21.2 C
Pristina
Tuesday, July 16, 2024

Cilat janë dobitë shpirtërore dhe shëndetsore të agjërimit?

Më të lexuarat

Pyetja:

Cilat janë dobitë shpirtërore dhe shëndetsore të agjërimit?

***

Përgjigjja:

Allahu i Madhëruar në Kuran ka treguar qartë kur ka thënë: “… po qe se e dini, agjërimi është më i mirë për ju.” (Bekare: 184), por meqë njeriu ka një strukturë të përbërë prej shpirtit dhe trupit dhe që të dyja këto përpiqen ta bëjnë njeriun satelit të tyre. Njëra lëndë janë dëshirat epshore dhe shtazore, Kurani na e bën të njohur me këto fjali: “Për Allahun, Ne e krijuam njeriun prej një ajke (lëngu), e një balte.” (Muminun: 12)
A nuk është i fuqishëm Ai, që krijoi qiejt e tokën, të krijojë njerëz sikundër që i krijoi ata? Po, Ai është krijuesi, i dijshmi?” (Ja Sin: 81)
Kurse aspekti tjetër i njeriut është ai shpirtëror që ia kujton njeriut qëllimin e krijimit, që e shtyn njeriun të bëjë gjëra të mëshirshme, që i bëhet njeriut shkak për të soditur botërat shpirtërore, që edhe kur të mbetet i uritur e i etur, i jep mundësi njeriut të shijojë kënaqësi të papërshkrueshme, që ia sugjeron njeriut të mos i shohë të këqijat si të mira, që të mos i pëlqejnë të këqijat dhe që të largohet prej tyre!
Po qe se zotërimi i shpirtit mbi njeriun dobësohet ose epshit kthehet në gjendje sunduesi, atëherë njeriu zhytet në kënaqësi dhe epshe; kufirin e arsyes, kufijtë e përcaktuara nga feja i vlerëson me zero; fuqinë e mendjes e shpenzon pothuaj për të shtënë në dorë lloje të ndryshme të ngrënash e të pirash. I gjithë shqetësimi i tij përqëndrohet në gjetjen e gjërave duke i fshikulluar dëshirat epshore, në mësimin e rrugëve dhimbëse, shtytëse, orekshapëse. Kështu, megjithëse është ngjitur në kulmin e shkencës, kulturës dhe qytetërimit, s’ka ndryshim me gomarin që rrotullon gurin e mullirit, me kaun që tërheq parmendën dhe s’bën gjë tjetër veçse shkon e vjen mes dhomës së gjumit dhe banjos. S’merr vesh, veç kësaj, as për ndonjë parim, as për ndonjë jetë tjetër. Tek ai vdes e shkon çdo gjë tjetër veç dëshirës për të ngrënë e për të pirë, veç ndjenjës së kënaqësisë e dëfrimit, veç shqetësimit për të fituar për ushqim. Meqë nuk ka mundësi për të bërë një përshkrim më të drejtë e më të hollë se të Kuranit, po ia lëmë fjalën përsëri atij: “Sa për mohuesit, ata në këtë botë vetëm dëfrehen e kënaqen dhe hanë si bagëtitë. Vendi i tyre është zjarri!” (Muhamed: 12)

1. Agjërimi i kujton njeriut takimin me Zotin

Çdo orë, çdo minutë dhe çdo sekondë e atij që agjëron është e çmuar sepse ia kujton atij të mirat dhe dhuntitë e Allahut dhe të mirën më të madhe për nga përfundimi, bashkimin me Allahun. Këtë funksion të tij, agjërimi e kryen në dy mënyra. Këtë mund ta përmbledhim kështu: me perëndimin e kënaqësive (tokësore), dëshirë për kënaqësi që s’do të kenë të perënduar dhe kënaqësi tjetër që vjen me perëndimin e dhimbjeve. Edhe nëse njeriu që rri nga mëngjesi në mbrëmje i uritur e i etur, vuan në dukje, frytet shpirtërore që ka për t’i sjellë adhurimi i agjërimit e bëjnë t’i harrojë dhimbjet dhe vuajtjet në dukje. Gjatë gjithë ditës, agjëruesi mendon bashkimin me Zotin e vet për hir të të cilit ka braktisur epshet, ngrënien e pirjen. Falë të këtij mendimi, të gjitha fakultetet jetësore zhvillohen në kuadrin e orientimit në rrugën e drejtë. Edhe Profeti ﷺ ka thënë: “Për agjëruesin ka dy gëzime: kur ai ha iftar, gëzohet dhe kur të takojë Zotin e tij, gëzohet me agjërimin e tij.” [1]

2. Agjërimi e lartëson njeriun në nivel engjëllor

Te njeriu ka dy aspekte: aspekti engjëllor dhe aspekti shtazor. Kur njeriu ecën në kahje të kundërt me ndjenjat shtazore, e ndjen në mënyrë të ndërgjegjshme se aspekti engjëllor i zhvillohet, kurse aspekti shtazor i dobësohet. Njeriu është krijuar nën engjëjt dhe mbi gjallesat e tjera. Ndërkaq, Allahu e ka pajisur njeriun me mundësinë dhe aftësinë për t’iu përshtatur cilësdo pike të një vije që shtrihet nga pozita më e lartë gjer poshtë e më poshtë. Për rrjedhojë, njeriu herë-herë e kapërcen botën e engjëjve duke i lënë pas ata si gradë, kurse herë-herë struket në një vend nën djajtë. “Ne njeriun e krijuam në formën më të bukur. Pastaj e hodhëm atë poshtë e më poshtë. Përveç atyre që besojnë dhe bëjnë punë të mira, për ta ka një shpërblim të pasosur!” (Tin: 456)
Njëra nga veçoritë që e dallon njeriun nga engjëjt është se njeriu ka ego. Te engjëjt s’ka gjëra të tilla, si ngrënie-pirje, martesë, kundërshtim të Allahut, etj. Si domosdoshmëri e krijimit të tyre, engjëjt janë qenie të pafajshme, janë qenie që merren vazhdimisht me madhërimin dhe adhurimin e Allahut. “Ata nuk flasin para Tij, ata lëvizin e veprojnë me urdhër të Tij. Allahu e di se ç’kanë ata para e ç’kanë lënë pas. Ata nuk ndërhyjnë për faljen e dikujt tjetër veç atyre për të cilët dëshiron Allahu dhe dridhen nga frika prej Tij!” (Enbija: 2728)
Kurse njeriu mund ta vazhdojë jetën vetëm me të ngrënë e me të pirë. Mundësia që njeriu të kundërshtojë (Zotin), që të bëjë gabim, ekziston gjithmonë. Por sa për njeriun që agjëron, ai, duke mos ngrënë e mos pirë nga mëngjesi në mbrëmje, duke e zotëruar epshin, duke u shmangur nga përfolja dhe padrejtësia ndaj të tjerëve, fiton pothuajse një cilësi engjëllore. Madje, me këto sjellje e qëndrime, ai i lë pas engjëjt. Zoti krenohet para engjëjve me rob të tillë të Tij, ua tregon engjëjve si shembull!

3. Agjërimi ia mëson njeriut vlerën e të mirave

Zoti e ka pajisur globin tokësor me një mijë e një lloje të mirash dhe e ka vënë atë nën urdhrin e njeriut që është zëvendësi i Tij mbi tokë. Çdo ditë para nesh pothuajse zbret nga qielli një sofër e tjetra ngrihet; dhe sapo ngrihet njëra, zbritet tjetra. Pemët japin fruta pa pushim, pranverë e verë, vjeshtë e dimër. Qielli na dërgon margaritarë me prehrin plot, nga toka shpërthejnë të mira. “Në qiell është ushqimi juaj dhe ka gjëra që ju janë premtuar!” (Dharrijat: 22)
Toka dhe qielli i janë ofruar urdhrit të njeriut. Duke notuar brenda të mirave kaq të shumta sa të mos numërohen dot, shpesh njeriu nuk u bie dot në të këtyre të mirave, ata plangprishësit që notojnë në det po s’e dinë se ç’është deti! Janë brenda në det, por s’dinë gjë për ujin që e lehtëson notimin. Njeriu që noton mes të mirave, me anë të agjërimit e kupton vlerën dhe rëndësinë e tyre dhe përpiqet të falenderojë për to.

Pos përfitimeve shpirtërore, muslimanët me anë të agjërimit përfitojnë edhe dobi shëndetsore e ekonomike, ato janë:

Agjërimi gjatë 1 muaji ndikon në tretjen e dhjamërave të depozituara gjatë 11 muajve dhe ndihmon në rënien nga pesha.

Dr. Alexis Carrel (fitues i çmimit Nobel ne mjekësi – 1940), në librin e tij “L’homme, cet inconu” (Njeriu, ky i panjohur) thotë: “Gjatë agjërimit treten dhjamërat dhe lëndet e tepërta te depozituara në trup, e më pas këto zëvendësohen me të reja, kështu ndodh një ripërtëritje në trup.”

Agjërimi ndihmon në lehtësimin e sëmundjeve si artriti, koliti, astma, alergjitë e ndryshme dhe largon lodhjen, duke ulur kalimin e pjesëzave të vogla të patretura mirë nga zorrët në enët e gjakut.

Gjithashtu agjërimi ndikon duke normalizuar sistemin autonom nervor. Ul shqetësimet në sistemin tretës si dhe qetëson gjendjen e ankthit.

Agjërimi përbën një periudhë pushimi për organet e sistemit tretës:

-Mëlçia pushon 4-6 orë,

-Stomaku pushon, nuk grumbullohet acid tretës,

-Zorrët, kanë nje periudhë pushimi përsa i përket sekrecionit të lëngjeve si dhe ulet ritmi i punës i muskujve. Shtresa Peyer, e cila ndodhet në zorrë, është pjesë e sistemit mbrojtës, gjatë agjërimit bëhet revizionimi mbi to dhe njeriu bëhet me i qëndrueshëm ndaj sëmundjeve që kalojnë në sistemin tretës.

-Mos-djegia e plotë e mbeturinave të lëndëve ushqimore në enët e gjakut shkakton dëmtimin dhe konsumimin e tyre, kurse gjatë agjërimit, sidomos para iftarit, të gjitha lëndët ushqimore në gjak eliminohen.

-Veshkat gjatë agjërimit pushojnë dhe ripërtërihen.

-Palca, gjate agjërimit e shton sasinë e prodhuar të gjakut, etj.

Adhurimi i agjërimit në Islam ia mëson njeriut parimin e ekonomisë që është një virtyt i bukur. Agjërimi është si një mësues që ua mëson njerëzve ç’është ekonomia dhe sesi duhet të bëjnë ekonomi. Personi që është mësuar të bëjë pa asnjë kufizim çdo gjë që i vjen ndërmend, kur të jetë i agjëruar, s’do të veprojë dot kështu. Për shembull, personi që ha sa herë që i bie ndërmend, që u nënshtrohet dëshirave materiale të trupit, kur të jetë i agjëruar, detyrimisht do të presë mbrëmjen, për rrjedhojë, me këtë pritje ai do të mësojë të bëjë ekonomi dhe do të heqë dorë nga jetesa pa përgjegjësi.

Agjërimi e mëson njeriun ta respektojë gjthmonë amanetin, fshehur, apo hapur, sepse s’ka vëzhgues tjetër veç Allahut që të sigurojë shmangien prej ngrënies e pirjes së gjërave të bëra hallall prej Tij. Personi që agjëron respekton kufijtë e Allahut nga mëngjesi gjer në mbrëmje. Megjithëse i ka gati të gjitha mundësitë, megjithëse s’e sheh askush, personi e vazhdon agjërimin. Ai është gjer në mbrëmje i mbushur plot me ndjenjat e ruajtjes së amanetit. Ky qëndrim ndaj agjërimit reflektohet në tërë jetën e muslimanit. Prandaj, njeriu që mban agjërim, gjatë gjithë jetës sillet tejet i vëmendshëm ndaj gjërave që i lihen amanet.

~Përkthim

——————————-

[1] Buhariu (1904) dhe Muslimi (2706)

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit