndihmë financiar. Pa asnjë ndihmë nga xhamia që e frekuentojnë ata bëhen të dëshpëruar për të kërkuar zgjidhje nga çdo burim i mundshëm, qoftë edhe në kisha apo organizata të besimeve të tjera. Si do ta justifikoninmenaxherët e xhamive një rast hipotetik të tillë dhe cili do të ishte arsyetimi i tyre para Krijuesit Suprem në Ditën e Llogarisë? Çështja në fakt kërkon zgjidhje urgjente.

– Ambicia dhe aspiratat
Aq është politizuar çështja e udhëheqjes së xhamisë në disa institucione fetare, saqë interesat personale janë vendosur para interesave të xhamisë dhe komunitetit si tërësi. Ata  që për një arsye ose tjetrën nuk kanë arritur të kenë poste në xhami, kundërshtarët e tyre i konsiderojnë si armiq, duke krijuar konkurrencë dhe përqarje në atë që konsiderohet ‘Shtëpi e Zotit’, e cila është e dedikuar vetëm për adhurimin e Tij.

– Struktura e dëmtuar e xhamisë
Duke parë diskutimin tonë të mëparshëm rreth zyrtarëve të xhamisë dhe funksioneve të tyre dhe konflikteve dhe përçarjeve që ndodhin në xhamitë tona dakordohemi me faktin se struktura organizative e xhamisë tonë ka nevojë për ndryshime rrënjesore dhe korrigjim të të metave. Një organizim tipik administrativ i xhamive tona duket kështu:

Imami – udhëheqësi shpirtëror

Kryetari – udhëheqësi administrativ
Ky binom në autoritetin udhëheqës shkakton ndjenja të këqija, ndarje, stagnim dhe efekte të tjera negative të cilat pengojnë përparimin e Islamit dhe faktorizimin e muslimanëve në shoqëri. Duke i vëzhguar funksionet dhe përbërjen e zingjirit udhëheqës të xhamisë shohim se fuqia e imamit është e kufizuar vetëm në çështje shpirtërore. Fjala e tij nuk merret parasysh në çështje administrative, fushë kjo e rezervuar për kryetarin dhe funksionarët tjerë. Imami nuk merr vendime dhe nuk kryeson mbledhje. Ai nuk ka pushtet ekzekutiv për të sanksionuar apo dhënë miratime për projekte të caktuara dhe programe të ndryshme. Në fakt, predikimet, fjalimet dhe opinionet e imamit zakonisht janë të dirigjuara nga të tjerët, dhe kjo e bënë punën e tij thjesht ceremoniale dhe pa efekt.
Megjithatë, kryetari ushtron pushtet të madh në çështjet administrative të xhamisë. Mendimet e tij merren për bazë kur kërkohet miratimi për ndonjë çështje të caktuar. Kryetari madje e drejton edhe imamin se çka të flet  në minber ditën e xhuma dhe në raste të tjera kur i drejtohet masës. Kryetari ëdhtë de facto lideri, mendimet e të cilit kanë rëndësi në çdo çështje. Kjo e metë duhet të korrigjohet nëse umeti musliman dëshiron më të mirën nga dijetarët e urtë muslimanë. Në të njëjtën kohë edhe dijetarët duhet të bëjnë më shumë në fushat e zhvillimit personal, ti studiojnë më shumë çështjet bashkëkohore, të arrijnë grada më të larta akademike, arritje këto të cilat do ti vendosnin ata në pozita të favorshme midis elitave dhe të ishin më të respektuar.

Marrë nga libri: “Xhamia: Bazat dhe Menaxhimi”, shkruar nga Dr. Taxhudin Jusuf dhe Dr. Llokman AbduRrahim

Përktheu: Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit