8.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Çfarë të bëj kur familja ime më detyron të heq mbulesën dhe të vesh një fustan të gjatë?

Më të lexuarat

Pyetje: Jam një vajzë që jetoj në një familje, botëkuptimi i së cilës nuk ka asgjë të përbashkët me Islamin. Kur vura mbulesën, filluan të tallen me mua e të më vënë në lojë. Puna vajti deri aty sa më rrahën dhe më ndaluan që të dal nga shtëpia. Për këtë arsye, u detyrova ta heq mbulesën dhe të vesh një fustan të gjatë. Si të veproj në këtë rast? A duhet ta braktis shtëpinë, duke pasur parasysh se nuk di ku të shkoj?

Përgjigje: Kjo pyetje përfshin dy çështje:

E para: Qëndrimi i kësaj familjeje ndaj vajzës së tyre është me të vërtetë jonjerëzor, pasi këtë gjë mund ta bëjnë vetëm njerëzit injorantë që nuk e dinë të vërtetën, ose njerëzit mendjemëdhenj të cilët e dinë të vërtetën por nuk e duan atë. Mbulesa e femrave muslimane nuk duhet të shihet si një e metë apo mangësi, përkundrazi ajo është pastërti, dlirësi dhe njëkohësisht refuzim i degjenerimit të botës së rreme të jobesimtarëve. Ata nuk kanë asnjë të drejtë që të sillen në këtë mënyrë, sepse njeriu është i lirë që, brenda kufijve dhe regullave të përcaktuara nga Islami, të bëjë atë që i duket më e arsyeshme.

Vendosja e mbulesës nuk është thjesht një zakon i trashëguar. Ajo është diçka e urdhëruar nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse familja e saj e bën këtë gjë, duke ditur të vërtetën, atëherë faji dhe njëkohësisht dënimi i tyre është akoma më i madh. Një prej dijetarëve thotë: “Nëse ti nuk di diçka, atëherë kjo është fatkeqësi për ty. Por nëse ti e di dhe nuk e zbaton, atëherë fatkeqësia është shumë më e madhe.”

E dyta: Në pyetjen e saj vajza thotë se ajo është e detyruar që ta heqë mbulesën. Detyra e saj është që t’i frikësohet Allahut, d.m.th. t’i zbatojë urdhërat e Tij, me aq sa ka mundësi. Pra, nëse ka mundësi që ta vërë mbulesën pa e kuptuar njerëzit e familjes së saj, le ta vërë atë, por nëse ata e rrahin dhe e detyrojnë me forcë që ta heqë, atëherë ajo nuk merr gjynahe nëse nuk e vendos, sepse Allahu i Madhëruar thotë:

“(Dënimi i takon) atij që e mohon Allahun, pasi ka besuar njëherë, me përjashtim të atij që detyrohet me forcë (që ta mohojë Atë), ndërsa zemra e tij prehet në besim. Ata që ia hapin zemrën mosbesimit, do t’i kapë zemërimi i Allahut dhe do të kenë një dënim mjaft të madh.” {16:106}

“Nuk merrni gjynahe për atë gabim që e keni bërë (pa dashje), por për atë që zemrat tuaja e bëjnë qëllimisht. E Allahu është Falës dhe Mëshirues.” {33:5}

Nëse familja e saj nuk arrin të kuptojë qëllimin e vënies së mbulesës, por vazhdon të këmbëngulë me kokëfortësi në të vetën, atëherë duhet të dijë se detyra e besimtarëve dhe besimtareve është që t’i binden urdhërave të Allahut dhe të Dërguarit të Tij, pavarësisht nëse arrijnë të kuptojnë qëllimin (urtësinë) e tyre, sepse bindja ndaj Allahut është qëllim në vetvete. Për këtë arsye Allahu i Madhëruar thotë:

“Kur Allahu ose i Dërguari i Tij vendosin për një çështje, atëherë asnjë besimtar apo besimtare nuk ka të drejtë që të zgjedhë (sipas dëshirës së tij personale) diçka tjetër që bie në kundërshtim me vendimin e tyre. E kush i kundërvihet Allahut dhe të Dërguari të Tij, është larguar shumë larg nga e vërteta.” {33:36}

Kur u pyet se përse gruaja me menstruacione duhet të zëvendësojë vetëm ditët e lëna nga agjërimi i Ramazanit e jo namazet, Aishja, gruaja e Profetit, u përgjigj:

“Kur na vinin menstruacionet, Profeti (paqja qoftë mbi të) na urdhëronte që (pas mbarimit të tyre) të zëvendësonim vetëm agjërimin e jo namazet.” Nga përgjigja e Aishes kuptojmë se qëllimi apo shkaku i moszëvendësimit të namazeve të lëna ishte vetë urdhëri i Profetit (paqja qoftë mbi të), ndaj edhe ato ishin të detyruara ta zbatonin atë pa kundërshtimin më të vogël.

Zbulimi i femrave shkakton, gradualisht, largimin e turpit dhe zhdukjen e virtyteve të larta dhe moralit të pastër dhe, në të njëjtën kohë, ndikon në përhapjen e degjenerimit dhe në shtimin e gjynaheve, të cilat janë paralajmëruesit dhe treguesit e shkatërrimit të sigurtë.

 

Ibn Uthejmini

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit