Rreth edukimit të fëmijës dhe orientimit të tij drejt virtyteve

Më të lexuarat

Abdulvehhab Esh-Sha’rani (v. 973 h.) thotë në librin e tij “Tenbihu el-Mughterrin fi el-Karni el-’Ashir ala ma Khalefu fihi Selefehum et-Tahir”:

“Im bir, Abdurrahmani, nuk kishte aspak dëshirë për të kërkuar dije dhe kjo më shqetësonte shumë. Atëherë Allahu i Lartësuar ma frymëzoi zemrën që çështjen e tij t’ia lija Atij dhe kështu bëra. Që nga ajo natë, ai filloi vetë të studionte pa ia kërkuar unë këtë. Që prej asaj nate ndjeu ëmbëlsinë e dijes dhe kuptimi i tij u bë më i thellë se i shumë atyre që kishin vite që merreshin me studime. Allahu më çliroi nga lodhja dhe shqetësimi që kisha duke ia dorëzuar çështjen e tij Atij. Allahu e bëftë prej dijetarëve që veprojnë sipas dijes së tyre. Amin.

Kam dëgjuar shejhun tonë, Ali el-Hauasin, të thoshte:

‘Për fëmijët e dijetarëve dhe të njerëzve të mirë nuk ka gjë më të dobishme sesa lutja për ta në mungesën e tyre dhe dorëzimi i çështjes së tyre Allahut.’

Kjo sepse zakonisht njëri prej tyre rritet i përkëdhelur nga babai i tij dhe me ndihmën e nënës, nëse ajo është e pranishme. Ai mjaftohet me respektin që njerëzit i tregojnë për shkak të babait të tij dhe kështu shpesh nuk gjen motivim për të fituar vetë virtyte. Ai mendon me vete:

‘Pozita dhe respekti që të tjerët e fituan me mund, studim dhe përpjekje, mua më erdhi falë babait tim.’

Megjithatë, kjo rregull nuk vlen për disa bij dijetarësh dhe njerëzish të devotshëm, si bijtë e Shejh Tekiuddin es-Subkiut dhe të Shejh Siraxhuddin el-Bulkinit, të cilët arritën shkallë të lartë përsosmërie.”

Autori (Mahmud Ebu Hajan) komenton:

Sa për Abdurrahman Esh-Sha’ranin (v. 1011 h.), ai arriti në dije atë që bashkëmoshatarët e tij nuk e arritën për dhjetëra vite. Babai i tij dhe shumë dijetarë të kohës së tij ktheheshin tek ai për këshillë e përfitim.

Pas vdekjes së të atit, ai trashëgoi pozitën dhe vendin e tij, qëndroi në atë post për 37 vjet dhe babai i tij krenohej shumë me të. Ai e përmend në veprat e tij dhe Abdurrahmani la shënime e komente mbi dorëshkrime të ndryshme të babait.

Megjithatë, në fillim të jetës ai ishte larg dijes; kishte braktisur studimet, merrej me çështje të dynjasë dhe ishte shpërngulur me familjen në një vend pushimi e argëtimi.

Prandaj kuptohet se:

Çdo e mirë e ka patjetër burimin te ndihma hyjnore dhe hapja që jep Allahu. Dija është ndër dhuntitë më të mëdha me të cilat furnizohet robi. Ajo e ngre njeriun dhe e shpëton nga humbja.

Kush mbështetet vetëm tek vetja, Allahu mund ta lërë pa sukses, duke ia ngritur perden e ndihmës dhe duke ia ndërprerë dëshirën për të mirën.

Prandaj, ndjenja e nevojës ndaj Allahut dhe dorëzimi i çështjeve tek Ai janë shkak për udhëzim dhe sukses.

Sa shumë dijetarë ka pasur që nuk kanë mundur t’ua transmetojnë fëmijëve të tyre dijen që mbanin në zemër! Ankesat e dijetarëve për këtë gjenden të shpërndara në librat e biografive dhe historisë.

Prandaj:

Dorëzoje tërësisht çështjen tënde Allahut.

Dija është dhuratë e Tij; Ai ia jep kujt dëshiron dhe ia privon kujt dëshiron. Askush nuk e pyet Atë për atë që bën.

Imam Malik ibn Enesi (v. 179 h.) kishte një vajzë që e mbante dhe e trashëgonte dijen e tij, ndërsa këtë nuk e gjeti te djali i tij. Ai tha me keqardhje:

“Ky është djali im dhe kjo është vajza ime. Ajo që ma lehtëson dhimbjen është se kjo dije nuk trashëgohet me gjak dhe se askush nuk e zëvendësoi babanë e vet në dijen dhe kuvendin e tij, përveç Abdurrahman ibn el-Kasimit.”

Po, dija nuk trashëgohet me detyrim. Ajo fitohet me pasion, me dëshirë që depërton në çdo damar të njeriut.

Shumë imamë kanë shkruar libra posaçërisht për fëmijët e tyre, ndër ta:

* Ebu Uelid el-Baxhi – En-Nesihatu el-Ueldijje.
* Ebu Is’hak el-Ilbiri – Et-Taijje.
* Ibn el-Xheuzi – Leftetu el-Kebid ila Nesihati el-Ueled.
* Ibn Malik – El-Elfijje.
* Ibn Xhuzej el-Garnati – disa libra për fëmijët e tij.
* Ibn Kajjim el-Xheuzijje – Tuhfetu el-Meudud bi Ahkami el-Meulud.
* Abdulrahim el-Iraki – Takribu el-Esanid ue Tertibu el-Mesanid.
* Ibn Haxher el-Askalani – Bulugh el-Meram.

Dhe nëse fëmijët e tyre nuk përfituan prej këtyre veprave, mjafton që prej tyre përfitoi umeti dhe bota. Sepse atësia e dijes është më fisnike se atësia e gjakut.

I Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Unë jam për ju si një baba; ju mësoj.” (Sahih, Ebu Davudi, Nesaiu etj.)

Madje një grup juristësh e kanë lejuar që ai të quhet:

“Babai i besimtarëve.”

Tajuddin es-Subki (v. 771 h.) transmeton se Ebu Is’haku thoshte:

“Kush lexon qoftë edhe një çështje tek unë, ai është biri im.”

🤲 O Allah, na përmirëso neve dhe pasardhësit tanë. Amin.

Mahmud Ebu Hajan

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit