Shkrur nga Besart Kuleta
“Hoxhë, a do të shkojë filan personaliteti në Xhenet?”
Kjo dhe pyetje të tilla zakonisht nuk bëhen për të marrë përgjigje, asnjëherë, por bëhen për të testuar nëse na konvenon (na pëlqen) përgjigja.
Ja një histori:
Vitin e kaluar më u shfaq një problem i çuditshëm shëndetësor; sa herë që ndieja ndonjë erë të pakëndshme apo erë të rëndë, më lëshohej kolli. Dhe jo kollë dy minuta, por gjysmë ore e herë-herë deri në një orë!
Pasi më u bë fiksim nga bashkëshortja për të shkuar e për t’u vizituar, dikur shkova, u kontrollova dhe i bëra analizat.
Më doli problemi se kisha helikobakter. Më dha doktori disa antibiotikë dhe më tha t’i merrja 5 ditë rresht.
I thashë: “Doktor, meqë i kam bërë analizat, si jam në përgjithësi (overall)?”
Më tha: “Në bazë të analizave, nëse nuk e merr seriozisht një dietë, brenda 5-6 viteve do të përfundosh me diabet. Unë po t’i tregoj gjërat si janë, ti bëj çfarë të duash, trupi yt është!”
Tani i kisha dy zgjidhje: të mërzitesha pse më tha doktori ashtu ose ta merrja seriozisht dhe të punoja me veten.
Të mërzitesha e t’i thosha: “Si nuk të vjen keq që më flet kështu?” – absurde, apo?!
Epo, e njëjta gjë ndodh kur pyetet një hoxhë dhe pastaj mërziteni me përgjigjen:
“Hoxhë, a bën të marr kredi?” – Jo, nuk bën, e ka ndaluar Allahu kamatën!
“Hoxhë, a bën të kem lidhje jashtëmartesore?” – Jo, nuk bën!
“Hoxhë, a do të shkojë filan personaliteti në Xhenet?” – Nëse ka vdekur duke adhuruar dikë tjetër përveç Krijuesit, përfundon në mes të Xhehenemit, qoftë edhe djali i hoxhës!
Tani, dikujt kjo mund të mos i pëlqejë, por hoxha nuk është aty për ta rregulluar Islamin ashtu siç u vjen më lehtë jomuslimanëve.
Ashtu siç nuk do të duhej që doktori t’ia zbukuronte sëmundjen dikujt sepse e merr në qafë (nejse, nëse flasim për woke culture, ata vetë janë të sëmurë).
Ai hoxhë është; përgjigjen ta jep nga doktrina islame, nuk mund ta japë nga doktrina e krishterë.
Si unë: doktori nga mjekësia, avokati nga ligji, inxhinieri nga industria…
Ti mund të hidhërohesh, mund të qash, mund të bësh filma e propagandë, por në fund problemi nuk është te përgjigja – është te ti.
Te ti që pret përgjigje si “sallatë ruse” (nga pak nga të gjitha, pa prekur askënd).
”Mos t’i ndiejë drejtor, si të kesh qejf ti, ashtu ua bëjmë!” 😉
A jeni ende të kësaj ane?!
