7.4 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Të ardhurat bazike universale: ide e vjetër, debat i ri

Më të lexuarat

Albian Krasniqi

Krizat ekonomike sjellin pasoja shumëdimensionale në jetën e njerëzve.  Gjatë këtyre kohërave, papunësia e shoqëruar me varfëri ekstreme rritet ndjeshëm. Kur rritet pasiguria, debatet për skemat dhe politikat sociale janë në trend. Në muajt e fundit, ekonomistë të ndryshëm kanë ngjallur një debat të ri në lidhje me një koncept të vjetër – të ardhurat bazike universale. Filozofi anglez, Thomas More, në librin e tij ‘Utopia’ ishte ndër të parët që diskutoi për konceptin e të ardhurave bazike universale. Ky koncept përbëhet nga programet qeveritare që u shpërndajnë para të gjithë qytetarëve në moshë të rritur, në mënyrë të vazhdueshme. Në dukje të parë, kjo ide na kujton dilemën e një fëmije që pyeste babin se përse bankat qendrore nuk printojnë shumë para, kështu të gjithë do të ishin të pasur dhe do të jetonin të lumtur. Thënë ndryshe, ideja e të ardhurave bazike universale, nga shumë ekonomistë shihet si utopike. Gjithsesi, në kohët e fundit nuk janë të paktë zërat që argumentojnë në favor të saj.

Në fakt, vendet që kanë aplikuar politika të tilla nuk janë të rralla. Finlanda, ShBA-ja, Kanada dhe Irani kanë zbatuar politikë të ngjashme, por të limituara në kohë dhe vlerë të programit. Gjatë periudhës me pandeminë, ShBA-ja u ndau mjete financiare të gjithë qytetarëve të vet. Por, a është e mundur që këto lloj pagesash të vazhdojnë edhe në kohë normale?

Për ta kuptuar më mirë nevojën dhe rezultatet nga këto lloj programesh, Martin Sandbu, ekonomist në gazetën Financial Times, ka realizuar disa intervista me përfitues të skemës së të ardhurave bazike universale në Alaskë. Ky vend, pothuajse 40 vjet më parë, ka filluar të nxjerrë dhe përpunojë naftë. Në mënyrë që nga shtija të përfitojë i gjithë komuniteti, është krijuar një fond i cili një herë në vit shpërndan dividendë te banorët e vendit –  sillet në mes 1-2 mijë dollarë. Pra, çdo qytetar i zonës merr këto të ardhura një herë në vit. Ata që i dinë çmimet në ShBA e kuptojnë që këto mjete financiare nuk janë ndonjë vlerë e madhe. Pra, nuk është se njerëzit mund të jetojnë nga të ardhurat bazike universale. Megjithatë, për ata që jetojnë në margjina, këto mjete kanë rëndësi pivotale në raste të caktuara. Ata mund t’i blejnë gomat e dimrit për makinë, paguaj këstin e kredisë jashtë sezonit të punës, apo kursejnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Kundërshtarët e të ardhurave bazike universale argumentojnë se ky lloj programi nxit njerëzit ta lënë punën, pasi në një periudhë, sado e shkurtër që të jetë, një familje do të ketë likuiditet. Gjithsesi, studimet tregojnë që nuk është gjetur evidencë e tillë në Alaskë. Përkundrazi, argumentojnë ekonomistët pro këtij programi, kjo politikë ka ndikim pozitiv në tregun e punës. Kjo pasi atyre që u pëlqen puna, por nuk paguhen mirë, do jenë të gatshëm të vazhdojnë pasi do të marrin një shtesë ekstra. Ndërkaq atyre që s’u pëlqen, do të kenë një lloj sigurie deri në gjetjen e një pune të re. Në fund të fundit, puna është një lloj socializimi për njerëzit, andaj të ardhurat bazike nuk do të duhej ta stimulonin papunësinë.

Finlanda ka testuar programe më të mëdha sesa shembulli i Alaskës. Gjatë implementimit të programit janë hulumtuar efektet në sfera të ndryshme. Gjetjet e studimeve tregojnë që ndikimet në rritjen e papunësisë ishin shumë të vogla. Dividendi duket se ua jep njerëzve lirinë e veprimit. Po ashtu, lufton vendet eksploatuese të punës, pasi njerëzit nuk do të detyrohen të punojnë çfarëdo lloj pune. Për më tepër, gjetjet nga eksperimenti në Finlandë tregojnë se kur njerëzit kanë një lloj të ardhure bazike, janë më të prirë për të rrezikuar në hapjen e biznesit individual. Por, kritikët argumentojnë se shembujt e Alaskës dhe Finlandës janë të limituar në vlerë dhe kohë.

Si kundërpërgjigje, Martin Sandbu sjell shembullin e fisit indian ‘Cherokee’, i cili zotëron tokë në ShBA, në të cilën është ndërtuar kazino. Të ardhurat nga renta i shpërndajnë te të gjithë banorët e fisit, e cila në kohë normale arrin vlerën prej 6 mijë dollarësh. Këto mjete janë përdorur vazhdimisht për edukimin e fëmijëve dhe përmirësimin e shëndetit mendor. Rezultatet duken mbresëlënëse, pasi numri i personave të shkolluar të fisit është rritur konsiderueshëm. Kritikët shpesh argumentojnë se ardhurat bazike universale mund të rrisin përdorimin e drogës dhe alkoolit. Në fakt, në rastin e fisit indian në ShBA është provuar e kundërta, pasi përdorimi i këtyre substancave është zvogëluar në mënyrë drastike.

Por, nëse të ardhurat bazike universale kanë për qëllim rritjen e sigurisë tek individët me të hyra mesatare dhe zvogëlimin apo zhdukjen e varfërisë, pse do të duhej që nga ky program të përfitonin të pasurit? Pra, problemi i universalitetit është argumenti kryesor i ekonomistëve që studiojnë pabarazinë. Ekonomisti i famshëm Dani Rodrik thotë se “Shkenca e vërtetë e ekonomisë është kontekstuale, jo universale.” E thënë ndryshe, një politikë nuk mund të prodhojë efekte uniforme për të gjithë njerëzit. Sidoqoftë, ekonomistët pro të ardhurave bazike argumentojnë se problem kryesor me këtë qasje besohet të jetë pika e prerjes, pra kufiri në mes të përfituesve dhe jo përfituesve. Personat që janë afër kufirit do të ishin më të dekurajuar nëse do të ishin në mesin e atyre që nuk përfitojnë, ndonëse janë shumë afër me ata nga ana tjetër e kufirit.

Pra, kjo do të ishte një lloj penalizmi i njerëzve që fitojnë relativisht më shumë, duke i larguar nga lista e përfituesve. Kjo do të mund të prodhonte stimuj negativë që njerëzit të punojnë më tepër. Me fjalë të tjera, kur njerëzit janë më të suksesshëm duke fituar më shumë, nuk do të duhej t’i demotivonim. Gjithsesi, ky argument mund të mos jetë i qëndrueshëm në shumë vende. Për ta kuptuar këtë do të duhet ta shohim shpërndarjen e pasurisë te popullsia. Nëse shpërndarja do të ishte normale – në formë të ziles – atëherë argumenti i prikës së prerjes do vihej në pah. Por vendet me shpërndarje të tillë të të ardhurave janë më të rralla se diamanti. Në përgjithësi, top 10% e njerëzve me të pasur do të mund të përjashtoheshin nga të ardhurat bazike universale, pa u bërë shumë zhurmë.

Një dilemë tjetër dhe më e rëndësishme është mënyra e financimit. Akuzat se ideja e të ardhurave bazike universale është utopike nuk janë të pabaza. Kjo për faktin se kosto buxhetore e programeve të tilla shkon përtej hapësirave fiskale që kanë vendet. Përkeqësimi i deficitit buxhetor është shqetësues për shumë vende, të cilat i druhen thellimit apo përshkallëzimit të krizës. Kështu, duket se zbatimi i nismave të tilla do të jetë praktikisht i pamundur pa reforma rrënjësore. Këto reforma nuk na garantojnë domosdo suksesin e politikës. Pra, situata mund të përkeqësohet.

Në analizën e tij, Martin Sandbu jep një shembull konkret se si mund Britania e Madhe të aplikojë të ardhurat bazike universale pa e rënduar shumë buxhetin nacional. Sandbu propozon që shuma e të ardhurave bazike të jetë rreth 7 mijë funte në vit, për çdo person të moshës së rritur. Kjo do të gjeneronte një kosto të barabartë me 18% të GDP-së nacionale. Në mënyrë që të lehtësohej zbatimi, Sandbu sugjeron që të ardhurat bazike universale të zëvendësojnë pensionin bazik të shtetit, i cili ka të njëjtën shumë. Vlera e kursyer do të ishte rreth 5 % e GDP-së. Propozimi i dytë lidhet me të ardhurat e patatueshme. Në përgjithësi, sistemet tatimore nëpër botë nuk i tatimojnë pagat deri në një shumë të caktuar minimale. Sandbu argumenton se tatimimi i çdo funte do të siguronte edhe 8% të tjera të GDP-së. Në këtë mënyrë, kosto shtesë e zbatimit të programit të të ardhurave bazike do të ishte praktikisht e mundshme. Kjo duke e pasur parasysh që këto janë vetëm dy propozime ad-hoc dhe në ndërkohë mund të dalin edhe sugjerime të tjera që potencialisht do të siguronin zbatimin e politikës në fjalë me zero kosto shtesë.

Rimëkëmbja e shpejtë e ekonomisë globale rrezikon ta ulë intensitetin e debatit, pasi aktualisht në shumë vende të botës vullneti politik nuk duket i mjaftueshëm për të shtyrë politika të tilla. Dhe implementimi i programeve të të ardhurave bazike universale nuk është duke u ndarë nga ideologjitë politike, pasi kemi qeveri të djathta që kanë provuar politika të tilla dhe qeveri të majta që kanë qenë të zëshme kundër zbatimit të tyre.

*Qëndrimet e shprehura në artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë institucionin në të cilin ai punon.

/sbunker/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit