4.8 C
Pristina
Wednesday, December 6, 2023

Nxënësit kosovarë shpërblehen në Paris: Jemi më mirë sesa na nxjerr PISA

Më të lexuarat

I ulur në një dhomë në rrugën Abdyl Frashëri në Prishtinë, sytë e Kron Selmanajt ndriçohen nga reflektimi i medaljes së artë. Duke e shikuar e rrotulluar nëpër duar atë medalje, 11-vjeçari kujton se si e fitoi atë rreth një javë më parë.

Më 21 korrik, mbi 2.300 kilometra larg shtëpisë së tij në Prishtinë, Kroni ishte ulur në një sallë testimi në Universitetin e Parisit në Francë, të njohur si Sorbonne.

Në qoshen e djathtë të rreshtit të fundit të asaj salle, ai thotë se u ndie “paksa i stresuar”, kur u përball me fletushkën plot me detyra të matematikës, të cilat duhej t’i zgjidhte.

“Në fillim jam stresuar shumë, nuk e kam pritur fare që do të fitoj”, thotë Kroni, i cili zuri vendin e tretë në garën ndërkombëtare për matematikë, Olimpiadën STEM (Shkencë, Teknologji, Inxhinieri dhe Matematikë), që u zhvillua në Paris.

Kron Selmanaj, nxënës nga Kosova që zuri vendin e tretë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës për matematikë.

Kroni dhe 13 garues të tjerë e përfaqësuan për herë të parë Kosovën në edicionin e tretë të kësaj olimpiade. Ata u zgjodhën pas dy fazave testuese që mbajti qendra Infinit, ku morën pjesë gjithsej 450 nxënës nga e gjithë Kosova.

Kosova zuri edhe dy vende të dyta – me Arijon Sylën në garën e matematikës dhe Kushtrim Kajoshin në garën e shkencës. Medalje të arta, të argjendta dhe të bronzta morën edhe garues të tjerë.

Sapo mori vesh se ishte i suksesshëm në testim, Kroni mori në telefon nënën e tij, e cila e kishte shtyrë të garonte në Olimpiadën STEM.

“Kur janë prindërit krenarë me mua, ndihem edhe unë krenar me veten. Prandaj, jam shumë i gëzuar, ende nuk mund ta besoj”, thotë ai.

Nxënësit nga Kosova në Paris të Francës.
Nxënësit nga Kosova në Paris të Francës.

Njëmbëdhjetëvjeçari thotë se ndihet krenar edhe që përfaqësoi Kosovën në këtë garë, ku morën pjesë më shumë se 11.000 nxënës nga mbi 114 vende, sipas të dhënave në uebfaqen e Olimpiadës.

“Shumë pak e kanë njohur Kosovën. Mendoj se tash, në fund të garës, e njohin më shumë, sepse Kosova ka fituar shumë në këtë garë. Mendoj që kanë për ta mbajtur Kosovën në mend edhe njerëzit e huaj që kanë qenë në atë garë”, thotë Kroni.

Një ditë pas testimeve, Kroni zbriti në një skenë në muzeun më të madh të shkencës në Evropë – i njohur si Qyteti i Shkencës dhe Industrisë (CSI) – për të marrë medaljen e tij. Bashkë me të, të rrethuar nga flamuri i Kosovës, ishin disa nxënës, përfshirë Emir Lezin.

Nxënësit nga Kosova, në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.
Nxënësit nga Kosova, në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Emiri mbante rreth qafës së tij një medalje të artë, që tregonte suksesin e tij në garën e shkencës. Në mesin e 40 pyetjeve të cilave Emiri iu përgjigj, ishte edhe kjo:

Cilat nga materiet e mëposhtme janë kristale të ngurta?

  • Kripa
  • Sheqeri
  • Kuarci
  • Diamanti
  • Të gjitha

“Opsioni i saktë ishte ai që e kam bërë unë, të gjitha janë kristale të ngurta. E kam mësuar edhe në shkollë, por edhe logjikisht, kripa dhe sheqeri duken si kristale dhe janë të ngurta, kështu që janë kristale të ngurta”, thotë Emiri për Radion Evropa e Lirë.

Emir Lezi, nxënësi nga Kosova që fitoi medalje në garën për shkencë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.
Emir Lezi, nxënësi nga Kosova që fitoi medalje në garën për shkencë në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.

Ai thotë se ndihet krenar me veten për suksesin e treguar, por thotë se do të donte të mos ishte ngutur aq shumë, pasi që beson se mund të kishte arritur rezultate edhe më të mira.

“E kam kryer testin për 20 minuta, por të tjerët e kanë bërë për 1 orë. Unë do t’u thosha [të tjerëve] të mos nguten, sepse disa nxënës që janë në të njëjtën moshë si unë, kanë dalë më mirë, sepse kanë pritur dhe i kanë këqyrur pyetjet mirë”, thotë ai.

Nxënësit që morën pjesë në këtë olimpiadë, patën mundësinë të vizitojnë edhe Kullën Eiffel, muzeun e shkencave CSI, dhe parkun Disneyland.

Në mendjen e Emirit mbeti një aktivitet në të cilin ai mori pjesë gjatë vizitës në muzeun e shkencave. Me krahët e ngritur lart, Emiri kishte mësuar se si aeroplanët fluturojnë dhe e kishte praktikuar mësimin e marrë në një test.

“I vendosa duart në formë të T-së dhe pastaj ashtu fluturon, duke lëvizur duart dhe trupin. Kanë qenë tri rezultate të mundshme. Rezultati më i mirë ka qenë ai që e mora unë: që aterova aeroplanin në kohën e duhur”, kujton Emiri.

Një nxënës nga Kosova duke bërë ushtrimin se si të fluturohet një avion në muzeun e shkencës në Paris të Francës.
Një nxënës nga Kosova duke bërë ushtrimin se si të fluturohet një avion në muzeun e shkencës në Paris të Francës.

Olimpiada STEM, ku mori pjesë Emiri dhe nxënës të tjera nga Kosova, ka për qëllim, siç thuhet në ueb-faqen e saj, t’i mësojë nxënësit se si “metodat shkencore mund të aplikohen në jetën e përditshme”.

Merita Aliçkaj, koordinatore e qendrës Infinit që është licencuar për përfaqësim të Kosovës në këtë olimpiadë, beson se pikërisht kjo gjë duhet të bëhet edhe në sistemin arsimor në Kosovë.

“Ajo që unë mendoj se duhet të aplikohet në sistemin tonë, është kjo: të jenë gjërat praktike, sepse i mësojmë [nxënësit] shumë teori, i lodhim shumë fëmijët me informacione që nuk iu duhen. Por, atje [në Olimpiadë] ishte gjithçka konkrete dhe e kapshme: [nxënësi] mëson diçka dhe e praktikon pastaj menjëherë”, thotë ajo.

“Është përmendur shumë testi PISA. Unë mendoj që pikërisht kjo është arsyeja pse duhet të ndërrohet edhe mënyra e vlerësimit, por edhe ofrimit të informacioneve për fëmijët tanë. Sepse, ne e dëshmuam që përveçse janë në një hap me fëmijët e botës, jemi ndër të parët që mund të arrijmë”, shton Aliçkaj.

Merita Aliçkaj, koordinatore në qendrën Infinit.
Merita Aliçkaj, koordinatore në qendrën Infinit.

Ajo thotë se Kosova pati rezultate më të mira sesa shumë shtete të tjera, duke përmendur SHBA-në, Francën, Gjermaninë dhe Bosnje e Hercegovinën.

Në dy testet e programit ndërkombëtar për vlerësimin e nxënësve, PISA, Kosova ka dalë gati në fund të ranglistës botërore. Në vitin 2015, Kosova ishte vendi i tretë me rezultatet më të këqija në këtë test në botë, ndërsa në vitin 2018 u radhit vetëm një pozitë më mirë.

Ky test mbahet çdo tre vjet, mirëpo së fundi u mbajt në vitin 2022 dhe jo më 2021, shkaku i pandemisë COVID-19. Rezultatet e testit të fundit pritet të publikohen në dhjetor të këtij viti.

Kron Selmanaj dhe Emir Lezi pozojnë me medaljet e fituara në Olimpiadën STEM në Paris të Francës.
Kron Selmanaj dhe Emir Lezi pozojnë me medaljet e fituara në Olimpiadën STEM në Paris të Francës./rel/
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit