Pyetje:
Jam një motër muslimane. Dua që të hap një floktore për gratë, por disa më kanë thënë se është haram, sepse ky biznes do të më pengojë që të jem në gjendje të edukojë fëmijët e mi dhe ç’është më kryesorja nuk do mundem të jem e devotshme. Qëllimi im është që t’i rrisë fëmijët me hallall dhe në dashtë Allahu i Madhëruar të pasurohem e të ndihmojë edhe fëmijët jetimë. Unë shtëpinë e kam në fshat dhe punën dua ta hap në qytet. Më duhet të vendos vet për këtë punë por kam shumë nevojë për një mendim të drejtë.
Përgjigjja:
Falënderimi absolut i takon Allahut! Mëshira, lavdërimi edhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Allahut!
Prej kërkesave apo obligimeve sheriatike (ligjor islame), është që gruaja të zbukurohet për bashkëshortin e saj, me qëllim që lidhja dhe dashuria mes bashkëshortëve të vijojë. Zbukurimi në fjalë ndodh të jetë i pamundur për çdo grua, sidomos kur ka të bëjë me çështje të hijeshimit të cilat jo çdo grua mund t’i kryej vetë si duhet. Bazuar në këtë, hapja e floktoreve apo salloneve të zbukurimit për gratë, është një vepër që nuk përbën asnjë problem, nëse i përmbahet kritereve në vijim:
a. të punohet vetëm me atë grua që zbukurohet për burrin e saj dhe nuk e shfaq hijeshinë e saj në publik (për burrat që nuk janë mahrem/huaj për të), duke u bërë kësisoj burim belaje për njerëzit;
b. kjo punë të mos përmbajë ndonjë vepër që konsiderohet sheriatikisht (sipas ligjit islam) haram, si: heqja e vetullave, vendosja e flokëve të huaja qofshin ato flokë të vërteta, fallco apo paruke etj.;
c. të mos punohet në një vend ku ekspozohen publikisht pjesët e trupit që nuk duhen ekspozuar sheriatikisht (sipas ligjit islam);
Ndërsa nëse në këto floktore apo sallone zbukurimi, shkojnë e vijnë femra të mira e të këqija, të mbuluara e të pispillosura, ose nëse ato përmbajnë harame; në këtë rast nuk lejohet hapja e tyre dhe as puna në to, sepse kësisoj ndihmohet përhapja e mëkatit dhe kundërshtimit të urdhrave të Allahut të Madhëruar, teksa Ai na thotë: “Ndihmojeni njëri-tjetrin në punë të mira dhe në të ruajturit nga të këqijat dhe jo në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër.”(El-Maide: 2)
Si përfundim motër e nderuar, nëse ke besim të patundur në vetvete, se nuk ke për të rënë në neglizhim dhe lëshim në këtë çështje, duke e lehtësuar dhe lejuar kryerjen e mëkatit të pispillosjes apo zbukurimit të një femre në kundërshtim me urdhrat e Allahut të Madhëruar, nëse ke besim në këtë, nuk ka problem që me lejen e Allahut të hapësh një biznes të tillë. Por nëse nuk mundesh ta kontrollosh klientelën dhe punën tënde, atëherë të del si detyrë të largohesh nga ky lloj biznesi dhe të kërkosh për një fushë tjetër biznesi të lejuar fetarisht.
Allahu e di më mirë.