2.7 C
Pristina
Tuesday, December 3, 2024

‘Kumbari’ i Inteligjencës Artificiale, Geoffrey Hinton, paralajmëron për rreziqe ndërsa largohet nga Google

Më të lexuarat

 

Geoffrey Hinton, 75 vjeç, njoftoi dorëheqjen e tij nga Google, në një deklaratë për New York Times, duke thënë se, tani i vjen keq për punën që ka bërë.

Ai tha se disa nga rreziqet e chatbot-eve të Inteligjencës Artificiale ishin “mjaft të frikshme”.

“Për momentin, ata nuk janë më inteligjentë se ne, me sa mund të them. Por, mendoj se ata së shpejti mund të jenë.”

Dr Hinton gjithashtu pranoi se, mosha e tij ishte një faktor në vendimin e tij për t’u larguar nga gjigandi i teknologjisë, duke thënë “Unë jam 75 vjeç, kështu që është koha të tërhiqem”.

Studimi pionier i Dr. Hinton mbi rrjetet nervore dhe mësimin e thellë, ka hapur rrugën për sistemet aktuale të IA si ChatGPT.

Në inteligjencën artificiale, rrjetet nervore janë sisteme të ngjashme me trurin e njeriut, në mënyrën se si ata mësojnë dhe përpunojnë informacionin. Ato u mundësojnë IA-ve të mësojnë nga përvoja, siç do të bënte një person. Ky quhet mësim i thellë (deep learning).

Psikologu njohës dhe shkencëtari kompjuterik britaniko-kanadez, tha se chatbot-ët së shpejti mund të tejkalojnë nivelin e informacionit, që mban truri i njeriut.

“Dhe duke pasur parasysh shkallën e ecurisë teknologjike, presim që gjërat të përmirësohen shumë shpejt. Kështu që, ne duhet të shqetësohemi për këtë.”

Në artikullin e New York Times, Dr. Hinton iu referua “aktorëve të këqij”, që do të përpiqeshin të përdorin AI për “gjëra të këqija”.

Ai shtoi: “Kam arritur në përfundimin se lloji i inteligjencës, që po zhvillojmë, është shumë i ndryshëm nga inteligjenca që kemi.

“Ne jemi sisteme biologjike dhe këto janë sisteme dixhitale. Të gjitha këto kopje mund të mësojnë veçmas, por të ndajnë njohuritë e tyre me njëra-tjetrën.

Pra, është sikur të kishit 10,000 njerëz dhe sa herë që një person mëson diçka, të gjithë e dinë atë automatikisht. Dhe kjo është mënyra se si këta chatbot, mund të dinë shumë më tepër se çdo person i vetëm.”

Matt Clifford, kryetari i Agjencisë së Kërkimeve dhe Shpikjeve të Avancuara të Mbretërisë së Bashkuar, tha se njoftimi i Dr Hinton “nënvizon shkallën me të cilën aftësitë e IA po përshpejtohen”.

“Ka një avantazh të madh nga kjo teknologji, por është thelbësore, që bota të investojë shumë dhe urgjentisht, në sigurinë dhe kontrollin e AI,” tha ai.

Sjellje e përgjegjshme

Dr Hinton theksoi se ai nuk donte të kritikonte Google dhe se, gjigandi i teknologjisë kishte qenë “shumë i përgjegjshëm”.

“Unë në fakt dua të them disa gjëra të mira për Google. Dhe ato janë më të besueshme, nëse nuk punoj për Google.”

Në një deklaratë, shkencëtari kryesor i Google, Jeff Dean tha: “Ne mbetemi të përkushtuar ndaj një qasjeje të përgjegjshme ndaj IA. Ne po mësojmë vazhdimisht të kuptojmë rreziqet në zhvillim, ndërsa gjithashtu inovojmë me guxim.” / BBC

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit