Çmimi i një koncerti dhe zhvlerësimi i shumë jetëve njerëzore

Më të lexuarat

Kur shteti bën spektakël dhe spitalet e tij lypin lëmoshë…

A ka mbetur më pikë turpi, ndjeshmërie njerëzore dhe përgjegjshmërie në korridoret e pushtetit në Shqipëri? Lajmi skandaloz se Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT) – zemra e sistemit tonë shëndetësor publik dhe shpëtimi i fundit për mijëra shqiptarë – u është drejtuar qytetarëve me një thirrje zyrtare për donacione për të blerë pajisje elementare mjekësore, është pika e fundit e ujit në gotën e mbushur me arrogancë qeveritare.

Dhe kjo ndodh në të njëjtën kohë, kur me një të rënë të lapsit dhe pa asnjë lloj droje, qeveria e Edi Ramës dha plot 4.2 milionë euro nga fondet e shtetit për të financuar një koncert privat të reperit amerikan Kanye Ëest.

Ky nuk është thjesht një skandal i radhës apo një gabim administrativ në menaxhimin e fondeve. Është një krim i pastër penal dhe moral ndaj çdo pacienti që lëngon në shtrat, ndaj çdo mjeku që punon me duar bosh dhe ndaj çdo qytetari që paguan taksa me shpresën se shteti do t’i gjendet pranë në ditën e tij më të vështirë.

Ndërsa paratë e emergjencave publike u dogjën në dritat e projektorëve të një koncerti, spitali më i madh në vend detyrohet të lypë kompjuterë, respiratorë dhe monitorë pacienti përmes bamirësisë.

Imagjinoni për një moment skenën e përditshme në QSUT. Një mjek i palodhur, nën presionin e jashtëzakonshëm të urgjencës, duhet të marrë një vendim të shpejtë për të shpëtuar një jetë njeriu.

Por në vend të teknologjisë së fjalës së fundit, ai përballet me mungesat ulëritëse. Spitalit tonë kryesor i mungojnë respiratorët që mbajnë në jetë mushkëritë e lodhura, defibrilatorët që kthejnë rrahjet e zemrës, elektrobisturitë, monitorët e pacientit, e madje edhe mjetet më banale si printerët apo 28 kompjuterë për të mbajtur shënimet mjekësore.

Dhe ndërsa ky mjek kthehet në shtëpi i dërrmuar nga pamundësia, në ekranin e televizorit shfaqet kryeministri Edi Rama. Me një buzëqeshje të lehtë, ai deklaron se milionat e dhëna për një natë spektakli janë “një investim që do ta fusë Shqipërinë në një tjetër hartë globale”.

Pyetja që ulërin me forcë në ndërgjegjen e çdo shqiptari është: Si do të përkthehet ky investim për atë nënë që pret në ankth jashtë sallës së reanimacionit, duke u lutur që spitali të ketë një laringoskop funksional për fëmijën e saj?

A do t’i ngushëllojë familjet që humbin të afërmit e tyre muzika e Kanye West? A do t’i shërojë “promovimi ndërkombëtar” plagët e një shëndetësie publike të lënë qëllimisht në degradim për përftimet e privatit?

Përgjigjja e hidhur është: Jo, kurrë! Paratë që do të mund të blinin me qindra pajisje kritike mjekësore – asete që bëjnë diferencën e prerë mes jetës dhe vdekjes çdo sekondë – digjen pa asnjë mëshirë në altarin e propagandës dhe të fasadave turistike.

Ky vendim zbulon një të vërtetë të tmerrshme: për këtë qeveri, jeta e shqiptarëve vlen më pak se shkëlqimi i rremë i një nate të vetme. Fondi rezervë i shtetit, i cili ligjërisht duhet të preket vetëm për emergjenca kombëtare, fatkeqësi natyrore apo kriza të jashtëzakonshme, trajtohet si një portofol personal për të paguar kapriçot e industrisë së argëtimit.

Kjo nuk është “shëndetësia falas” që na u premtua me aq bujë vite më parë. Kjo është një shëndetësi e falimentuar plotësisht, ku barra e dështimit shtetëror u hidhet sërish mbi shpatulla qytetarëve të thjeshtë përmes thirrjeve poshtëruese për donacione.

Ne po paguajmë dy herë: një herë me taksa që shkojnë për të paguar luksin e pushtetarëve, dhe herën e dytë me jetën tonë ose me donacione për të mbijetuar në spitalet tona. Ky skandal nuk duhet të kalojë si lajmi i radhës.

Ai është një klithmë e fundit zgjimi. Nuk mund të pranojmë më që shëndeti ynë të trajtohet si kosto dytësore e një qeverie që jeton vetëm për spektakël dhe përpiqet ende të mbijetojë falë tij. \tesheshi.com\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit