Një ngjarje e rrallë dhe një çlirim i mrekullueshëm mes dy kufijve
Ndër tregimet më të habitshme nga jeta e Shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë), që tregojnë se si Allahu ua largon vështirësitë dijetarëve, është ajo që më rrëfeu Shejh Muhamed Ibrahim Shekra (Allahu e mëshiroftë).
Ai tregonte se ndaj Shejh Albanit ishte lëshuar papritur një vendim dëbimi nga Jordania. Forcat e sigurisë e shoqëruan deri te pika kufitare mes Jordanisë dhe Sirisë, e nxorën jashtë territorit jordanez dhe i thanë: Shko drejt Sirisë.
Shejh Albani kaloi vetëm disa metra përtej kufirit dhe u ul në zonën neutrale mes dy vendeve, pa vazhduar më tej. Ata i thanë: Vazhdo dhe hyr në anën siriane.
Ai u përgjigj:
— Në Siri jam i dënuar me vdekje. Nuk do të hyj. Do të qëndroj këtu derisa Allahu të më sjellë një zgjidhje.
Dhe vërtet, shejhu qëndroi në atë vend mes dy kufijve, duke përballuar vështirësitë e vendit dhe dhimbjen e mërgimit.
Lutja në mihrab dhe ndërhyrja mrekullibërëse
Shejh Muhamed Ibrahim Shekra i përshkruante ato çaste të vështira duke thënë:
“Unë ndodhesha në xhami, duke falur namaz nate dhe duke iu lutur Allahut me zemër të djegur. Thosha: ‘O Zot, shpëtoje shejhun tonë Albanin, siguroja një vend të sigurt dhe lehtësoja kthimin.’ Qaja shumë gjatë lutjes sime nga pikëllimi për atë që i kishte ndodhur dhe nuk shihja asnjë mënyrë për ta shpëtuar.”
Në kulmin e kësaj vështirësie erdhi lehtësimi nga Allahu në një mënyrë të jashtëzakonshme. Shejh Shekra mori një telefonatë nga Oborri Mbretëror, ku i thanë se mbreti e kërkonte menjëherë.
Ai tregon:
“Shkova në pallat dhe aty gjeta ministrin e Vakëfeve. Ai më tregoi se mbreti kishte marrë një kërkesë nga ambasada iraniane për hapjen e një ‘Qendre Kulturore Khomeini’ në Jordani.
Mbreti e kishte pyetur ministrin për Iranin dhe medhhebin shiit. Ministri i kishte thënë se ky medhheb nuk përputhet me rrugën e Ehli Sunetit. Kur mbreti kërkoi sqarime më të hollësishme, ministri tha se këto çështje i njohin më mirë dijetarët selefij, ndaj mbreti kërkoi që të sillej njëri prej tyre. Ministri më propozoi mua.”
Kur Shejh Shekra hyri te mbreti, ky i kërkoi të shpjegonte realitetin e medhhebit shiit. Shejhu i paraqiti një shpjegim të detajuar shkencor dhe teologjik, duke sqaruar pikat ku ata kundërshtojnë besimin e Ehli Sunetit.
Kur përfundoi, mbreti u bnd dhe iu drejtua drejtorit të oborrit:
— Kërkojuni ndjesë ambasadës iraniane. Nuk duam hapjen e kësaj qendre kulturore dhe nuk pranojmë prishjen e besimit të njerëzve.
Kërkesa para mbretit dhe urdhri i prerë
Sipas zakonit të mbretërve, në fund të takimit ai iu drejtua Shejh Shekras:
— O shejh i nderuar, a ke ndonjë kërkesë që mund ta plotësojmë?
Këtu Shejh Shekra e shfrytëzoi rastin dhe tha:
— Po, o Madhëri. Ka një njeri prej dijetarëve më të mëdhenj të muslimanëve që ka kërkuar strehim në vendin tuaj. Ju jeni pasardhësit e Benu Hashimit dhe nuk e tradhtoni atë që kërkon mbrojtjen tuaj. Por fatkeqësisht ndaj tij është lëshuar një vendim dëbimi. Tani ai ndodhet i bllokuar mes kufirit jordanez dhe atij sirian. Nëse kthehet në Siri, do të përballet me dënimin me vdekje.
Mbreti u trondit dhe pyeti:
— Kush është ai?
Shejhu u përgjigj:
— Është dijetari i hadithit, Muhamed Nasiruddin Albani.
Mbreti iu kthye menjëherë drejtorit të zyrës së tij dhe dha një urdhër mbretëror të prerë. U kontaktua menjëherë ministri i Brendshëm dhe u dha urdhri:
— Kthejeni Shejh Albanin në shtëpinë e tij, nën kujdes dhe mbrojtje të plotë. Askush të mos e shqetësojë.
Kthimi me lot gëzimi
Shejh Shekra tregonte me lot në sy:
“Dola nga pallati mbretëror sikur po garoja me erën drejt kufirit jordanez për ta pritur shejhun. Kur mbërrita, pashë se forcat e sigurisë tashmë e kishin futur brenda vendit sipas urdhrit mbretëror. E mora me vete dhe e ktheva në shtëpinë e tij shëndoshë e mirë, ndërsa qaja nga gëzimi gjatë rrugës së kthimit, pasi më parë kisha qarë nga pikëllimi në mihrab.”
Kjo ngjarje e veçantë, sipas autorit të rrëfimit, është konfirmuar edhe nga Asim bin Muhamed Ibrahim Shekra, i biri i shejhut, si dhe nga disa predikues të tjerë që e kanë dëgjuar atë. Ajo konsiderohet një prej ngjarjeve të rralla që nuk përmenden shpesh në biografitë zyrtare të Shejh Albanit (Allahu e mëshiroftë).
Përktheu: Bekir Halimi
