Sot, të shtunën, në disa kryeqytete evropiane u zhvilluan demonstrata ku u kërkua lirimi i të burgosurve palestinezë, veçanërisht i mjekut Husam Ebu Safije, si dhe ndalimi i agresionit izraelit ndaj Rripit të Gazës, pavarësisht hyrjes në fuqi të marrëveshjes së armëpushimit.
Në sheshin “Shatërvani i të Pafajshmëve” në Paris, organizata “EuroPalestine” organizoi një tubim ku pjesëmarrësit ngritën flamujt e Palestinës dhe Libanit. Ata brohoritën slogane si: “Palestina është arabe nga deti deri te lumi” dhe kërkuan ndalimin e agresionit izraelit.
Ndërkohë, në Londër u mbajt një protestë para ambasadës izraelite, ku pjesëmarrësit kërkuan lirimin e të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite, veçanërisht të drejtorit të Spitalit Kemal Advan, Husam Ebu Safije, i cili ndodhet në paraburgim që nga fundi i vitit 2024.
Protestuesit mbanin fotografi të Ebu Safijes dhe brohoritnin:
* “Liri për Palestinën!”
* “Hiqni duart nga Palestina!”
* “Liri për doktor Husamin tani!”
* “Liri për të gjithë mjekët tani!”
* “Liri për të gjithë infermierët tani!”
* “Liri për të gjithë të burgosurit tani!”
Njëri nga pjesëmarrësit tha:
“Ndoshta izraelitët do të ndalojnë së ngrituri akuza të rreme kundër tij dhe do t’i japin ushqim nëse ndiejnë se bota po i vëzhgon.”
Një folës tjetër deklaroi se ndihej krenar që ishte palestinez i krishterë dhe po protestonte për Palestinën krah vëllezërve të tij myslimanë dhe hebrenj.
“Sionizmi është një formë racizmi”
Një nga folësit shtoi:
“Çfarë do të ndodhë pas gjithë asaj që ka ndodhur gjatë dekadave të fundit? Rezoluta që Kombet e Bashkuara miratuan në vitet shtatëdhjetë e konsideronte sionizmin si një formë racizmi. Megjithatë, kur themi se kjo lëvizje, e cila ka filluar shumë kohë më parë, po shkatërron paqen, na akuzojnë për terrorizëm.”
Ai theksoi gjithashtu se Izraeli nuk u kushton vëmendje zërave që kritikojnë sjelljen e tij, veçanërisht sa i përket kujdesit shëndetësor për të burgosurit palestinezë.
Marshim i madh në Berlin
Edhe në Berlin u organizua një marshim i madh, ku protestuesit ngritën flamuj palestinezë dhe pankarta me mbishkrimin “Toka është e jona”, duke kërkuar lirinë për të burgosurit palestinezë.
Këto protesta zhvillohen në një kohë kur po shtohen kritikat ndërkombëtare ndaj Izraelit për trajtimin e të burgosurve palestinezë dhe për miratimin e një ligji që lejon dënimin me vdekje për disa vepra penale të përcaktuara nga qeveria e Tel Avivit. Shumë organizata ndërkombëtare e kanë cilësuar këtë ligj si diskriminues dhe të padrejtë.
Rasti i doktor Husam Ebu Safije
Çështja e doktor Husam Ebu Safije ka tërhequr vëmendje të gjerë ndërkombëtare. Ai u arrestua nga forcat izraelite në dhjetor të vitit 2024, ndërsa ishte në krye të detyrës së tij si drejtor spitali, dhe ndaj tij u ngritën akuza të lidhura me terrorizmin.
Pak ditë më parë, zemërim të madh shkaktoi paraqitja e tij në një seancë gjyqësore përmes videos, ku mbi trupin e tij dukeshin qartë shenja të urisë dhe torturës. Avokatët e tij kanë deklaruar më herët se ai është ekspozuar ndaj keqtrajtimit sistematik.
Gjithashtu, ditët e fundit, administrata e burgjeve izraelite e transferoi mjekun palestinez nga burgu i Negevit në izolim të plotë në burgun e Nafhës, në kushte të vështira paraburgimi, duke e privuar nga trajtimi i nevojshëm mjekësor dhe nga të drejtat bazë të garantuara sipas ligjit ndërkombëtar.
Sanksione “jo të mjaftueshme”
Më herët gjatë këtij muaji, një raport i Kombeve të Bashkuara kritikoi dhunën “e tmerrshme” dhe sistematike të kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor të pushtuar. Kjo çoi në vendosjen e sanksioneve nga gjashtë shtete perëndimore ndaj disa vendbanimeve koloniale, drejtuesve të organizatave koloniale dhe ministrit izraelit të Financave, Betsalel Smotriç.
Këto vende janë:
* Franca
* Mbretëria e Bashkuar
* Kanadaja
* Australia
* Zelanda e Re
* Norvegjia
Izraeli i përshkroi këto masa si përpjekje për “përhapjen e antisemitizmit”.
Muajin e kaluar, Parisi ndaloi hyrjen në territorin francez të ministrit të Sigurisë Kombëtare izraelite, Itamar Ben Gvir, pasi ai publikoi një video ku shfaqeshin keqtrajtime ndaj aktivistëve të arrestuar nga Flota e Qëndresës, e cila synonte të dërgonte ndihma humanitare në Gaza.
Megjithatë, ish-deputetja britanike Klaudia Ueb deklaroi për Al Jazeera se këto sanksione:
“Nuk janë të mjaftueshme dhe nuk kanë efekt parandalues, sepse nuk prekin individët përgjegjës dhe as qeverinë izraelite.”
Ajo i konsideroi ato si një përpjekje të vendeve perëndimore për t’u fshehur pas masave simbolike, ndërkohë që vazhdojnë ta mbështesin Izraelin me para dhe armë.
Burimi: Al Xhezira.
