Iraku përballet ende me zgjedhjen midis militarizmit dhe ndërtimit të shtetit
Jasim Al-Azzawi, Middle East Monitor
Kombet, ashtu si individët, shpesh mësojnë më shumë nga krizat sesa nga sukseset. Japonia e përjetoi këtë dy herë. Fillimisht kur u detyrua të hapte dyert ndaj Perëndimit dhe më pas pas shkatërrimit të Luftës së Dytë Botërore.
Iraku nuk ka nxjerrë ende një mësim të ngjashëm nga historia e tij. Në korrik 1853, katër anije luftarake amerikane të komanduara nga Komodori Matthew Perry mbërritën në brigjet japoneze, duke i bërë të qartë Tokios se izolimi nuk mund të vazhdonte.
Përballë epërsisë ushtarake amerikane, udhëheqja japoneze zgjodhi të shmangte konfliktin dhe të fitonte kohë. Ai moment u bë pikënisja e Restaurimit Meiji.
Japonia nisi një proces të shpejtë modernizimi, duke dërguar studentë në Evropë dhe duke investuar në universitete, industri dhe një marinë moderne. Për disa dekada, vendi u shndërrua në një fuqi të rëndësishme.
Fitorja ndaj Rusisë në betejën e Tsushimës në vitin 1905 i dha Japonisë prestigj të jashtëzakonshëm. Për herë të parë në epokën moderne, një fuqi aziatike kishte mposhtur një fuqi evropiane.
Por pikërisht ky sukses krijoi një iluzion rrezikshëm. Elita ushtarake e interpretoi fitoren si provë se zgjerimi territorial ishte rruga e duhur. Pasuan pushtimi i Mançurisë, lufta në Kinë dhe sulmi ndaj Pearl Harborit në vitin 1941, vendime që çuan vendin drejt katastrofës.
Bombat atomike mbi Hiroshimë dhe Nagasaki në vitin 1945 shënuan fundin e Perandorisë Japoneze. Por nga kjo humbje lindi një strategji e re kombëtare.
Japonia hoqi dorë nga ambiciet ushtarake dhe u përqendrua te zhvillimi ekonomik, industria, arsimi dhe teknologjia. Brenda pak dekadash u shndërrua në një nga ekonomitë më të mëdha të botës, duke ndërtuar prosperitet përmes prodhimit dhe inovacionit, jo përmes luftës.
Një përvojë të ngjashme ka edhe Iraku. Gjatë mandatit britanik dhe viteve të para të shtetit modern, vendi njohu investime në infrastrukturë, naftë, bujqësi dhe arsim. Nën drejtimin e Nuri al-Said, zhvillimi ekonomik shihej si rruga drejt forcimit të shtetit.
Megjithatë, grushti i shtetit i vitit 1958 ndryshoi rrjedhën e historisë. Pasuan dekada grushtesh shteti, lufta me Iranin, pushtimi i Kuvajtit, ndërhyrja amerikane e vitit 2003 dhe përçarjet e thella politike e sektare. Mjerisht, Iraku nuk ka arritur ende të nxjerrë një “mësim të dytë”, siç bëri Japonia pas vitit 1945.
Parimi i famshëm kinez taoguang yanghui – “fshihe forcën tënde dhe prit kohën” – ishte baza e reformave që ndërmori në vednd Ten Hsiao Pini. Ideja nuk ishte pasiviteti, por ndërtimi i fuqisë në heshtje, pa provokuar përplasje të panevojshme.
Japonia e përqafoi këtë logjikë vetëm pas Luftës së Dytë Botërore, ndërsa Iraku që nga viti 1958, ka ndjekur shpesh rrugën e kundërt: ka shpallur forcën para se ta ndërtonte atë dhe ka zgjedhur konfliktin në vend të durimit strategjik.
Vizita e fundit e kryeministrit Ali al-Zaidi në Uashington shihet si një provë e rëndësishme. Ai po kërkon investime amerikane në energji dhe infrastrukturë, ndërsa ka premtuar që armët në Irak të mbeten vetëm në duart e shtetit.
Megjithatë, kjo qasje përballet me kundërshtimin e grupeve të armatosura sektare, të cilat e shohin afrimin me SHBA-në si një formë tjetër ndikimi të huaj. Kjo e vendos qeverinë përballë një zgjedhjeje të vështirë mes rindërtimit të shtetit dhe presioneve të brendshme politike.
Iraku nuk mund ta importojë mësimin japonez. Ashtu si Japonia e pasluftës, edhe irakianët duhet të arrijnë vetë në përfundimin se zhvillimi ekonomik, arsimi, paqja dhe marrëdhëniet e mira me fqinjët janë më të vlefshme sesa militarizmi.
Vetëm atëherë vendi mund të nisë një kapitull të ri pa pasur nevojë të paguajë çmimin e një katastrofe tjetër. /tesheshi.com/
