Hadith Profetik | Rëndësia e shkrimit të testamentit në Islam

Më të lexuarat

Abdullah ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dhe me babanë e tij) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Nuk i takon një myslimani që ka diçka për të lënë me testament, të kalojnë mbi të dy net pa e pasur testamentin e tij të shkruar pranë vetes.”

(Shënon Imam Buhariu, nr. 2738.)

📖 Shpjegimi i hadithit

Allahu i Madhëruar e ka ligjëruar testamentin (vasijetin) si një mëshirë dhe mirësi për robërit e Tij. Ai i ka dhënë myslimanit të drejtën që një pjesë e pasurisë së tij ta lërë me testament për vepra bamirësie dhe mirësi që u sjellin dobi të tjerëve, ndërsa atij i sigurojnë shpërblim dhe sevape pas vdekjes.

Në këtë hadith, Pejgamberi ﷺ i nxit besimtarët që të mos e vonojnë shkrimin e testamentit dhe të përgatiten para se t’i befasojë vdekja. Nuk është e hijshme për një mysliman – qoftë burrë apo grua – që posedon pasuri, ka fëmijë të mitur, të drejta që u takojnë atij ose detyrime ndaj të tjerëve, si borxhe, kefare apo zekat të papaguar, të lërë të kalojnë dy net ose më shumë pa e shkruar testamentin e tij.

Nëse testamenti është përpiluar siç duhet, borxhet shlyhen nga pasuria para se ajo të ndahet mes trashëgimtarëve, ndërsa testamenti që nuk cenon të drejtat e trashëgimtarëve zbatohet nga një e treta e pasurisë.

Përmendja e fjalës “mysliman” në hadith ka për qëllim të nxisë besimtarin që të përshpejtojë zbatimin e kësaj porosie profetike dhe të mos tregojë neglizhencë në një çështje kaq të rëndësishme.

Është transmetuar gjithashtu nga Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të) se sahabët e fillonin testamentin e tyre duke dëshmuar se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, se Muhamedi ﷺ është rob dhe i Dërguari i Tij, se Dita e Kiametit është e vërtetë dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre. Pastaj i porositnin familjarët e tyre që ta kenë frikë Allahun, të ruajnë marrëdhëniet mes tyre, t’i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij, si dhe i këshillonin me porosinë e Ibrahimit dhe Jakubit (alejhimes-selam):

﴿يَا بَنِيَّ إِنَّ اللَّهَ اصْطَفَىٰ لَكُمُ الدِّينَ فَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ﴾

“O bijtë e mi! Allahu e ka zgjedhur për ju këtë fe, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë myslimanë.” (El-Bekare, 132).

Më pas ata shënonin edhe çështjet praktike që dëshironin të zbatoheshin pas vdekjes së tyre.

🌿 Mësimet që nxirren nga hadithi

* Nxitja për ta shkruar testamentin dhe për të mos e vonuar atë.
* Çështjet e rëndësishme duhen dokumentuar me shkrim, sepse shkrimi është më i sigurt se kujtesa, e cila mund të harrojë ose të gabojë.
* Besimtari duhet të jetë gjithmonë i përgatitur për vdekjen, sepse askush nuk e di se kur do ta takojë atë.
* Testamenti është një mënyrë për të ruajtur të drejtat e njerëzve dhe për të shmangur mosmarrëveshjet pas vdekjes.

Burimi: Sahih Buhari, nr. 2738. Shpjegimi është përshtatur nga Enciklopedia e Hadithit (Ed-Durer es-Senijje).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit