Një nga plagët më të mëdha të shoqërisë sonë është mungesa e kulturës së leximit. Është dhimbje të pranosh se, ndërsa popujt e zhvilluar ndërtojnë të ardhmen mbi dije, hulumtim dhe libra, ne vazhdojmë të largohemi gjithnjë e më shumë prej tyre. Sipas vlerësimeve dhe treguesve të ndryshëm për kulturën e leximit, Kosova renditet ndër vendet me nivelin më të ulët të leximit në Evropë. Kjo është një pasqyrë e një realiteti që duhet të na shqetësojë të gjithëve.
Është paradoksale që shpenzojmë me lehtësi orë të tëra në telefon, duke kaluar pafundësisht nga një video te tjetra e nga një publikim te tjetri, ndërsa na duket e rëndë të lexojmë disa faqe të një libri. Kemi kohë për çdo gjë, përveç asaj që na pasuron mendjen dhe na formon personalitetin.
Historia dëshmon se asnjë popull nuk është ngritur me padije. Çdo qytetërim i madh është ndërtuar mbi librin, dijen dhe edukimin. Një popull që nuk lexon mbetet i varur nga mendimet e të tjerëve, ndërsa një popull që lexon krijon, udhëheq dhe ndërton të ardhmen e tij.
Prandaj, nuk kemi nevojë vetëm për më shumë rrugë, ndërtesa e teknologji; kemi nevojë për më shumë biblioteka, libra dhe lexues. Libri është domosdoshmëri. Ai është mjeti më i fuqishëm për ta ngritur individin, familjen dhe kombin.
Le ta pyesim secili veten: Sa libra kemi lexuar këtë vit? Sa kemi investuar në dijen tonë, në krahasim me kohën që kemi humbur në ekranet e telefonit? Përgjigjja e sinqertë ndaj kësaj pyetjeje tregon edhe arsyen pse kemi mbetur prapa në shumë fusha.
Nëse dëshirojmë një Kosovë më të ditur, më të fortë dhe më të zhvilluar, atëherë revolucioni duhet të fillojë me një libër në dorë. Sepse popujt ndryshojnë kur ndërrojnë mënyrën e të menduarit, e kjo fillon me leximin.
Fitim Gërguri
05.07.2026
